DIBËR, Peshkopi - Kategoria e Parë e futbollit në Shqipëri mbylli këtë të martë raundin e 17-të. Në stadiumin e Peshkopisë, vendasit e Korabit u mposhtën 0-1 nga Burreli. Supergoli i Erblin Kokës në minutën e 83-të të ndeshjes ishte deçiziv për miqtë e trajnerit Samuel Nikaj, të cilët me 23 pikë marrin vendin e gjashtë në renditje.
Përballja gjatë gjithë 90 minutave ishte me raste dhe e 'luftuar', por vetëm shtatë minuta nga fundi ndeshja 'u vulos' nga Koka. Në fushë nuk munguan përplasjet mes futbollistëve dhe tre kartona të kuq. Tensione edhe nga tribuna mes disa tifozëve vendas dhe stafit mik, edhe pse në distancë.
Taulant Marku i Korabit e mbylli ndeshjen më herët, teksa edhe Lleshaj e Gjikolaj për miqtë morën po karton të kuq. Tanimë Burreli me 23 pikë ngjitet në vendin e gjashtë, teksa Korabi me 20 pikë mbetet në vendin e nëntë.
Ky duel fillimisht ishte projektuar për të shtunën më 20 dhjetor, por u shty me 24 orë për shkak të mjegullës së dendur në Peshkopi. Edhe të diel kushtet atmosferike nuk ndryshuan dhe dueli u zhvillua pas katër ditësh (sot).
Renditja pas raundit të 17-të
Komente








