TIRANË - Zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Alexander Kasanof dhe kryeministri Edi Rama zhvilluan sot një takim për të diskutuar marrëdhëniet e forta midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Në fokus ishte mbështetja e Shqipërisë në çështje kyçe shumëpalëshe dhe angazhimi për arritjen e objektivave të përbashkëta.
Në takim u shqyrtua progresi i Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Europian, duke nënvizuar rëndësinë e transparencës në procesin e reformës në drejtësi. Gjithashtu, u diskutua domosdoshmëria e forcimit të përpjekjeve kundër korrupsionit, si një prioritet për stabilitetin dhe zhvillimin e vendit.
Ky takim rikonfirmoi angazhimin e përbashkët për të forcuar partneritetin strategjik midis dy vendeve dhe për të adresuar sfidat globale e rajonale.
'Alexander Kasanof dhe kryeministri Edi Rama u takuan sot për të diskutuar partneritetin e fortë SHBA-Shqipëri dhe mbështetjen e Shqipërisë në çështjet kyçe shumëpalëshe, duke rikonfirmuar angazhimin e tyre për arritjen e objektivave të përbashkëta. Ata shqyrtuan përparimin e Shqipërisë në integrimin në BE dhe rëndësinë e transparencës në reformën në drejtësi dhe forcimin e përpjekjeve kundër korrupsionit', shkruan Ambasada amerikane në X.
Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Alexander Kasanof, mori pjesë sot në takimin ceremonial të pesë vjetorit të SPAK-ut në Tiranë, ku deklaroi se “ky është institucioni publik më i besueshëm në Shqipëri”, që po bën “përpjekjen më të suksesshme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në historinë shqiptare”, ndaj duhet siguruar vazhdimësia e kësaj lufte pa ndërprerje e për këtë prokurorët e SPAK-ut duhet të lejohen të aplikojnë për të shërbyer sërish pas përfundimit të mandatit të tyre aktual. Ai tha se “dështimi për të realizuar këtë, rrezikon të ndërpresë këtë luftë si dhe rrezikon humbjen e profesionistëve më me përvojë në këtë fushë”.
“Arrestimet, procedimet penale dhe dënimet tuaja të jashtëzakonshme, sikurse i keni parë këtu nga zoti Dumani, kundër atyre që dikur ishin të paprekshëm, flasin shumë. Puna juaj frymëzon besimin se prova do të ndiqet brenda kornizës së ligjit pavarësisht se ku, pavarësisht se drejt kujt çojnë hetimet. Asnjë nuk është mbi ligjin”, tha Kasanof.