KAVAJË - Një person i shumë kërkuar nga policia italiane është vënë në pranga në Kavajë. Burime nga Policia e Tiranës thanë se, gjatë operacionit të koduar “Mjegulla”, është vënë në pranga Agron Arapi, 32 vjeç.

Burime nga policia kanë bërë të ditur se, 32-vjeçari Arapi ishte dënuar në mungesë me 13 burg në Itali, për trafik droge. Mësohet se ai prej disa muajsh qëndronte në Kavajë.

Policia e Tiranës tha se, ky person ishte i kërkuar nga Zyra Kombëtare e Interpol Tirana, mbi bazën e kërkimit, të shpallur nga Interpol Roma. Me vendim të datës 9 nëntor 2010 të Gjykatës së Apelit Milano, Arapi ishte dënuar me 12 vjet e 6 muaj burg për kryerjen e veprës penale të “trafik droge”.
 
Për kapjen e këtij personi ishte bërë një plan masash i detajuar, me qëllim marrjen e informacineve të sakta për vendodhjen dhe kapjen e tij. Nga informacionet e marra dhe pas punës së bërë, ky person është kapur në fshatin Golem të Kavajës.
 
Nga ana e komisariatit të policisë Kavajë u bë ekzekutimi i këtij vendimi dhe u përgatiten materialet proçeduriale për veprimet të mëtejshme.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)