SHKUP – Katër janë kandidatët për president në zgjedhjet presidenciale të 13 prillit në Maqedoni. Gjorgji Ivanon është i propozuar nga VMRO-DPMNE për një mandat të dytë, Stevo Pendarovski nga opozita maqedonase LSDM, Iliaz Halimi kandidat i opozitës shqiptare PDSH, dhe Zoran Popovski nga partia e vogël GROM.

Për herë të parë në këtë garë presidenciale do të jetë vetëm një kandidat shqiptar, pasi partia shqiptare në pushtet BDI bojkoton garën meqë nuk u mbështet ideja e saj për kandidat konsensual presidencial, raportoi Deutsche Welled dje.

Analistët politikë në vlerësimet e para për kandidatët presidenciaël vlerësojnë se Maqedonisë i duhet një kandidat me koncept qytetar dhe jo etnocentrik. Kandidati i VMRO-DPMNE-së Gjorgji Ivanov dhe i opozitës Stevo Pendarovski vlerësohen si kandidat më serioz që do të garojnë në rrethin e dytë.

Gjithnjë sipas analistëve edhe në këto zgjedhje presidenciale, qytetarët do të votojnë për kandidatin që ka propozuar partia e jo për personalitetin e tij.

Analistët politikë thonë se është mëse e sigurt se në raundin e dytë të garës presidenciale do të garojnë kandidati i VMRO-DPMNE-së Gjorgji Ivanov dhe i LSDM-së opozitare Stevo Pendarovski. Duke u bazuar në rezultatet nga votimet e fundit presidenciale, gjasat që kandidati i PDSH-së Ilias Halimi dhe Zoran Popovski nga GROM të kalojnë në raundin e dytë janë minimale.
 
Redaksia online
(el.sk/shqiptarja.com)