KAVAJE- Plumba në mes të qytetit mbi koordinatorin e Bamir Topit në Kavajë. Një konflikt i vjetër duket se është rikthyer në Kavajë, duke shënuar një të plagosur. Fatbardh Belba është plagosur nga shtetasi Durim Agaj, si pasojë dhe si përgjigje e një konflikti të nisur që në vitin 1994. Kryetari aktual i partisë "Fryma e Re Demokratike" në Kavajë, Fatbardh Belba është plagosur në orët e para të mëngjesit në një lokal në qendër të qytetit.

Burime të policisë thanë së një 45-vjeçar në Kavajë ka mbetur i plagosur, si pasojë e një konflikti të vjetër të vëllait të tij. Sipas të njëjtave burime të policisë, Fatbardh Belba është qëlluar me armë zjarri dhe është plagosur në këmbë, ndërsa është bërë i mundur dhe identifikimi i autorit të kësaj ngjarje. Belba, njofton policia, ka qenë duke pirë kafe në një lokal në momentin kur personi tashmë i identifikuar si autori i kësaj ngjarje Durim Agaj, e ka qëlluar me armë zjarri. Pak orë pas ngjarjes, policia e Kavajës bëri të mundur dhe identifikimin e autorit të dyshuar. Sipas saj ai është shtetasi Durim Agaj, 40 vjeç, i cili është shpallur në kërkim. Plagosja e shtetasit Fatbardh Belba, sipas policisë, ka si objekt një konflikt të vjetër mes dy familjeve.

PERPLASJET

Duket se është një histori e gjatë konflikti dhe inati i shtuar me kalimin e viteve ai mes vëllezërve të fisit Belba dhe vëllezërve të fisit Agaj. Gjithçka ka patur pikënisjen në vitin e largët 1994, kohë kur i plagosuri i djeshëm, Fatbardh Belba ka qenë efektiv policie në Kavajë. Duket se në këtë periudhë mes dy familjeve kanë nisur disa mosmarrëveshje dhe përkatësisht vëllai i Fatbardhit dhe vëllai i Durim Agajt janë grushtuar me njëri tjetrin gjatë një debati në qytet. Pas këtij episodi palët kanë bërë fillimisht përpjekje të negociojnë dhe të zgjidhin sherrin mes tyre por gjithçka ka precipituar në kohën kur Fatbardh Belba, asokohe efektiv policie ka goditur me pistoletë dhe ka plagosur vëllain e Durimit, shtetasin Ilir Agaj. "Ishte një situatë e cila ka ndodhur në vitin 1994, ku palët kanë shkuar për tu sqaruar por më pas janë zënë edhe më keq. Në këtë moment Fatbardhi ka nxjerrë pistoletën dhe ka plagosur të vëllanë e autorit, vëllanë e Durim Agajt. Pas kësaj ngjarje familjet kanë qëndruar në distancë me njëra tjetrën dhe tensioni gjithnjë ka qenë prezent", - tha dje për Shqiptarja.com një efektiv i policisë së Kavajës. Nga ana tjetër mësohet se përgjatë 19 viteve nga episodi i plagosjes së parë vëllezërit e të dyja familjeve nuk kanë patur episode të tjera të konfrontimit por tensioni ka qenë gjithnjë prezent. "Nuk është se kanë patur të tjera përplasje por siç dihet në qytetet e vogla armiqësitë ndodh që mbeten edhe pas shumë vitesh dhe inatet apo fjalët vazhdojnë edhe pse ka shumë kohë apo shumë vite që kur ka ndodhur një përplasje", - sqaruan dje efektivë të policisë së Kavajës. Në fakt duket se kjo gjë ka rezultuar e vërtetë, pasi dje Durim Agaj ka pritur momentin e përshtatshëm dhe pa rënë në sy i është afruar koordinatorit të FRD-së Fatbardh Belba dhe pa asnjë paralajmërim e ka goditur atë me dy plumba, një në shpatull dhe një në këmbë. Policia e qytetit të Kavajës tha dje se është vetë i plagosuri ai që ka zbuluar identitetin e atentatorit të tij gjatë kohës që ëhstë pyetur nga agjentët në spitalin ku po merrte dhe mjekimin e nevojshëm.

(Shkrimi u publikua sot ne Shqiptarja.com)

(sg/shqiptarja.com)