Zgjedhjet e pjesshme vendore, fushata nis më 19 shkurt! Celibashi: Do kushtojnë 180 mln lekë, Vora votim elektronik! Berisha duhet të sjellë vërtetim nga gjykata nëse do kandidojë me logon e PD

Zgjedhjet e pjesshme vendore në 6 bashki në vend do të kushtojnë 180 milionë lekë. Shifra u bë me dije sot nga Kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, i cili, në një konferencë për shtyp, dha detaje për procesin e zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit. Celibashi theksoi se po punohet që në të 6 bashkitë, identifikimi i zgjedhësve të bëhet në mënyrë elektronikë, ndërsa votimi elektronik mund të aplikohet vetëm në Vorë. Celibashi tha se për këtë të fundit po diskutohet me partitë, megjithatë theksoi se nuk ka ndonjë pengesë.

"Kemi bërë një vlerësim paraprak të kostove, por jemi akoma duke punuar, në fund të ditës së sotme do e përfundojmë. Janë rreth 180 mln lekë kosto e zgjedhjeve. Po punojmë që të aplikohet identifikimi elektronik i zgjedhësve. Në konsultim me partitë do vendosim në lidhje me aplikimin e votimit elektronik në Vorë. Qëllimi ynë është që ta aplikojmë sistemin e votimit elektronik edhe në zgjedhjet e bashkisë Vorë. Por do ta konsultojmë me partitë politike, por nuk shoh ndonjë pengesë për ta bërë. Sot apo maksimumi nesër para dreke do kalojmë aktet me përcaktimin e afateve për regjistrimin e subjekteve zgjedhore. Në ligj janë dy afate të përcaktuara, 25 janari që lidhet me hartimin e listës së zgjedhësve nga Gjendja civile dhe 27 janari që lidhet me miratimin dhe shpalljen e tyre nga ata që po kryejnë detyrën e kryetarëve të bashkive", tha ai.

I pyetur se kë do të regjistrojë KQZ në zgjedhje, Lulzim Bashën apo Sali Berishën, Celibashi tha se nëse ish-kryeministri kërkon që të propozojë emra që do të kandidojnë me logon e Partisë Demokratike, i duhet një vërtetim nga gjykata, duke lënë të kuptohet se njeh Lulzim Bashën si kryetar, pasi gjykata e Tiranës atë njeh zyrtarisht. Për Celibashin, kjo është një çështje e përcaktuar mirë nga ligji dhe në momentin që do të filloj regjistrimi i partive, do të ketë një përgjigje zyrtare.

‘Partia që kërkon të regjistrohet duhet të paraqesë një sërë dokumentesh, një prej tyre nga gjykata e Tiranës që përmban të dhënat mbi partinë politike, përfshirë emër, organet drejtuese, organet kompetente për të mbajtur marrëdhëniet me të tretët. Kështu që nuk është një çështje e komisionit është një çështje e përcaktuar mirë nga ligji dhe në momentin që do të fillojë procesi i regjistrimit të partive, ju do të merrni dijeni mbi partitë që regjistrohen dhe përfaqësuesit e tyre. Deri në momentin që flasim nuk kemi asnjë komunikim me asnjë parti, por sikur e thashë, natyrshëm mund të them diçka, por duhet ta kem sjelljen korrekte, institucionale, dhe vetëm për këtë shkak nuk kam droje për të dhënë opinionet e mia. Kur të paraqiten kërkesat për regjistrimin e partive, do të jetë përgjigja e pyetjes suaj, që në një lloj mënyre ajo mund të jetë e ditur edhe tani, si për ju edhe për mua’, tha Celibashi.

Celibashi ka dhënë detaje për KZAZ-të, Qendrat e Votimit dhe numrin e zgjedhësve. Ai u shpreh se në total janë 13 KZAZ dhe 940 qendra votimi në të 6 bashkitë.

"Në Shkodër janë 4 KZAZ, 166983 zgjedhës në listë dhe janë 250 qendra votimi. Në Vorë është 1 KZAZ, 44 qendra votimi dhe 30053 zgjedhës. Në Rrogozhinë është 1 KZAZ, 53 qendra votimi dhe 31996 zgjedhës. Në Lushnjë janë 2 KZAZ, 157 qendra votimi dhe 104200 zgjedhës. Në Durrës janë 4 KZAZ, 335 qendra votimi dhe 258633 zgjedhës", tha Celibashi.

Në vendimin e KQZ thuhet se bashkitë në të cilat do të kryhen zgjedhjet e pjesshme dhe institucionet e tyre të varësisë janë të detyruara të raportojnë në KQZ të gjitha veprimtaritë me karakter publik që planifikojnë të zhvillojnë në periudhën 31 Janar 2022 deri më datë 06 Mars 2022.

Sipas KQZ fushata zgjedhore për zgjedhjet e pjesshme vendore për kryetar bashkie në bashkitë Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnjë fillon në datën 19 Shkurt 2022. Partitë politike duhet të paraqesin kërkesën në KQZ për regjistrim si subjekte zgjedhore, për zgjedhjet e pjesshme nga data 28 deri 31 janar 2022.

Sipas njoftimit, koalicionet zgjedhore duhet të paraqesin kërkesën për regjistrimin si koalicion për zgjedhjet e pjesshme për kryetar, në KQZ brenda 24 orëve nga miratimi i të gjitha kërkesave për regjistrimin e partive politike dhe komiteteve nismëtare. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miraton kërkesën për regjistrim si koalicion brenda 24 orëve.

Ditën e djeshme, Presidenti Ilir Meta dekretoi 6 marsin si datën për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme lokale në 6 bashki, përkatësisht në Durrës, Shkodër, Rrogozhinë, Lushnje, Vorë dhe Dibër.

M.Q./K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Policia sposton protestuesit nga Bashkia e Tiranës! Nis qarkullimi i mjeteve

Policia sposton protestuesit nga Bashkia e Tiranës! Nis qarkullimi i mjeteve