Në të njejtën kohë, në një zë të posaçëm, të krijuar vetëm tani, figuron edhe rimbursimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për kompaninë Kurum, blerësen e 4 HEC-eve, që nuk është pak, por 28.8 milionë euro. Kjo bën që në arkën e shtetit të kenë kaluar jo 110, por 85 milionë euro.
Kjo është shifra, me të cilën u shitën katër objekte të kompletuar e të modernizuar, që prodhojnë energji nga prurja e lirë e lumenjve, gati pa kosto të lëndës së parë, që janë në punë e sipër.
Pas shpalljes së kompanisë turke si fituese të tenderit, kjo e fundit nuk pranoi të derdhë në arkën e shtetit shifrën e blerjes, duke kërkuar nga shteti shqiptar që të respektonte ligjet në fuqi, që parashikojnë rimbursimin e TVSH-së së rimbursueshme.
Shifra prej 28.5 milionë eurosh tejkalon edhe fantazinë më të sëmurë, duke treguar një paaftësi profesionale dhe likuiditeti nga ana e administratës fiskale, fajtore që ka grumbulluar në vite një mal me borxhe.
Por, si Kurumi janë me dhjetëra kompani, të cilat prej vitesh presin më kot rimbursimin që u takon sipas ligjit, apo pagesën e faturave për punë të kryera në infrastrukturë, shuma që kalojnë 400 milionë eurot, sipas shoqatave të biznesit.
Më parë, gjatë procesit të privatizimit, deputeti i Partisë Socialiste Eduard Shalsi ka depozituar në prokurorinë e Tiranës një denoncim për vendimin e qeverisë për të shitur hidrocentralet e Ulzës, Shkopetit dhe Bistricës 1 e 2.
Sipas deputetit socialist, në shitjet e hidrocentraleve që ka bërë qeveria në një hark të shkurtër kohor është vërejtur një diferencë e madhe në çmim. Kështu, hidrocentrali i Lanabregasit iu shit pushtetit vendor me një çmim prej 3 milion euro për 1 megavat fuqi e instaluar, ndërsa Ulza, Shkopeti dhe Bistrica 1 e 2 ju shitën një kompanie private me një çmim prej 1.4 milion euro për 1 megavat fuqi e instaluar.
Nisur nga ndryshimi i çmimeve rezulton se me shitjen e 4 HEC-eve interesave të shqiptarëve u është shkaktuar një dëm ekonomik prej rreth 100 milion euro. Por kjo, ende nuk llogariste zbritjen e mëtejshme të çmimit, të shkaktuar nga rimbursimi.
Sipas Shalsit, ndërkohë që blerësi i HEC-eve do të ketë mundësinë që brenda 4 viteve të ketë marrë mbrapsht sasinë e parave të shpenzuara për blerjen e HEC-eve, shqiptarët do të paguajnë 4 herë më shumë nga çfarë paguajnë tani, që do të thotë që shqiptarët do të kenë në buxhetin e tyre 4 herë më pak para për shkolla, kopshte, çerdhe apo dhe asistencë sociale.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 20.06.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)