Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe mbështetja e Çekisë për këtë proces kanë qenë në fokus të takimeve që Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, zhvilloi në Pragë me drejtuesit e Parlamentit çek.
Gjatë vizitës zyrtare në Çeki, Peleshi u takua me Kryetarin e Dhomës së Deputetëve, Tomio Okamura, dhe Presidentin e Senatit, Milosh Vistrçil, me të cilët diskutoi për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe forcimin e bashkëpunimit parlamentar.
Peleshi vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Çekisë për integrimin europian të Shqipërisë, si dhe qëndrimin e saj në favor të zgjerimit të BE-së bazuar në meritë.
Ai theksoi se mbështetja politike e vendeve anëtare është veçanërisht e rëndësishme në këtë fazë të negociatave, ndërsa Shqipëria vijon punën për përmbushjen e reformave dhe anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Në takime u diskutua edhe për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, turizmin dhe arsimin, si dhe për shtimin e kontakteve mes komisioneve parlamentare dhe grupeve të miqësisë.
Peleshi përshëndeti gjithashtu rikthimin e aktivitetit të Grupit të Miqësisë Çeki-Shqipëri në Dhomën e Deputetëve, duke shprehur interesin për më shumë shkëmbime mes dy parlamenteve, veçanërisht në çështjet europiane dhe politikën e jashtme.
Një tjetër temë e diskutimeve ishte perspektiva europiane e Ballkanit Perëndimor dhe roli i vendeve të Grupit të Vishegradit në mbështetjen e integrimit të rajonit.
Palët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit parlamentar për të mbajtur zgjerimin e BE-së në agjendën politike europiane, si dhe për forcimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon.





Komente
Komento