Në draftin e ri parashikohet gjithashtu lejimi i përgjimit për çdo vepër penale me dashje kur kryhet me anë të mjeteve të telekomunikimit ose përdorimit të teknologjive informatike. Në këtë kuadër, Kodi i ri rrëzon shkronjën “b”, të pikës 1 të nenit 221 të Kodit në fuqi, në të cilën parashikohej lejimi i përgjimit të personaleve, kur procedoheshin për kundërvajtjet penale të fyerjes e të kanosjes, të kryera me mjete të telekomunikimit. Në draftin e ri parashikohet gjithashtu që përgjimi i fshehtë fotografik, filmik ose me video i personave në vendet publike dhe përdorimi i pasjeve gjurmuese të vendndodhjes lejohet vetëm kur procedohet me krime me dënim me burgim jo më pak, në maksimumin se dy vjet.
Rrethi që do përgjohet
Përgjimi urdhërohet kundër të dyshuarit për kryerjen e një vepre penale, por edhe ndaj personit që dyshohet se merr ose transmeton komunikime nga i dyshuari, personit që merr pjesë në transaksione me të dyshuarin si dhe personit, vëzhgimi i të cilit mund të çojë në zbulimin e vendosjes ose identiteti të të dyshuarit. Veprimet e përgjimit mund të kryhen vetëm me anë të pajisjeve të instaluara në vende të caktuara, të autorizuara dhe të kontrolluara nga prokurori i rrethit.
Përgjimi pa autorizim
Kur ka arsye të bazuara për të menduar se nga vonesa mund t’i vijë një dëm i rëndë hetimeve, prokurori vendos përgjimin me akt të motivuar dhe njofton gjykatën menjëherë, por jo më vonë se njëzet e katër orë. Për kryerjen e përgjimit prokurori vepron vetë ose urdhëron oficerët e policisë gjyqësore. Kur njëri nga kushtet e përgjimit nuk ekziston më, oficeri i policisë gjyqësore njofton menjëherë prokurorin, i cili urdhëron ndalimin e përgjimit dhe në dijeni gjykatën, kur urdhri është dhënë nga gjykata. Kodi i ri i Procedurës Penale nuk parashikon që përgjimet parandaluese rregullohen me ligj të veçantë.
Organet që përgjojnë
Sipas ligjit, Shërbimi Informativ Shtetëror, shërbimet informative/policore të Ministrisë së Rendit Publik dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe çdo shërbim tjetër informativ/policor, i krijuar me ligj, kanë të drejtë të kërkojnë përgjimin, për të siguruar të dhënat e domosdoshme për realizimin e detyrave të tyre ligjore. Ndërkaq, Prokurori i Përgjithshëm ose, në mungesë të tij, prokurori i autorizuar prej tij, pas shqyrtimit të kërkesës me shkrim të Drejtorit të SHISH-it, Ministrit të Rendit Publik, Ministrit të Mbrojtjes ose Ministrit të Drejtësisë, miraton ose refuzon kërkesën për përgjimin e telekomunikimeve nëpërmjet pajisjeve të telekomunikacionit.
Redaksia Online
(A.N/Shqiptarja.com)