Komisioni Evropian ka propozuar të mërkurën hedhjen në përdorim të “pasaportës së gjelbër për COVID-19”, përmes së cilës synohet lehtësimi i lëvizjes së njerëzve brenda Bashkimit Evropian, në kohën e pandemisë.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, tha se gjatë paraqitjes së këtij propozimi se synimi është që të mundësohet lëvizja e lirë e njerëzve dhe kjo është e mundur në afat të gjatë vetëm përmes vaksinimit gjithëpërfshirës.
“Cili është funksioni i kësaj çertifikate? Ajo tregon … nëse personi është vaksinuar , një test negativ të kohëve të fundit ose është rikuperuar nga Covid dhe kështu ka antitrupa,” tha ajo një konference shtypi.
Komisioni Evropian ka sqaruar se këto pasaporta do të kenë tri elemente, të cilat do të duhej të ishin të mjaftueshme për të mundësuar lëvizjen e njerëzve: 1- vërtetimin për vaksinim kundër COVID -19, 2-vërtetimin për test negativ dhe 3-vërtetim se personi është shëruar nga virusi.
Të gjitha këto pasaporta duhet të përfshijnë edhe të dhënat për datën e vaksinimit apo testimit, emrin e institucionit që e ka bërë testin apo vaksinën, emrin e vaksinës dhe afatin e vërtetimit.
Për momentin, sipas sqarimeve të Komisionit Evropian, pasaportat duhet të lëshohen në të gjitha vendet e BE-së si dhe shtetet e zonës Shengen, të cilat nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian.
Komisioni Evropian ka nënvizuar se edhe shtetasit e huaj, me qëndrim në BE, kanë të njëjtat mundësi dhe të drejta për t’u pajisur me pasaporta.
Sa u përket pasaportave të lëshuara nga shtetet tjera jo anëtarë të BE-së, ato do të shqyrtohen nga Komisioni më vonë në bazë të standardeve, të cilat i kanë aplikuar ato vende, por që kusht mbetet njohja e vaksinave nga EMA.
Për momentin, pasaportat për vaksinim që do të vlejnë në tërë territorin e BE-së, të cilat vërtetojnë se personi është vaksinuar me njërën prej vaksinave, të cilat janë miratuar për përdorim në tregun e BE-së.