Prishtina do të presë një nga emrat më të mëdhenj të muzikës pop në botë. Katy Perry është konfirmuar zyrtarisht si artistja kryesore e Sunny Hill Festival 2026, duke e kthyer edicionin e ardhshëm në një nga më të rëndësishmit në historinë e festivalit.

Lajmi u bë publik përmes një videoje të veçantë në rrjetet sociale, ku ylli shqiptar i muzikës Dua Lipa zhvillon një bisedë me këngëtaren amerikane. Gjatë video-telefonatës, Katy Perry zbulon se një nga ndalesat e turneut të saj veror në Europë do të jetë pikërisht Prishtina.

“Po udhëtoj në të gjithë Europën nga qershori deri në fund të gushtit”, thotë Katy Perry në video.

“A do të jesh diku ku mund të vij të të shoh?”, e pyet Dua Lipa.

“Do të jem në një vend që quhet Prishtinë”, përgjigjet Perry me buzëqeshje, përpara se të zbulojë se do të performojë në Sunny Hill Festival.

“Oh Zot, po vjen në qytetin tim të lindjes!”, reagon Dua Lipa, ndërsa Katy Perry e falënderon për ftesën dhe shprehet e emocionuar për takimin me fansat në Kosovë.

“Kam shumë fansa që mezi pres t’i takoj atje. Sigurisht edhe fansat e tu. A do të jesh aty?”, pyet Perry.

“Do të jem aty dhe do të këndoj çdo fjalë”, i përgjigjet Dua.

Kush është Katy Perry?

Katy Perry nuk është thjesht një emër i madh i muzikës pop. Ajo konsiderohet një nga artistet më të suksesshme të shekullit XXI, me një karrierë që ka prodhuar disa nga hitet më të njohura në botë. Këngë si “Roar”, “Firework”, “Dark Horse”, “California Gurls”, “Last Friday Night” dhe “Teenage Dream” kanë grumbulluar miliarda dëgjime në platformat muzikore dhe vazhdojnë të mbeten pjesë e kulturës pop globale.

Artistja amerikane është pjesë e elitës së “Billions Club” në Spotify, ndërsa ndikimi i saj në rrjetet sociale është po aq mbresëlënës. Me mbi 200 milionë ndjekës në platformat e ndryshme, Perry mbetet një nga figurat më të ndjekura dhe më me ndikim në industrinë e argëtimit.

Pikërisht për këtë arsye, organizatorët e Sunny Hill vlerësojnë se prania e saj në Prishtinë do të sjellë vëmendje të jashtëzakonshme mediatike për Kosovën dhe festivalin.

Çfarë pritet nga Sunny Hill Festival 2026?

Sunny Hill Festival është kthyer prej vitesh në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në Europën Juglindore. I themeluar nga Dua Lipa dhe familja e saj, festivali ka sjellë në Kosovë emra të mëdhenj të muzikës ndërkombëtare dhe ka kontribuar ndjeshëm në promovimin e vendit si destinacion turistik dhe kulturor.

Sipas organizatorëve, ndikimi ekonomik i festivalit në ekonominë vendore vlerësohet të kalojë 20 milionë euro për çdo edicion. Po ashtu, mbulimi mediatik dhe promovimi ndërkombëtar që gjeneron festivali për Kosovën llogaritet në qindra miliona dollarë çdo vit.

Edicioni i vitit 2026 pritet të jetë më i madhi që është organizuar ndonjëherë. Krahas Katy Perry, në skenën e Sunny Hill Festival do të ngjiten edhe emra të njohur të muzikës elektronike dhe asaj alternative si Keinemusik, Adam Port, Rampa, Pawsa, Seth Troxler, Carlita dhe Manifest.

Organizatorët kanë bërë të ditur se lista e artistëve do të vijojë të zgjerohet gjatë javëve në vazhdim, duke premtuar një program që do të kombinojë yjet më të mëdhenj ndërkombëtarë me artistët më të spikatur nga Kosova dhe rajoni.

Sunny Hill Festival 2026 do të zhvillohet nga 31 korriku deri më 2 gusht në Prishtinë. Katy Perry do të performojë në natën e parë të festivalit, ndërsa mijëra fansa nga Kosova, Shqipëria, rajoni, Europa dhe Shtetet e Bashkuara pritet të mbërrijnë në kryeqytetin kosovar për një fundjavë që premton muzikë, spektakël dhe energji në përmasa globale.