Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka dhënë një deklaratë sa i takon fondeve të pezulluara nga KE për bujqësinë. Sipas Bashës, paratë nuk kanë shkuar tek fermerët por për vilat luksoze për klientët e qeverisë. Basha shkruan se Partia Demokratike do të kërkojë ngritjen e një Komisioni Hetimor. 

“PD do kërkojë ngritjen e Komisioni Hetimor për korrupsionin me fondet IPARD, paratë nuk shkuan te fermerët por për vila luksoze për klientët e qeverisë

Nuk është hera e parë që propagandës dhe retorikës shtinjake i del boja. Kur arritjet imagjinare ndeshen me faktet, duket qartë se e vetmja gjë që ka ndërtuar Edi Rama është një shtet i të korruptuarve.

Kështu ka ndodhur me mega-aferën e Inceneratorëve, kështu po ndodh me fondet e Bashkimit Europian për bujqësinë.

Vendimi i Brukselit për pezullimin e granteve të programit IPARD tregon makutërinë e kësaj qeverie, që abuzon edhe me fondet e BE-së, duke lënë në mëshirë të fatit fermerët e ndershëm të këtij vendi, për të favorizuar klientët e zakonshëm që me këto fonde ndërtojnë vila në komplekset luksoze të bregdetit.

Për këtë skandal që nxiu faqen e Shqipërisë përpara partnerëve europianë dhe që pengon rrugëtimin tonë drejt BE-së, Partia Demokratike do të kërkojë ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për të zbardhur shpërdorimin e fondeve për bujqësinë dhe për të garantuar transparencën që qytetarët meritojnë.

Lufta e pakompromis ndaj korrupsionit dhe fundi i pandëshkueshmërisë në nivelet e larta të politikës janë prioritete të Partisë Demokratike, arritja e të cilave garanton ndryshimin që shqiptarët presin.”- shkruan Basha.

Vendimi i KE-së u mor  “bazuar në informacionin fillestar të dhënë nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit [OLAF], pas një hetimi mbi akuzat për korrupsion në lidhje me zbatimin e programit IPARD II”, bëri të ditur dje Delegacioni i BE-së në Tiranë, duke saktësuar se kjo është një “masë parandaluese për mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Europian”. IPARD II (2014-2020) ofroi një mbështetje totale prej 71 milionë eurosh nga të cilat 25 përqind janë financuar nga qeveria shqiptare.