Komisioni Evropian me anë të një deklarate i bën thirrje Kosovës që të rigjallërojë procesin e reformave, duke përfshirë forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të marrë masat e duhura për rimëkëmbjen ekonomike në përputhje me pritjet e qytetarëve të Kosovës.
Në një njoftim të shpërndarë për mediat zyra e BE-së në Kosovë, bën me dije se është zhvilluar takimi i katërt i Komitetit për Stabilizim-Asociimit mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës, më 15 tetor.
Takimi u kryesua nga Genoveva Ruiz Calavera, drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në drejtorinë e përgjithshme të Komisionit Evropian për Politikën e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, dhe Artan Çollaku, drejtor i Departamentit për Koordinim të Procesit të Stabilizim-Asociimit në Zyrën e Kryeministrit, nga Qeveria e Kosovës.
“Komiteti për Stabilizim-Asociim diskutoi zhvillimet kyçe politike të kohëve të fundit dhe mori në konsideratë gjendjen në lidhje me kriteret ekonomike, përafrimin me legjislacionin dhe standardet e BE-së, bashkëpunimin financiar, si dhe zbatimin e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim (MSA). Takimi vlerësoi dhe aprovoi rezultatet e shtatë takimeve nën-komiteteve dhe të një takimi të Grupit të Posaçëm, të cilat ishin mbajtur gjatë vitit të kaluar. Gjatë diskutimeve, u vlerësua përparimi në fushat përkatëse të Agjendës së Reformave Evropiane dhe Programit të Reformave Ekonomike, të cilat luajnë një rol të rëndësishëm në udhëheqjen e përpjekjeve të Kosovës për reforma dhe zbatimin e MSA-së në fusha të tilla si qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit, konkurrueshmëria dhe klima e investimeve, si dhe punësimi dhe arsimi”, thuhet në deklaratë.
Ndër të tjera në këtë reagim thuhet se takimi diskutoi prioritetet e reformave në fusha që përfshijnë sundimin e ligjit dhe reformat gjyqësore, respektimin e të drejtave themelore, reformën e administratës publike dhe reformat ekonomike.
“Në këtë drejtim, Komisioni mirëpriti lansimin e një faze të dytë të Agjendës së Reformave Evropiane (ARE), dhe u shpreh se është në pritje të Planit të Veprimit përkatës të qeverisë. Komisioni e inkurajoi qeverinë që të angazhohet me të gjitha partitë politike në Kuvend, përfshirë nga opozita, në mënyrë që të ndërtohet konsensusi politik për vendimet që lidhen me zbatimin e MSA-së dhe Agjendës së Reformave Evropiane, si dhe për dialogun Beograd-Prishtinë”, theksohet.
Në takim u theksua rëndësia e përafrimit me standardet më të mira të BE-së në sektorët kyç, veçanërisht në lidhje me sundimin e ligjit, reformën e administratës publike, zhvillimin ekonomik, tregun e brendshëm, arsimin, energjinë dhe mjedisin. Komisioni nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit makro-fiskal.