BRUKSEL– Asnjë vend anëtar i BE-së nuk ka kërkuar deri tani ndërprerjen e lehtësimit të vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor, njoftoi sot Komisioni Europian. 

”Nuk ka asgjë për t’u shënuar në tre javët e fundit”, theksoi Michele Cierchone, zëdhënës i komisioneres së Bashkimit Europian për Cështjet e Brendshme, Cecilia Malmstrom. 

Sipas ATSH, mekanizmi i cili parashikon ndërprerje të përkohshme të regjimit pa viza për vendet nga të cilat mbërrijnë azilantë të rremë, hyn në fuqi nesër.

Cierchone theksoi se disa vende, në mesin e të cilave edhe Gjermania, janë të shqetësuara për shkak të keqpërdorimit të të drejtës për azil nga ana e qytetarëve të Serbisë, Maqedonisë dhe Bosnjes, por procedura formale për rivendosjen e vizave nuk kanë filluar në asnjë rast. 

Nëse vlerësohet se rivendosja e vizave është mënyra e vetme për zgjidhjen e kësaj çështjeje, komisioni si masë të fundit mund t’ia rekomandojë Këshillit Evropian që ajo të zbatohet.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)