Report Tv ka siguruar dosjen për hetimet për tenderin e Unazës së Madhe, për të cilën SPAK ka vënë nën hetim Belinda Ballukun. Bisedat e saj me Berberin, në dosjen të cilën Report Tv e disponon, tregojnë se të koordinonin jo vetëm paracaktimin e fituesve, por edhe publikimin e njoftimeve për fituesit e tenderëve për lotet e Unazës së Madhe. Komunikimet e datës 1 tetor 2021, pak para se të shpallej fituesi për lotin 4 të Unazës së Madhe, zbulojnë ndërhyrjet e drejtpërdrejta të ministres për kohën se kur duhej të dilte njoftimi. Më datë 1 tetor, Balluku i shkruan Berberit që të bëhen gati për të hënën që të shpallet fituesi. “A do ti nxjerrësh ne darke sot? Shume mire Por do te te them", i shkruan Balluku.

Po, Balluku duket se ndihet e “pasigurt” dhe e udhëzon Berberin që ta shtyjë shpalljen e fituesit për të mërkurën. “Te mërkurën, ikni shijoni fundjavën! Merruni me pune serioze. Ke nje plehre aty qe flet".

Më datë 5 tetor, Berberi i shkruan Ballukut se emisioni investigativ Stop i ka kërkuar informacion për procedurat për lotin 1 të Unazës së Madhe. Balluku i shkruan "Të plasi trapi Bej punën dhe zbato ligjin Kur te te vi ty afati i përgjigjes, do kesh mbaruar me procedurat. Nesër publikoji te gjitha ne darke`.

Të nesërmen, në datën 06.10.2021, në orën 20:03, në sistemin elektronik të prokurimit është përfunduar vlerësimi i ofertave të operatorëve ekonomikë nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, për procedurën e prokurimit me objekt "Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4".

Pjesë nga dosja

Në datën 01.10.2021, në orën 10:47, shtetasja Belinda Balluku i dërgon shtetasit Evis Berberi mesazhin "Behu gati per unazat te henen ne mengjes". Në orën 10:48, Evis Berberi: "Njoftimin? Apo inspektim". Në orën 10:48, Belinda Balluku: "Njoftimin more". Në orën 10:48-10:49, Evis Berberi: "Jo sot ne darke? Ska ndryshim?". Në orën 10:49, Belinda Balluku: "A do ti nxjerresh ne darke sot? Shume mire Por do te te them". Në orën 10:50, Evis Berberi: "Ok po pres po mé duhen 3 ore kohe nese ka ndryshime". Në orën 10:52, Belinda Balluku: "Asnje ndryshim". Në orën 10:52, Evis Berberi: "Ok". Në orën 10:52, Belinda Balluku: “Thjeshte te bej kengen Por jam ne kukes". Në orën 16:12 Evis Berberi: “Unazat nga ora 10 e darkes". Në orën 21:18, Evis Berberi: "Te vazhdojme apo te presim per neser". Në orën 21:31-21:32, Belinda Balluku: "Jo, te mërkurën Ikni shijoni fundjavën Merruni me pune serioze Ke nje plehre aty qe flet". Në orën 21:33, Evis Berberi: "Cfare ka dale Ok te merkuren".

Në datën 05.10.2021, në orën 12:50, shtetasi Evis Berberi i dërgon shtetases Belinda Balluku mesazhin "Ka ardhur Stop dhe kerkon informacion per proceduren e prokurimit Loti 1 (Shqiponja). I thame bej kerkese me shkrim te marresh pergjigje e beri,kerkojne te dine nese eshte shpallur fituesi, ka pasur ankesa, nese nuk eshte shpallur pse jo? Ben dhe nje kronike jashte dhe iken". Në orën 12:50-12:51, Belinda Balluku: "Te plasi trapi Bej punen dhe zbato ligjin Kur te te vi ty afati i pergjigjes, do kesh mbaruar me procedurat Neser publikoji te gjitha ne darke`.


Lajmi kryesor:

DOSJA e Unazës së Madhe/ Balluku i imponon ortakun biznesmenit të lidhur me Berishën! Urdhër Berberit: Bëja të qartë, tenderin e fiton vetëm me ‘EUT’-në! Kriteret si ‘kostum’ për fituesit