Hashim Thaçi po e kërkon mandatin e tretë të kryeministrit, edhe pse tërthorazi po e pranon se as vetë nuk është i kënaqur me qeverisjen e tij.

Po të mos ishte kështu, ai as që do të mendonte t’ia niste fushatës parazgjedhore për zgjedhjet që mbahen në fillim të muajit tjetër me moton e re “Misioni i Ri”, por do të lavdërohej me “qeverisjen e mirë” të të dy mandateve si kryeministër i Kosovës.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, në vitin 2012 kërkonte mandatin e dytë të presidentit me moton “Forward” (Përpara), duke u kërkuar votuesve amerikanë që ta shpërblejnë edhe me një mandat pas punës së mirë gjatë mandatit të parë.

Se nuk ka qeverisur mirë në gjashtë vitetet e fundit, Thaçi e kuptoi në zgjedhjet e fundit lokale, kur Partia Demokratike e Kosovës(PDK) u ndëshkua nga elektorati duke pësuar humbje të thellë në komunat kryesore të vendit.

Pak muaj më parë ai mori mesazhin e qartë nga votuesit se këta të fundit janë lodhur nga shkalla e lartë e korrupsioinit në vend, nga mungesa e zhvillimit ekonomik dhe nga varfëria ekstreme, prandaj për zgjedhjet e 8 qershorit ka marrë një “Mision të Ri” të qeverisjes.

Fakti që ka zgjedhur një moto të tillë për të garuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare tregon se ai po mundohet të distancohet nga qeverisja e tij në të kaluarën, kur korrupsioni në vend ka arritur majat.

Sado që Thaçit mund të mos i pëlqejë, në raportin e fundit të “Transparency International”, Kosova është radhitur shteti i 111-të më i korruptuar në botë, duke kaluar në “zonën e kuqe” të allëshverisheve të korrupsionit.
Me të njëjtën strategji si të Thaçit, do t’ia nisë fushatës edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, derisa liderët e partive tjera ende nuk i kanë shpalosur motot e fushatës, përkatësisht karremat për votuesit.

Pavarësisht, se ende mburret me 100 ditët e udhëheqjes së Qeverisë së Kosovës, para se të shkojë në Hagë shumë vite më parë, edhe Ramush Haradinaj në këto zgjedhje ka vendosur të hyjë me moton “Drejtimi i Ri”, pasi që edhe ai me drejtimin politik që ndiqte u ndëshkua rëndë nga votuesit në zgjedhjet lokale, duke humbur kështu katër komuna me rëndësi në vend.
Ky ndëshkim për partinë e Haradinajt ndodhi për shkak të skandaleve të shumëta korruptive për të cilat u përfolën drejtuesit e kësaj partie.

Pa afera korruptive nuk shpëtuan as zyrtarët e LDK-së e AKR-së.
Pasi që, shumica e partive që kanë udhëhequr me institucionet qendrore dhe lokale që nga paslufta e këndej, zyrtarë të shumtë të tyre janë përfshirë në afera korruptive, atëherë do të ishte mirë që në këto zgjedhje të hiqet nga fjalori politik premtimi për luftën ndaj korrupsionit. Përkatësisht, për luftimin e vetvetes.

Korrupsioni në Kosovë tashmë e ka arritur statusin de facto, vetëm se i ka mbetur të bëhet edhe de jure.
Kush beson se këta liderë partiakë do ta ndryshojnë misionin në luftën ndaj korrupsionit, pasi në skenë mbesin të njëjtit hajdutë.