Komisioni Evropian ka refuzuar ankesën e Republikës së Kroacisë për vendosjen e Bosnjes dhe Hercegovinës në listën pozitive për eksportimin e qumështit dhe produkteve të qumështit në Bashkimin Evropian, ka konfirmuar  Mirko Sharoviç, zëvendës-kryesuesi i Këshillit të Ministrave dhe Ministri i Tregtisë së Jashtme dhe Marrëdhënieve Ekonomike të Bosnjë-Hercegovinës. 

Ministri Sharoviç ka konfirmuar se kjo do të thotë se që nga nesër, qumështi dhe produktet e qumështit nga Bosnja dhe Hercegovina mund të eksportohen në Bashkimin Evropian.  

"Kjo është provë se kemi pasur të drejtë duke pasur parasysh se kërkesa e Kroacisë nuk ka qenë e themeluar dhe për arsye se Bosnja dhe Hercegovina ka përmbushur kushte për eksportimin e qumështit në BE", ka thënë Sharoviç. 

Republika e Kroacisë një ditë para hyrjes në fuqi të vendimit për eksportimin e qumështit dhe produkteve të qumështit në BE, më 26 gusht, paraqiti ankesë, duke e bllokuar eksportimin e produkteve të qumështit të katër qumështorëve më të mëdha të BeH në Union.

Zyrtarët e Bosnjes dhe Hercegovinës pas ankesës së Kroacisë kanë kërkuar reagim të Komisionit Evropian. Me atë rast ministri Mirko Sharoviç kishte pohuar se nuk është fjala për mospërmbushjen e kushteve për eksport, por frika e konkurrencës së qumështit të BeH në tregun kroat.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)