SHKODER - Gjykata e Shkodrës, në një seancë e cila ka zgjatur rreth tre orë, ka dhënë masën e sigurisë për katër të arrestuarit nga RENEA gjatë operacioni tre ditor, pas vrasjeve mafioze në kryeqendrën e veriut, ndërsa u sekuestruan edhe disa automjete luksoze të blinduara. 

Ilir Bajri, Erogen Vaso (Bajroviç) dhe Emer Plaku janë lënë në arrest me burg 30 ditor, deri në mbërritjen e ekspertimit të Prokurorisë për armët e sekuestruara. Ndërsa për Asmer Bilalin jepet masë "arrest shtëpie" i mbikëqyrur nga Policia e Shtetit. Akuzat e prokurorisë janë për armëmbajtje pa leje dhe grup të strukturuar kriminal. Por dy akuzat e ngritura nga prokurorja Esmeralda Ndoci duket se nuk kanë bindur gjyqtaren Irida Kaceri e cila ka lënë në burg tre nga katër të arrestuarit vetëm për akuzën e armëmbajtjeve pa leje.