Kalimi i Mirlind Dakut nga Rubin Kazani drejt Spartakut të Moskës bëri që një grup ekstremistësh të klubit nga kryeqyteti rus të ofendonin shqiptarët. 'Crazy North', grupimi i Spartakut që njihet për lidhjet proserbe, shpalosi një banderolë që kundërshtonte afrimin e Dakut në Moskë, si dhe ofenduan shqiptarët me mbishkrimet "Jashtë fundërrinat shqiptare, mbështesim vëllezërit serbë".

Pse 'shënjestrohet' Mirlind Daku?

Gjilanasi Daku është pjesë e kombëtares shqiptare të futbollit dhe më 10 shtator 2023 shënoi një nga golat në fitoren 2-0 kundër Polonisë në Tiranë, çka i hapi rrugën kualifikimit të Shqipërisë në Euro 2024.

Pas goli Daku hoqi fanellën me numrin 19 dhe shpalosi tatuazhin 'Katana 138' që ka të gdhendur në trup. Tatuazhi kushtuar dëshmorit të UÇK-së, Agim Ramadani, bëri që sulmuesi nga Gjilani të bëhej temë jo vetëm për lojën në fushë. Daku edhe njëherë solli në kujtesë sakrificën sublime dhe derdhjen e gjakut për liri. Diçka të tillë bëri edhe komandanti i "Brigadës 138" të UÇK-së, Agim Ramadani, në vitin 1999.

Komandant Agim Ramadani, në luftën për liri mori pseudonimin “Katana”, një shpatë e hollë dhe e mprehtë e përdorur nga luftëtarët samurai në Japoni, e saktë dhe vdekjeprurëse.

Komandant “Katana” ishte pjesë e betejës më të rëndësishme për fatet e luftës së UÇK-së kundër pushtuesve serbë në Kosovë. Më 9 prill të vitit 1999, në krye të opearacionit “Shigjeta”, Agim Ramadani dhe njësiti “Kobra” i Brigadës 138, nisin në orët e para të mëngjesit një sulm frontal me armikun.

Qëllimi ishte thyerja e kufirit shqiptaro-shqiptar, në mënyrë që armët dhe materialet logjistike që vinin nga Shqipëria mëmë të kalonin lirshëm për të furnizuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Komandant “Katana” bëhet pjesë e përjetësisë dy ditë më vonë, kur më 11 prill mbylli sytë duke rënë në betejë.

Për këtë tatuazh me ndjenja patriotike mbi shpinën e Dakut, duket se tifozët proserbë të klubit nga Moska janë të ndarë për afrimin e sulmuesit shqiptar në klubin e Spartakut.


Lajmi kryesor:

Zyrtare/ Mirlind Daku 'zbut' tifozët, prezantohet te Spartaku i Moskës! Kontratë tre vjeçare me pagë 2.5 milionë euro në sezon