Trajleri i ngarkuar me grurë i cili erdhi nga Ukraina në portin e Durrësit është batuar në autostradën Tiranë-Durrës. Siç duket edhe nga pamjet e siguruara nga Report Tv ‘zbarkimi’ i drithit në rrugë ka shkaktuar një bllokim në të dyja senset e rrugës si dhe ka ndikuar në rëndimin e trafikut. Ngjarja ndodhi rreth orës 14:05 në autostradën Durrës-Tiranë, ndërsa drejtuesi ka humbur kontrollin e mjetit dhe për pasojë ka dalë nga rruga. Prej orësh vijoi trafiku i rënduar për në Durrës dhe në aeroportin e Rinasit. Nga ana tjetër, nisi puna për mbledhjen e grurit të përhapur në rrugë.

Kujtojmë se anija me 6 mijë ton grurë mbërriti dje në portin e Durrësit. Anija u ankorua në kalatën nr. 2 të portit të Durrësit paraditen e djeshme. Gruri ka mbërritur në vend për llogari të një kompanie mielli në Shqipëri. Nga Deti i Zi, Odesa, u deshën disa ditë që anija të mbërrinte, me një ndalesë në një port turk. Anija mund të qëndrojë në port për rreth 3 ditë, deri në përfundimin e procesit. Janë vënë në dispozicion dy anije dhe një numër i madh automjetesh që bëjnë transportin e ngarkesës. Pas kësaj priten edhe anije të tjera me drithëra në Durrës nga Ukraina, por kjo varet nga marrëveshja Ukrainë – Rusi.

Muaji shkurt është muaji i fundit ku një anije me grurë nga Ukraina ka mbërritur në Durrës për importuesit shqiptarë të miellit.

Bllokimi i porteve ukrainase shkaktoi probleme në furnizimin global me drithëra, mirëpo falë një marrëveshjeje Rusi – Ukrainë të ndërmjetësuar nga Turqia, Ukraina ka nisur sërish eksportin e mijërave tonë drithëra. Rusia dhe Ukraina së bashku mbulojnë gati një të tretën e eksporteve globale të grurit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:53
Punëtorët mbledhin grurin ukrainas që ra nga trajleri, trafik i rënduar për në Durrës dhe Rinas

 

Një sasi e madhe gruri u derdh në mes të rrugës në autostradën Tiranë-Durrës mesditën e sotme pasi trajleri që po e transportonte u batua. Punëtorët kanë nisur punën për mbledhjen e grurit, ndërsa vijon trafiku i rënduar për në drejtimin e Durrësit. E bllokuar është edhe rruga dytësore që të çon për në aeroportin e Rinasit.