Katalogu “GIMJANI”/ Një moment cilësor i filatelisë shqiptare

Katalogu “GIMJANI”/ Një moment cilësor i filatelisë shqiptare

Katalogu "Gimjani"

Ajo çka bënim në fëmijërinë tonë, mbledhja e pullave të postës dhe mbajtja e tyre ndër faqet e librave, ishte përpos se fillimi i një pasioni, por ende jo ai i koleksionimit. Edhe më pas, me kalimin e viteve, me shtimin e “shteteve”, shtimin e pullave dhe njohurive, ndonëse ka filluar formimi, përsëri, sa kohë nuk ke si referencë një katalog të renditjes së pullës postare, nuk mund të quhesh koleksionist, filatelist, i motivuar thellësisht pas një dëshire kulturore e që ndjek një  kriter në klasat filatelike. Përcaktohet kështu sepse, së bashku me zhvillimin, me rritjen, kupton që forma më kryesore dhe e rëndësishme e filatelisë është mbajtja dhe ruajtja e tyre sipas një rendi kronologjik të emëtimit. Dhe këtë rend e kemi të vendosur vetëm në katalogët që prodhohen për këtë qëllim, zyrtar apo privat qofshin. E njejta gjë vlen, pak a shumë, edhe për filatelinë tematike.

Në Shqipëri, në mungesë të një katalogu vendas, referencë kanë qenë katalogët e huaj. Filatelistët shkodranë dhe ata korçarë kanë patur referim katalogun francez Yvert. Këtij, më pas, ju shtua edhe katalogu Sassone. Në buletinin italian, "Corriero Filatelico", të vitit 1928, shkruhet mes të tjerash, për të parin ekspert ndërkombëtar të pullave postare, me kombësi shqiptare, Zef Prendushi. Është e njohur se në Shkodër një dyqan shiste edhe pulla poste, që në vitin 1900. Te ky dyqan punonte shegert Zef Prendushi, në atë vit vetëm 13 vjeçar. Shiste pulla turke, por dhe të tjera, sepse pulla për përdorim në Shkodër e Shqipëri kishte dhe konsullata Austrohungareze si dhe qarkullonin pulla të Italisë (shërbime këto që u njiheshin si e drejtë prej formulimit të “Kapitulacioneve”). Emri i tij u bë i njohur në Europë fill pas Luftës së Parë Botërore. Ai ishte bashkëpunëtor i katalogut francez, "Yvert & Tellier" dhe atij italian, "Sassone". Ky ishte njeriu që informonte botën filatelike për emëtimet e postës shqiptare. Njëherësh, ka qenë i vetmi shqiptar që i njihej e drejta e pericios. Sipas informacioneve të tij, fillimisht, katalogët në fjalë kanë bërë renditjen në kohë, vlera, tirazhe e veçori të tjera.

Nga vitet 1980 filatelistët shqiptarë filluan të “punonin” me katalogun gjerman, Michel, i cili në vitet ’90-të e këtej u bë pothuaj “zyrtar”, sepse ishin disa prej nesh që bënim abonim vjetor. Katalogu i njohur amerikan, Scott, ai britanik, Stanley Gibbons dhe Hermes-i grek, njiheshin por nuk kanë qenë referencë për konsultë. Njohja e thellë që kishim mbi kronikën e emetimit dhe rrallësitë, kishin krijuar prej kohësh mëdyshjet mbi gabimet që vreheshin nga një katalog te tjetri, për pullën postare shqiptare. Me rastin e 90 Vjetorit të Postës, administrata e saj kreu botimin e një katalogu bardhë e zi për pullën postare të Shqipërisë, ku përfshihej periudha deri në vitin 2002. Katalogu kishte gabimin e madh se i mungonte emetimi zyrtar i 3.400.000 copë pullave të fundvitit 1970, të ashtuquajturit seri e “Industrialit”, një seri kjo e klasit të përdorimit “ordiner” e që mendohej të qëndronte gjatë në sportelet e shërbimit. Gjithashtu, katalogut i mungonin emetimet lokale. Afërmendsh që pullat e taksës nuk përfshiheshin. Ky katalog, duke mos u ripërtërirë, por sidomos, duke mos patur të zhvilluara vlerat krahasuese monetare që shoqërojnë seritë e që përbëjnë tiparin bazë të një katalogu, nuk pati përdorim.

