Eksperti ligjor i OSHEE-së, Romeo Karaj që ka administruar dokumentet e procesit të privatizimit të kompanisë CEZ në një intervistë për Top Channel tregon sekserin kosovar të lidhur me kompaninë çeke, që ishte në kontakt me qeverinë 4 vite përpara privatizimit dhe lidhjet e Berishës, fotot me Rulin dhe dëmet që i kanë shkaktuar shtetit shqiptar vendimet e ish-kryeministrit.
 
Materiali që kam tregon qartë fotografinë me ministrin Ruli, duke qenë se ka shumë të dhëna që dalin të sakta deri te numri i niptit të shoqërisë që zotërohet, në të cilat Kalaj kishte aksione, ishin të sakta.
 
Nuel Kalaj ka qenë aksioner në “Antika 04”, kjo shoqëri ka marrë nga OSHEE rreth 900 mln lekë të vjetra për shërbime, por që vlejnë për t'u verifikuar për periudhën e drejtimin nga CEZ.

Aty përmendet që Nuel Kalaj në 2006 ka telefonuar mbi 100 herë ish-kryeministrin Berisha. Kjo vlen të konfirmohet nga institucionet apo strukturat
”, shprehet Romeo Karaj.

Por Nuel Kalaj, sipas dëshmitarit nuk ka qenë sekseri i vetëm. Përpara tij, ka pasur tentativa nga një tjetër shtetas.

Hamza Merxhani një shtetas kosovar kishte bërë negociata mes CEZ dhe Berishës për të privatizuar kompaninë shqiptare të shpërndarjes së energjetikës.

Romeo Karaj deklaron se në privatizimin e CEZ u shkel ligji, ndërsa kompania çeke u favorizua.
 
Gjithashtu ai u shpreh se u zhvlerësuan asetet e kompanisë dhe efekti ishte 55 mln Euro në dëm të shtetit shqiptar.

Përsa i përket çështjes CEZ-DIA, ai theksoi se në momentin që u arrit marrëveshja për faturat ERE uli çmimin në favor të CEZ dhe për këtë duhet hetim.