Një Traktat Anëtarësimi, dokumenti final i rrugës së integrimit në Bashkimin Evropian, pritet të nisë hartimin brenda vitit 2027, për t’iu vënë në tavolinë Shqipërisë nga Brukseli. Plani është në një dokument zyrtar të Bashkimit Evropian, udhërrëfyesin për Shqipërinë i Komisionit Evropian.

Në dokumentin 2-faqësh, ku janë të përcaktuara afate konkrete për anëtarësimin e Shqipërisë, Komisioni i rekomandon Këshillit të BE-së të nisë draftimin e Traktatit për Tiranën, ndërkohë që në dispozicion do të vendoset edhe një paketë e posaçme financiare. Për këtë Shqipëria duhet të plotësojë angazhimet e saj, duke nisur me implementimin e legjislacionit të Bashkimit Evropian.

Komisioni i ka të ndarë në 3 periudha konkrete dhe të qarta mbylljen e negociatave për Tiranën. Në dokument parashikohet që Shqipëria të mbyllë deri në dhjetor 2027 të gjithë 31 kapitujt e mbetur të negociatave, 6 brenda këtij viti, 10 në 6 muajt e parë të vitit të ardhshëm dhe 15 të fundit në fund të 2027-s.

Në këto dy muaj të mbetur të vitit 2026, Shqipëria duhet të bëjë detyrat për fusha që nisin nga e drejta e pronësisë intelektuale, ekonomia dhe financat deri te politika e jashtme e siguria. 

6 Kapitujt që duhet të mbyllen brenda vitit 2026:
1. E drejta e pronësisë intelektuale;
2. Politika ekonomike dhe monetare;
3. E drejta e shoqërive tregtare;
4. Peshkimi dhe akuakultura;
5. Rrjetet transeuropiane;
6.  Politika e jashtme dhe e sigurisë;

Në gjysmën e parë të vitit 2027 duhet të mbyllen negociatat në fusha që kanë të bëjnë ndër të tjera me prokurimin publik; lëvizjen e lirë të kapitalit, punësimin apo mbrojtjen e konsumatorit dhe shëndetin. 

10 Kapitujt që duhen mbyllur brenda pjesës së parë të vitit 2027:
1. Prokurimi publik;                                                                     
2. E drejta e vendosjes dhe liria për të ofruar shërbime;     
3. Lëvizja e lirë e kapitalit;                                                          
4. Transformimi digjital dhe media;                                          
5. Bashkimi Doganor;                                           
6. Kontrolli financiar;
7. Politika e transportit;
8. Politika sociale dhe punësimi;
9. Shërbimet financiare;
10. Mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit;

Në fund më të rëndësishmet. Në 6 muajt e dytë të 2027-s i vihet kapak çështjeve që lidhen me lëvizjen e lirë të punëtorëve; bujqësia apo siguria ushqimore, mjedisi si dhe grupi i themeloreve me drejtësinë e sundimin e ligjit, që hapet dhe mbyllet i fundit. 

15 Kapitujt që duhen mbyllur në pjesën e dytë të vitit 2027:
1. Lëvizja e lirë e punëtorëve;
2. Politika e konkurrencës;              
3. Bujqësia dhe zhvillimi rural;       
4. Tatimet;                                          
5. Lëvizja e lirë e mallrave;
6. Siguria ushqimore, politika veterinare dhe fitosanitare;
7. Statistikat;
8. Politikat rajonale e koordinimi i instrumenteve strukturore;
9. Energjia;
10. Mjedisi dhe ndryshimet klimatike;
11. Gjyqësori dhe të drejtat themelore;
12. Drejtësia, liria dhe siguria;
13. Dispozitat financiare dhe buxhetore;
14. Institucionet;
15. Çështje të tjera;

Edhe pse vendos një plan shumë ambicioz, megjithatë Komisioni Evropian thotë se 35 kapitujt mund të mbyllen të gjitha edhe më herët se dhjetori 2027, kur ritmi i reformave e lejon.

“Ky plan veprimi është një dokument i gjallë, të cilin Komisioni do ta përditësojë rregullisht, bazuar në progresin e bërë nga Shqipëria”, thuhet në dokument.

Përgatitja për anëtarësim parashikohet të shoqërohet me një integrim më të thellë gradual të Shqipërisë në politikat, programet, agjencitë dhe strukturat e punës të BE-së përpara anëtarësimit të plotë.

Dialogu për anëtarësim gradual do të nisë në tremujorin e parë të vitit 2027. Kjo përfshin zgjerimin e aksesit në pjesë të Tregut të Vetëm të BE-së, forcimin e lidhshmërisë në energji, transport dhe fushat digjitale, si dhe thellimin e bashkëpunimit në siguri dhe mbrojtje.

