Në qytetin e Kukësit, karantina i ka bërë fëmijët që të jenë shumë kreativë dhe i ka afruar me shumë me prindërit e tyre, duke qenë se janë të vetmit njerëz që shohim këto ditë izolimi. Në familjen Koldashi, asnjë ditë e karantinës nuk është e mërzitshme. Çdo ditë në këtë familje tingujt e kitarës dhe çiftelisë nuk mungojnë. Dajana këngëtare, Dartaniani me çifteli, të dy motër e vëlla dhe babai i tyre Dëfrimi me kitarë. Ditët e izolimit i kanë kthyer në ditë argëtimi jo vetëm për pjestarët e tjerë të familjes por edhe për banorët e pallatit. Ata thonë se pasi i kryejnë mësimet online bashkë me babain këndojnë dhe ushtrohen me kitare dhe çifteli.
"Jam marrë me mësimet online, që na ka motivuar për të mos lënë mësimet pas dore pavarësisht vështirësive që ka patur. Gjithsesi jam munduar ti zbatoj me përpikmëri këto rregulla që janë vendosur. Ne kontaktojmë me mësuesit deri në orën 10 të darkës, që mund të them se është argëtuese pavarësisht vështirësive që siç thashë më parë kemi patur. Unë nuk kam frikë dhe do isha shumë e gëzuar që shkolla të paktën të fillonte në maj.
Unë edhe vëllain nuk e lë pas dore, merrem shumë me të. Përveç mësimeve në kohën e lirë merremi edhe me aktivitet fiziki, por nuk ka munguar as dalje jashtë, por gjithmonë me mbrojtje,"-shprehet Dajana, vajza.
"Unë jam 13 vjeç dhe gjithashtu kam vazhduar me mësimin online, me mësuesit që na kanë sjellë detyrat. Kam patur pak vështirësi se nuk është si në shkollë por ndryshe. Mu më ka marrë malli për shokët, për mësuesit, për të luajtur me ta. Gjatë këtyre pushimeve jam marrë me babin që po luajmë me kitarë dhe duke kënduar këngë. Unë kam kënduar edhe te pallati i kulturës Hasan Prishtina, ndërsa gjatë këtyre ditëve nuk kam patur mundësi. Jam marrë vetëm me çiftelinë dhe kitarën,"-shprehet djali Dartaniani.
Dëfrimi, babai, thotë se për t'ia larguar sadopak stresin fëmijëve përveç ndihmës për mësimin online i ndihmon edhe në nxitjen e kreativitetit të tyre në muzikë.