KAVAJE - Një ngjarje tragjike është shënuar mëngjesin e sotëm në Kavajë, ku një automjet ‘Toyota Corolla’ me targë AA686OL ka dalë nga rruga dhe ka përplasur njerëzit në anë të saj, duke iu marrë jetën dy anëtarëve të një familje. Viktima të këtij aksidenti kanë mbetur vjehrri dhe nusja, Xhemil dhe Edlira Pisku, të moshës 69 dhe 34 vjeçe, me banim në Golem.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur te 'Mali i Robit', ku ka mbetur i plagosur edhe fëmija 8-vjeçar që ishte me viktimat, i cili është nisur me urgjencë drejt Spitalit të Traumës, në Tiranë. Burime nga spitali bëjnë me dije për Report Tv se i mituri ka një çarje të thellë në kokë dhe për pasojë do t'i nënshtrohet operacionit ditët në vijim. 8-vjeçari ka pësuar dëmtime të shumta në pjesën e kokës.

Ngjarja u shoqërua me mistere lidhur me faktin se kush ishte drejtuesi i automjetit të aksidentit, një makinë tip "Toyota Corolla". Halil Koka ka tentuar t'i hedhë fajin partneres së tij Ilda Parroj se ishte ajo në timon, por një dëshmitar që ka parë aksidentin i ka thënë policisë se drejtues i automjetit ishte një djalë. Dëshmi kjo e cila ndryshon krejtësisht rrjedhën e hetimit. 

[gallery]25643[/gallery]
Zbulohet mashtrimi/Si tentoi Halil Koka t'i hedhë fajin partneres
Mistere kanë shoqëruar këtë ngjarje të rëndë sa i takon drejtuesit të automjetit "Toyota". Fillimisht përgjegjësinë e aksidentit si drejtuese të automjetit e ka marrë Ilda Parroj, 30-vjeçe ndërsa në automjet ndodhej edhe partneri i saj Halil Koka, patenta e të cilit ishte e pezulluar nga policia. 30-vjeçarja, pak çaste pas aksidentit i tha uniformave blu se ishte ajo në timon, por pas ekspertizës nga grupi hetimor dhe marrjes në pyetje në polici, ajo ka ndryshuar dëshminë, ndërsa Halil Koka ka marrë përgjegjësinë e aksidentit.

Gjithçka ka ndryshuar rrjedhën e hetimit pas dëshmisë së një qytetari që ka parë aksidentin. Ai i ka thënë policisë se në drejtimin e automjetit ishte një djalë. Pas konfuzioneve nga Parroj e cila mori përgjegjësinë e aksidentit se ishte ajo në timon dhe dëshmisë së qytetarit, policia i mori në pyetje veçmas Kokën dhe Parrojn në Policinë e Kavajës.

Në dhomat e ndara të policisë, vajza ka pranuar se kishte mashtruar, pasi sipas saj, ka qenë Halil Koka ai që i ka kërkuar të marrë përgjegjësinë e aksidentit pasi ai do paguante për ta nxjerrë nga policia. Pas kësaj dëshmie të Ilda Parroj, policia ka marrë në pyetje Halil Kokën të cilin e ka vënë përballë dy dëshmive, qytetarit dhe shoqërueses së tij. I gjendur përpara dy të dhënave kokëforta, Halil Koka ka pranuar se ka qenë ai në drejtimin e automjetit tip "Toyota Corolla". Shoqëruesja e tij Ilda Parroj do akuzohet për dëshmi të rreme. 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

[gallery]25642[/gallery]
Kjo është ngjarja e tretë e rëndë brenda kësaj jave, ku më 22 shkurt një tjetër askident tronditi qytetin e Durrësit, duke iu marrë jetën dy personave, ndërsa mbrëmjen e të dielës një tragjedi në Velipojë shënoi katër viktima, ku u shua gjithë familja Preka, babai me tre fëmijët.

Njoftimi i policisë për ngjarjen: 

Ne vijim të punës hetimore, Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë në bashkëpunim me Prokurorine kanë arrestuar në flagrancë drejtuesin e mjetit tip "Toyota" shtetasin Halil Koka, 40 vjeç, banues në Durrës.

 

Pas disa veprimeve hetimore, shërbimet e Policisë kanë dokumentuar se ishte ky shtetas drejtuesi i mjetit që shkaktoi aksidentin rreth orës 07:40 tek Mali i Robit, ndërsa shtetasja I.P., rezultoi se ishte pasagjere në këtë mjet, megjithese në deponimet e para në vendngjarje deklaroi se e drejtonte ajo mjetin kur ndodhi aksidenti. Materialiet do t'i kalojnë Prokurorisë pranë Rrethit Gjyqësor Kavajë për veprime të mëtejshme.

aksidenti mali robit golem

(Makina e përmbysur pasi shkaktoi aksidentin)

d.c-l.q/shqiptarja.com