Shkalla e qytetarisë së një kombi mund të kuptohet, përveç të tjerash, edhe nga përhapja e të pasionuarve pas koleksionimit të pullave, monedhave e kartmonedhave, medaljeve, etj. Për këto, popujt e qytetëruar kanë e mbajnë në përdorim katalogë. Për monedhat e kartmonedhat Banka e Shqipërisë ka një botim të vitit 2002, ndonëse jo me tiparet e katalogut, por shumë i vlefshëm për koleksionistët numizmatë. Për medaljet kemi katalogun më të arrirë, atë të Artan Lames, botuar në vitin 2010. Sipërmarrja e botimit të një katalogu të pullave postare, tashmë jo bardh e zi por me ngjyra, që përfshin rreth 4000 vlera nominale dhe fotot respektive, pa mëdyshje që është një veprim, që në kushtet financiare dhe ekonomike, ku vepron Shoqata e Koleksionistëve të Shqipërisë, dukej si utopi. Por ajo që shihej si e pa mundur, u bë realitet nga koleksionisti i talentuar, Kryetari aktual i shoqatës, z. Muharrem Gimjani. Sapo është botuar katalogu “Gimjani”, që shënon një kulm cilësor në jetën filatelike dhe në kulturën e vlerave të trashëgimisë. Pas botimit të z. Thimi Nika, “Historia e Filatelisë Shqiptare” dhe organizimi i Kampionatit Ballkanik të Filatelisë, ngjarja e botimit të katalogut “Gimjani” shënon një kulm tjetër cilësor.

Përgatitja e këtij katalogu afermendsh që kërkonte një punë kolosale, vullnet e këmbëngulje, që Emit, (siç miqtë e tij e thërrasin) nuk i mungojnë. Me pasionin dhe frymën njerëzore që e përshkon, ditë pas dite e muaj pas muaji, ja bëri të mundur ta çojë nismën drejt një përfundimi, me përfundime tejet cilësore, pavarësisht kostos së lartë që ajo mbartëte. Nga ana formale është ndihmuar pa rreshtur prej z. Xhoan Guga si dhe z.Edmond Budo, të cilët kanë bërë përshtatjen edhe në versionin anglisht si dhe përgatitjen për botim. Është ndihmuar për përmbajtjen e katalogut nga emrat më të shquar të filatelisë shqiptare, si prof.dr. Jovan Basho, filatelisti veteran Vasil Xhitomi, Julian Demeti dhe kryredaktori i revistës “Koleksionisti”, z. Thimi Nika.

Katalogu “Gimjani” bie menjëherë në sy për përgatitjen e lartë grafike. Shumëngjyrëshi që shfaqet më se këndshëm e natyrshëm në raport me origjinalet, e shtypur në letër cilësore në formatin 16x23 cm., zë mëse 340 faqe, me pullat e postës Shqiptare të nxjerra në vitet 1913-2017, pullat e taksës dhe pullat lokale. Duhet përmendur se për pullat e rralla, janë përdorur, skanuar dhe vendosur në katalog kryesisht fonde të koleksionistëve të Shqipërisë. Koleksionistëve u vjen në ndihmë vlerësimi në monedhën Euro i kontimit për tre shkallët e filatelisë tradicionale: dy nivele (**+*) për të papërdorurat dhe ato të vulosura gjatë përdorimit në shërbimin postar, përfundime që vijnë si rrjedhojë e njohjes së thellë të tregut, përcaktuese si në katalogët europianë ashtu dhe në tregun online.

Filatelistët e Shqipërisë i janë dhe do i jenë gjithnjë mirënjohës z. Muharrem Gimjani, për këtë vepër që do mbetet e përjetshme në historinë e filatelisë.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja