Komuniteti LGBTI përmes një letre që mban firmën e dy përfaqësuesve Xheni Karaj dhe Kristi Pinderi i ka kërkuar kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha që opozita dhe çadra e saj mos pengojnë mbarëvajtjen e paradës së 6-të të LGBTI.
 
Për mikrofonin e Report Tv Xheni Karaj është shprehur se i kanë nisur një letër Bashës për të parë qëndrimin e tij ndaj LGBTI.
 
“Duke qenë se sivjet është vendosur çadra dhe pamë mundësinë  të parakalojmë me biçikleta në korsinë e lirë në krahun lindor të çadrës menduam të nisim një letër që të bëjmë intenerarin tradicional. Është parimore sepse deri diku mund të shohim qëndrimin e PD ndaj LGBTI. Kryetari i mëparshëm Berisha ka pasur qëndrim pozitiv, po nuk dimë ende qëndrimin e Bashës”,
tha Karaj.
 
Karaj: Politikanët të vijnë në paradë
Ajo i ka bërë thirrje klasës politike t’i bashkohen paradës së 13 majit me shpresën se mund të jetë kjo aleancë ajo që do të bëjë atë që nuk po realizojnë dot as ndërkombëtarët, bashkimin e politikes.
 
“Kërkojnë pjesëmarrjen e politikanëve në paradë, i kemi drejtuar edhe letër për të na u bashkuar në paradë. Shpresoj shumë që mesazhet tona të dashurisë dhe lirisë të bëjnë atë që politika nuk po bën dot, të bashkojë liderët dhe të japin një mesazh dashurie dhe lirie, atë që nuk bën dot politika dhe ndërkombëtarët ta bëjë LGBTI. Nga PD morëm një përgjigje dhe besojmë se së shpejti do takohemi me Zotin Basha”, tha Karaj.
 
Xheni Karaj është shprehur se politika në fund të fundit nuk duhet të harrojë se personat LGBTI janë votues.
 
“Politikanët të mos harrojnë se personat LGBTI janë votues kështu që duhet të marrin parasysh dhe të na përfaqësojnë edhe ne në Parlament”, u shpreh Karaj.