TIRANE- Kur janë mbushur 1 vit nga skandali i “privatizimit” të katër kishave të vjetra në zonën e Liqenasit të Korçës, gjykata e Tiranës ka prishur pjesërisht vendimin e AKKP që favorizonte privatët, dhe ti japë të drejtë Kishës Orthodhokse Autoqefale Korçë, vetëm për disa kisha, dhe jo për katër institucinet e kultit. Vendimi është marrë në muajin Dhjetor 2013, nga gjyqtarja Enkelejda Metaliaj, e cila pranoi pjesërisht padinë civile të bërë nga kisha, kundër vendimin të AKKP nr. 681 të datës 7 dhjetor 2012, i marrë nga ish-drejtuesit e këtij institucioni.

Pikërisht nëpërmjet këtij vendimi, katër kishat e vjetra si ajo e Shën Thanasit, Shën Mërisë, Shën Palit dhe Shën Gjergjit që ndodhen në Liqenas i kanë kaluar disa personave që pretendojnë pronësinë e tokës. “Privatizimi” i kishave, solli dhe reagimin e menjëhershëm të banorëve të zonës, të cilët nuk lejoheshin të kryenin predikimet dhe ritet fetare në kishë. Fill pas kësaj ka ardhur dhe reagimi i mitropolisë së Korçës, e cila vendosi të hapë një proces gjyqësor në gjykatën e Tiranës ku kërkor shfuqizimin e vendimit të mësipër të AKKP, kërkesë kjo e cila u pranua pjesërisht nga gjykata e kryeqytetit.

Pranim i pjesshëm
Megjithëse Mitropolia e Korçës i është drejtuar gjykatës së Tiranës për shfuqizimin total të vendimit të AKKP, gjykata ka pranuar kërkesën vetëm për disa kisha, dhe jo për të katra. Nuk dihet me saktësi se cila kisha do qëndrojë në pronësi të mitropolisë së Korçës, për shkak se ende vendimi civil i gjykatës së Tiranës nuk është zbardhur. Mësohet se pavarëisht këtij vendimi mitropolia do e apelojë atë në gjykatën e Apelit, për pranimin e plotë të padisë civile.

Objekti i padisë
Çështja civile, është regjistruar në 11 janar 2013 në Gjykatën e Tiranës, dhe kishte si objekt kundërshtimin dhe ndryshimin e vendimit nr. 681 datë 7.12.2012 të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë, duke njohur dhe kthyer kishat së bashku me trojet e tyre të Shën Thanasit, Shën Mërisë dhe Shën Palit me vendndodhje në fshatin Liqenas, si dhe pronësisë ish-kullotë dhe pyll të Kishës së Shën Gjergjit në fshatin Goricë e Vogël në Komunën Liqenas të rrethit Korçë me sipërfaqe 9500 m2, 8500 m2, dhe 10470 m2.

Të gjitha këto pasuri kanë qenë në emër të Kishës Ortodokse, por me një vendim në muajin dhjetor të vitit të kaluar këto pasuri u kanë kaluar disa personave, të cilët pretendojnë se dikur kanë qenë pronarë të këtyre pasurive. Nisur nga kjo situatë, ata kanë arritur të marrin pronat e tyre të pretenduara, por që në fakt kanë hasur në rezistencën e Kishës Ortodokse, e cila pretendon se trualli dhe objektet, kishat, të ngritura mbi sipërfaqet tokësore, kanë qenë prona të kishës që në momentin kur kanë ekzistuar si institucione kulti.


Shkrimi u publikua sot (05.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)