Në fushat e Myzeqesë është shfaqur sërish karkaleci ‘maroken’, një insekt që sjell dëme të mëdha për bujqësinë. Konkretisht në zonën e Tërbufit, Grabjanit e Plukut ku fermeret kanë mbjellë 1 mijë hektarë me jonxhë karkaleci shfaqet në sipërfaqe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme deri në eleminimin total të bimëve.

Karkaleci në këtë fazë dëmton jonxhat dhe terfilin e më pas kalon edhe në kulturat e tjera që kanë masë të gjelbër si perimet, lulja e diellit misri, etj. Fermerët që e kanë të lidhur aktivitetin e tyre ekonomik me kulturën e jonxhës e kanë të pamundur të kryejnë sperkatjen me buxhetin e tyre. Fermerët kërkojnë ndërhyrjen emergjente nga Ministria e Bujqësisë, si me preparate kimike ashtu dhe me mjete mekanike zetorë e agregate spërkatje për të përballuar situatën.

Karkaleci ‘maroken’ ka rreth 5 vjet që është shfaqur çdo sezon në  Tërbuf, dhe rezervat biologjike të tij në këtë zonë janë në Grabian, Tërbuf, Pluk tek ish fusha e aviacionit si dhe tokat e lëna djerrë në zonën e Beratit dhe pikërisht nga këto zona duhet të nisë vrojtimi dhe më pas ndërhyrja me spërkatje për të bërë të mundur eleminimin përfundimtar të këtij isekti që po shkatërron bujqësinë.