Procesi i zgjedhjes së Presidentit është futur në një pikë kulmore pas dështimit të tre raundeve të para dhe kërcënimit se nëse humben përsëri raunde, vendi kalon në zgjedhje të parakohshme dhe në krizë institucionale. Kandidati i mazhorancës dha dorëheqje duke dëshmuar qytetari dhe kurajë në një pellg politik të kalbëzuar dhe baltosur nga mungesa e qytetarisë dhe kurajës. Shansi për konsensus maksimal ra ditën kur palët refuzuan dialogun dhe i imponuan njëra tjetrës parakushte, të cilat më shumë largonin sesa afronin kompromisin. Koha po ecën dhe palët duhet të gjejnë një zgjidhje të shpejtë, të qëndrueshme dhe sa më të mirë të mundshme. Në këto rrethana skenarët janë katër: e para, mazhoranca refuzon bisedimet dhe kompromisin me opozitën dhe midis saj cakton një kandidat me profil të ulët politik, i cili nën presionin e zgjedhjeve të parakohshme do të siguronte votat e mjaftueshme për të qenë kreu I shtetit në pesë vitet e ardhshme. Kjo është zgjidhje force, nervoze dhe me pasoja për vetë mazhorancën, institucionin e kryetarit të shtetit dhe pritjet e Shqipërisë në procesin e integrimit.Skenari i dytë është marrëveshja politike PD-PS për një zgjidhje konsensuale. Ajo mund të arrihet për një emër publik pa profil politik, një zgjidhje nga individë me kontribute dhe përvojë në aktivitetin e vet në institucione kushtetuese ose institucione të tjera publike. Të tilla ka përherë, mjafton të ketë vullnet politik për ti kërkuar dhe ftuar. Marrëveshja mund të shoqërohej me disa element thelbësorë, p.sh, me marrëveshje edhe për reformat e tjera të bllokuara (reformën në gjyqësor, në çështjet e imunitetit, në sistemin zgjedhor, në strukturën parlamentare apo në fusha të tjera të evidentuara nga progress raporti I BE-së), por edhe me modele si ai I Kosovës, për dakordësi që zgjedhja e ardhshme e Presidentit të bëhet me votim direkt popullor.

Skenari i tretë është që palët të hyjnë me kandidatë alternativë me pretendim gjetjen e votave të fshehta parlamentare përmes ndereve, dhuratave apo pazareve të fshehta individuale. Produkt do të ishte një president i kontestuar, dështimi i aftësisë shqiptare për maturim e sjellje serioze politike, si dhe biporalizim më tej i jetës politike. Pjesë e këtij skenari është p.sh, riciklimi I figurave politike si F.Nano, të cilat cuditërisht, vijojnë të na imponohen si zgjidhje optimal nga media, grupe lobingu dhe burime të tjera publike me sfond politik, ndërkohë që kjo lloj zgjedhjeje do të ishte një kthim pas për demokracinë shqiptare, fyerje e kujtesës historike dhe dështim i elitave të reja politike dhe qytetare në 100 vjetorin e shtetit shqiptar.

Skenari I katërt ka të bëjë me zgjatjen e procesit pa zgjidhje, ecjen përmes retorikës së ashpër dhe mungesës së procesit kushtetues zgjedhor, pamundësisë për zgjidhje optimal dhe kështu, kalimin e vendit në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Shqipëria nuk është Sllovaki, Slloveni dhe as Greqi ku zgjedhjet e parakohshme janë normalitet, por është një vend i sëmurë, në trupin e të cilës çdo ndërhyrje kirurgjikale do të kishte pasoja shumë herë më të rënda. Ky opsion nuk preferohet nga partitë kryesore, nga komuniteti ndërkombëtar dhe do ishte lajm negativ në 100 vjetorin e shtetit shqiptar.

Atëherë cila mbetet zgjidhja optimal? Përvoja kosovare (zgjedhje konsensuale e kalim në zgjedhje direkt të Presidentit), përvoja gjermane (propozim i opozitës për një kandidat jashtë radhëve të saj), përvoja italiane (zgjedhje përmes votimit alternativ i një emri përfaqësues jashtë vijës së parë politike), modeli grek (mazhoranca që propozon një kandidat dinjitoz me përkatësi politike nga opozita) apo modeli shqiptar (zgjidhje në momentin e fundit, pazare pa transparencë dhe rregulla procesi, imponim të emrave dhe rregullave dhe në fund, fushata denigruese permanente edhe ndaj presidentit të zgjedhur njëanshmërisht apo me konsensus). A mund të jetë zgjidhje që PS e PD të takohen dhe të bien dakord për procesin dhe emrin? Që LSI të detyrojë mazhorancën për zgjidhje jashtë koalicionit të numrave të brishtë? Që faktori ndërkombëtar të vendosë vija të verdha dhe afate kohore në shenjë presioni ndaj palëve?

Secila prej tyre mund të jetë një mjet drejt zgjidhjes. Mjafton të ketë vullnet, mjafton të ketë qetësi e maturi politike, mjafton që mazhoranca ta kuptojë se është në pushtet për të qeverisur për të gjithë shqiptarët dhe jo vetëm për klanet financiare e politike në krye të saj. Ajo ka përgjegjësinë të ofrojë zgjidhje, qoftë duke paraqitur më shumë se një kandidat në bisedime me PS, qoftë duke pranuar se në këtë vend ka shqiptarë të mirë e dinjitozë edhe jashtë oborrit të PS/LSI, qoftë duke prodhuar më shumë transparencë publike e sjellje të përgjegjshme institucionale, apo qoftë edhe duke kërkuar kompromise historike të tipit, zgjedhje direkt e Presidentit në popull (në zgjedhjet e radhës), apo pranimin parimor të detyrimit që çdo president i zgjedhur me këtë sistem politik e kushtetues të jetë konsensual, pra me rotacion të pranohet veto pozitive e opozitës. Kjo e fundit ka gjithashtu rol thelbësor të dëshmojë se nuk është votuar për të ofruar gjithnjë pengesë, refuzim e denigrim për çdo emër publik që lakohet, por të dalë jashtë vetes së saj për të dhënë garanci afatgjata serioziteti e maturie politike. Dy palët bënë “luftën“, pra shkaktuan krizën, tani është koha të bëjnë edhe paqen me njëri tjetrin dhe më pas së bashku edhe me shqiptarët. Jo si heronj, shpëtimtarë apo jashtëtokësorë, por me përulje, ndjesë e respekt për detyrimet e borxhet e mëdha që i kanë shoqërisë dhe shtetit shqiptar.

Me 10 qershor shqiptarët përkujtojnë në Prizren lidhjen historike dhe bashkuese mes tyre. Me 12 qershor përkujtohet çlirimi i Kosovës nga NATO dhe lindja e shtetit të dytë shqiptar në botë. Midis këtyre dy datave simbolike është koha që prijësit tanë politikë, oriental në sjellje dhe perëndimor në veshje, të dëshmojnë minimumin e respektit për shtetin, kombin, prestigjin tonë ndërkombëtar, institucionet dhe qytetarët. Jo me fjalime e konferenca sharëse shtypi, por me veprime konkrete, bisedime publike, sjellje të matura dhe proces gjithëpërfshirës. Në mënyrë që Shqipëria të mos ketë një të deleguar partiak apo personal në presidencë, por një kryetar shteti që përfaqëson të gjithë, të majtë e të djathtë, shtetin dhe kombin, flamurin dhe imazhin e Shqipërisë.
(sg/shqiptarja.com)