Udhërrëfyesi i KE për negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë:

Perspektiva për vitin 2027

I. Hyrje

Në përputhje me kuadrin negociues për negociatat e anëtarësimit, i cili parashikon që konferencat ndërqeveritare të bëjnë një vlerësim të përgjithshëm të procesit të anëtarësimit dhe të përcaktojnë një orientim për vitin përpara lidhur me kapitujt/klasterët që mund të hapen ose mbyllen, si dhe duke marrë parasysh progresin e përgjithshëm të arritur deri më tani në negociata, Komisioni paraqet më poshtë udhërrëfyesin për negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë për vitin 2027.

Udhërrëfyesi ofron një renditje të mbylljes së përkohshme të kapitujve negociues dhe të grupkapitullit 1, si një tërësi. Ai ofron kështu si një rrugë orientuese, ashtu edhe një pikë referimi për negociatat e anëtarësimit, si për Shqipërinë, ashtu edhe për Shtetet Anëtare.

Duke pasur parasysh natyrën e negociatave të anëtarësimit, ritmi i të cilave varet nga progresi i Shqipërisë në përmbushjen e kërkesave për anëtarësim, ky afat kohor orientues nuk paragjykon as rezultatin dhe as ritmin e negociatave. Ky udhërrëfyes është një dokument në zhvillim, të cilin Komisioni do ta përditësojë rregullisht, bazuar në progresin e bërë nga Shqipëria.

Në përputhje me kuadrin negociues, progresi në negociata vazhdon të matet veçanërisht në raport me përmbushjen e kritereve të Kopenhagës, përfshirë përmbushjen e standardeve përmbyllëse të përcaktuara për kapitujt individualë dhe për grupkapitullin 1, përmbushjen e detyrimeve të Shqipërisë sipas Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, si dhe progresin e Shqipërisë në adresimin e fushave kyçe të identifikuara në raportet e Komisionit dhe në konkluzionet përkatëse të Këshillit. Progresi në grupkapitullin e parë (Themeloret) përcakton ritmin e përgjithshëm të negociatave. Shqipëria duhet të angazhojë përpjekje të konsiderueshme të mëtejshme për të përfunduar punën mbi standardet përmbyllëse të përcaktuara në kuadrin negociues, në mënyrë që të mundësohet mbyllja e përkohshme e kapitujve. Përparimi sipas afateve kohore të përcaktuara në këtë udhërrëfyes do të varet, për rrjedhojë, nga ritmi i reformave në Shqipëri.

II. Perspektiva për vitin në vijim

1. Kalendari i prioriteteve për mbylljen e përkohshme të kapitujve

Pas Konferencës Ndërqeveritare (IGC) të datës 13 tetor 2026, mbeten ende për t'u mbyllur 31 kapituj të negociatave të anëtarësimit. Për të arritur objektivin e autoriteteve shqiptare për mbylljen e negociatave të anëtarësimit deri në fund të vitit 2027, do të ishte e nevojshme që Shqipëria të përfundonte punën e saj për standardet përmbyllëse në kohë të mjaftueshme, për të mundësuar mbylljen e kapitujve të mbetur, pas verifikimit nga BE-ja të përmbushjes së këtyre standardeve dhe arritjes së marrëveshjes mes BE-së dhe Shqipërisë për marrëveshjet kalimtare. Duke marrë parasysh kompleksitetin relativ dhe nivelin e përgatitjes në secilin kapitull, si dhe planet përkatëse të reformave të autoriteteve, mund të parashikohet kalendari fillestar i prioriteteve në vijim për pjesën e mbetur të vitit 2026 dhe vitin 2027, për mbylljen e përkohshme të kapitujve:

Kalendari i prioriteteve për pjesën e mbetur të vitit 2026: e drejta e pronësisë intelektuale; politika ekonomike dhe monetare; e drejta e shoqërive tregtare; peshkimi dhe akuakultura; rrjetet transeuropiane; politika e jashtme dhe e sigurisë.

Kalendari i prioriteteve për gjysmën e parë të vitit 2027: prokurimi publik; e drejta e vendosjes dhe liria për të ofruar shërbime; lëvizja e lirë e kapitalit; transformimi digjital dhe media; Bashkimi Doganor; kontrolli financiar; politika e transportit; politika sociale dhe punësimi; shërbimet financiare; mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit.

Kalendari i prioriteteve për gjysmën e dytë të vitit 2027: lëvizja e lirë e punëtorëve; politika e konkurrencës; bujqësia dhe zhvillimi rural; tatimet; lëvizja e lirë e mallrave; siguria ushqimore, politika veterinare dhe fitosanitare; statistikat; politika rajonale dhe koordinimi i instrumenteve strukturore; energjia; mjedisi dhe ndryshimet klimatike; gjyqësori dhe të drejtat themelore; drejtësia, liria dhe siguria; dispozitat financiare dhe buxhetore; institucionet; çështje të tjera; grupkapitulli 1 (Themeloret), i cili do të mbyllet i fundit.

