Punimet për zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës vijojnë në fazën e tretë, me kantierin që është përqendruar në segmentin nga mbikalimi i Rinasit drejt Limuthit. Pas përfundimit dhe hapjes për qarkullim të gjashtë kilometrave të parë, puna po vazhdon me zgjerimin e pjesës së mbetur të aksit.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, së bashku me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, inspektuan nga afër ecurinë e punimeve, ku sipas ARRSH-së deri tani është realizuar rreth 30% e projektit.
Sipas drejtuesit të ARRSH-së, kjo fazë e kontratës përfshin zgjerimin e trupit të rrugës me tre korsi dhe një korsi emergjence, si edhe ndërtimin e nyjës në disnivel të Laknasit dhe mbikalimit të ri të Kasharit.
“Kjo fazë kontrate përfshin zgjerimin e trupit të rrugës në tre korsi plus një emergjence. Ndërkohë që përfshihet gjithashtu dhe mbikalimi në disnivel ose nyja në disnivel e Laknasit dhe ndërtimi i mbikalimit të ri të Kasharit, që do të jetë me strukturë metalike me gjatësi 94 metra”, tha Kozeli.
Aktualisht po punohet për mbushjen e trupit të rrugës, ndërsa muret mbajtëse kanë përfunduar. Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, hapja e gjashtë kilometrave të parë ka lehtësuar ndjeshëm qarkullimin e automjeteve në këtë aks, ndërsa objektivi është që edhe faza e tretë të mbyllet sa më shpejt.
“Pas dy fazave që janë përmbyllur me sukses dhe që është e dukshme pasi trafiku është zhbllokuar me tre korsi deri në mbikalimin e Rinasit, tashmë jemi në punimet për përfundimin e zgjerimit deri në drejtimin e Limuthit”, u shpreh ministri Karakaçi.
Gjatë inspektimit, ministri kërkoi që krahas punimeve të adresohen edhe shqetësimet e banorëve dhe bizneseve që ndodhen përgjatë aksit, për të garantuar aksesin në rrugë. Karakaçi u ndal edhe te mbikalimet për këmbësorët përgjatë segmentit të parë të autostradës, duke thënë se shqetësimet e ngritura nga banorët disa javë më parë tashmë kanë marrë zgjidhje.
“Kantieri është i mobilizuar. Të kemi në vëmendje përmbylljen aty ku kemi mundësi edhe të atyre problematikave që kanë ngritur banorët, aty te nyja e Rinasit, të vazhdohet me prioritet për sa i përket mbikalimeve që bëjnë edhe ndërlidhjen e banorëve dhe që ka qenë shqetësim i shtuar”, deklaroi ministri.










Komente
Komento