Tensionet politike dhe raketat në Lindjen e Mesme po ndikojnë drejtpërdrejt edhe në futbollin ndërkombëtar. Situata e sigurisë në Katar ka vënë në alarm organizatorët e 'Finalissimas', CONMEBOL dhe UEFA, të cilët po monitorojnë me shqetësim zhvillimet e fundit në rajon. Nëse situata përkeqësohet, dy qytetet që po konsiderohen si organizatore të mundshme të finales janë Londra dhe Miami.

Londra shihet si opsioni me avantazhin më të madh logjistik dhe të sigurisë. Anglia konsiderohet një vend i qëndrueshëm dhe fakti që shumica e lojtarëve të kombëtares së Argjentinës dhe ata të Spanjës aktivizohen në Evropë do ta lehtësonte organizimin.

Kryeqyteti anglez ka edhe vlerë simbolike për argjentinasit pasi edicioni i parë i 'Finalissimas' u zhvillua pikërisht aty në vitin 2022, kur Argjentina mposhti Italinë 3-0 dhe Lionel Messi ngriti trofeun. Edhe nga ana e tifozëve, Londra konsiderohet zgjedhje ideale për shkak të aksesit më të lehtë nga Evropa.

Nga ana tjetër, Miami ofron përvojë të madhe në organizimin e eventeve sportive. 'Hard Rock Stadium' do të presë shtatë ndeshje të Kupës së Botës 2026 dhe ka organizuar edhe finalen e Copa America 2024.

Megjithatë, ekzistojnë disa shqetësime për opsionin amerikan, distanca e gjatë e udhëtimit për ekipet dhe fakti që ndeshja do të zhvillohej në një nga vendet e përfshira në tensionet aktuale, çka shton pasigurinë.

Për momentin, Katari nuk është përjashtuar zyrtarisht si organizator, por është e qartë se alternativat po analizohen seriozisht. Vendimi përfundimtar do të varet nga zhvillimet e sigurisë në ditët dhe javët në vijim. Më 27 mars është programuar finalja mes Spanjës dhe Argjentinës, e caktuar fillimisht për në Katar.