Në rast se ritmi i reformave e lejon, Komisioni do të rishikojë kalendarin e prioriteteve, për të pasqyruar mundësinë e mbylljes së përkohshme më të hershme të kapitujve, në varësi të përmbushjes së kushteve përkatëse.

2. Momente të tjera të rëndësishme në negociatat e anëtarësimit

Në varësi të progresit të nevojshëm që Shqipëria do të bëjë në përgatitjet e saj, Komisioni do të paraqesë në kohën e duhur një Komunikim mbi paketën financiare për anëtarësimin e Shqipërisë.

Komisioni rekomandon më tej që Këshilli të nisë përgatitjet për hartimin e Traktatit të Anëtarësimit me Shqipërinë gjatë vitit 2027. Ndërkohë, Shqipëria duhet të sigurojë vënien në dispozicion në kohë të përkthimit të acquis në gjuhën shqipe.

III. Integrimi gradual

Përgatitjet për anëtarësim duhet të ecin paralelisht me integrimin gradualisht më të thelluar të Shqipërisë në politikat, programet, sistemet, agjencitë dhe strukturat e punës së Bashkimit Evropian, përpara anëtarësimit. Kjo përfshin avancimin e pjesëmarrjes në sektorët strategjikë, zgjerimin e aksesit në pjesë të Tregut të Vetëm kur të përmbushen kushtet, forcimin e bashkëpunimit në fushën e energjisë, transportit dhe ndërlidhjes digjitale, thellimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe ofrimin e përfitimeve konkrete për qytetarët dhe bizneset. Kjo do ta afrojë Shqipërinë më shumë me BE-në dhe Tregun e Vetëm që përpara anëtarësimit. Duke pasur parasysh fazën e avancuar të negociatave në të cilën ndodhet Shqipëria, që e afron më shumë me anëtarësimin, fusha të mëtejshme bashkëpunimi për integrimin gradual drejt anëtarësimit do të identifikohen përmes dialogut për integrimin gradual, i cili do të nisë në tremujorin e parë të vitit 2027. Integrimi më i thellë kërkon përafrim të qëndrueshëm me vlerat, acquis dhe interesat strategjike të Bashkimit Evropian.

Komisioni do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në përgatitjet e saj për anëtarësim dhe do të vijojë ta ndihmojë atë me ekspertizë, përfshirë përdorimin e plotë të instrumenteve si TAIEX dhe binjakëzimi institucional (Tëinning), si dhe përmes asistencës financiare të orientuar, përfshirë ndihmën e disponueshme në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje, bazuar në Agjendën e Reformave.

Komisioni do të monitorojë nga afër që angazhimet e ndërmarra nga Shqipëria në negociata, veçanërisht në fushën e Themeloreve, të përmbushen dhe do t'i raportojë rregullisht Këshillit mbi gjetjet e tij. Për këtë qëllim, do të përdorë tabela monitorimi, misione të rregullta të vlerësimit të ndërsjellë, përfshirë ato që lidhen me shtetin e së drejtës, si dhe të gjitha instrumentet e tjera në dispozicion.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:37
Udhërrëfyesi i KE për Shqipërinë, eurodeputeti Schieder: Të përshpejtohet procesi historik i zgjerimit, ajo që protestuesit po kërkojnë mund të realizohet përmes integrimit në BE

1793799525_Shaider.jpg

Drejtuesi i delegacionit të Partisë Socialdemokrate të Austrisë në Parlamentin Evropian, pjesë e grupit S&D (Socialistët dhe Demokratët), eurodeputeti Andreas Schieder, e ka cilësuar si historik procesin e zgjerimit të BE-së në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Gjatë fjalës së tij në Parlamentin Europian, ai kërkoi përshpejtimin e procesit të integrimit për vendet e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht për Shqipërinë dhe Malin e Zi që kryesojnë procesin.

Duke marrë shembullin e Shqipërisë, Schieder tha se integrimi i vendit në BE është zgjidhje për shumë probleme, përfshi edhe për kërkesat e protestuesve.

Pjesë nga fjala e Schieder, për raportin për Shqipërinë:

Udhërrëfyesi është gjëja e duhur. Ky projekti historik i zgjerimit duhet të bëhet benda zgjedhjeve të ardhshme vendore për vendet që kryesojnë. Ne duhet të bëjmë punët tona brenda në Bashkimin Evropian.

Unë besoj se për Shqipërinë sfidat janë në shoqëri. Mjedisi për shembull tregon se integimi është zgjidhja. Ajo që protestuesit po kërkojnë realizohet edhe përmes negociatave me Bashkimin Evropian apo integrimin në tërësi.