Pasi Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nisi procedurat për anulimin e kontratës koncesionare të Aeroportit të Vlorës, kompania ‘MABCO Constructions’ e Behgjet Pacollit ka i ka dërguar një letër ministrit Enea Karakaçi ku e fton për negociata, për të zgjidhur problemin e krijuar brenda 31 gushtit.
Në letrën që MABCO i ka dërguar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, listohen pretendimet që sipas kompanisë së Pacollit nuk qëndrojnë për të çuar në zgjidhjen e kontratës koncesionare.
“Në këto kushte, duke vlerësuar se zgjidhja e parakohshme e Kontratës së Koncesionit është e pabazuar dhe nuk përmbush kushtet e parashikuara në Kontratë, kërkojmë që kjo mosmarrëveshje të zgjidhet nëpërmjet negociatave në mirëbesim, pa paragjykuar qëndrimin apo pretendimet e asnjërës palë, në përputhje me nenin 21.1 të Kontratës. Për këtë qëllim, propozojmë zhvillimin e negociatave brenda 15 Ditëve të Punës nga data e marrjes dijeni për këtë shkresë, pra jo më vonë se data 31 gusht 2026”, thuhet mes të tjerash në letrën që MABCO i ka dërguar Ministrisë.
Më tej duke e quajtur zgjidhjen e parakohshme të kontratës nga shteti shqiptar si të pabazuar nga kushtet në kontratë, MABCO thekson se letra drejtuar Ministrisë nuk përbën heqje dorë nga pretendimet e tyre.
“Kjo shkresë nuk përbën heqje dorë nga asnjë e drejtë, pretendim, prapësim, mjet juridik apo mbrojtje që na takon në bazë të Kontratës së Koncesionit, Marrëveshjes Bilaterale ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Konfederatës Zvicerane për Nxitjen dhe Mbrojtjen Reciproke të Investimeve, si dhe legjislacionit kombëtar për mbrojtjen e investimeve të huaja. Ne rezervojmë shprehimisht çdo të drejtë sipas legjislacionit shqiptar, të drejtës ndërkombëtare dhe çdo mekanizmi tjetër ligjor të zbatueshëm", theksohet më tej në dokument.
Kujtojmë se kontrata parashikonte që Aeroporti të përfundonte dhe të bëhej operacional deri më 20 shkurt 2026. Pas kalimit të këtij afati, u vendos edhe një periudhë shtesë prej 90 ditësh.
Edhe pas përfundimit të këtij afati, Aeroporti nuk ishte funksional, për shkak të mosmarrëveshjeve mes 2 kompanive koncesionare, MABCO të Pacollit dhe 2A Group të Valon Ademit. Kjo çoi Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë në nisjen e procedurave për zgjidhjen e parakohshme të kontratës koncesionare.
Më herët MABCO e Behgjet Pacollit ka paralajmëruar shtetin shqiptar se do ta dërgojë çështjen në arbitrazh ndërkombëtar.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë










Komente
Komento