Kapiteni indian i avionit të Flydubai, i cili u godit me thikë nga bashkëpiloti i tij ka treguar momentet dramatike ku rrëfeu se edhe pse ishte i plagosur ka mundur të hapi derën e kabinës për të lejuar pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit të hynin dhe të ndalonin sulmuesin. 

Machchhar tha se ishte në dysheme dhe ende po sulmohej kur kuptoi se avioni, që transportonte më shumë se 170 pasagjerë, po humbiste lartësi dhe se duhej të bënte diçka.

“Po qëndroja i shtrirë në dysheme, i plagosur, por i thashë vetes të bëja edhe një përpjekje të fundit për ta hapur derën nga brenda”, tha ai në një videotelefonatë me kryeministrin indian Narendra Modi.

“Të tjerë hynë brenda dhe morën në kontroll situatëm. Sigurisht që po luftoja për jetën time, por në të njëjtën kohë e dija se nuk do të lejoja që të tjerët të vdisnin”, shtoi ai.

Fluturimi FZ1073 i Flydubai, i cili po udhëtonte drejt Tel Avivit nga Dubai herët të mërkurën në mëngjes, humbi më shumë se 17,000 këmbë (5,200 metra) lartësi rreth dy orë e gjysmë pas nisjes.

Pasi pasagjerët e tjerë e mposhtën sulmuesin, dy pilotë rezervë, të cilët ndodheshin në bord, e ulën avionin në mënyrë të sigurt në aeroportin e Tabukut, në veriperëndim të Arabisë Saudite, në orën 06:58 sipas kohës lokale.

Ndërkohë Emiratet e Bashkuara Arabe kanë nisur një hetim nëse incidenti ishte i lidhur me ndonjë aktivitet ose qëllim terrorist, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve të vendit.