Tashmë zyrtarisht gara për Shtëpinë e Bardhë ka ndezur motorët. Presidenti amerikan ka zgjedhur Orlando-n në Florida për të nisur garën. Nga “Ta bëjmë Amerikën të madhe”. Tani e më pas “Ta mbajmë Amerikën të madhe”. Ky është slogani i zgjedhur nga Donald Trump në startin e çeljes zyrtare të fushatës elektorale për Presidencialet e vitit 2020 për një mandat të dytë.
Emigracioni, krijimi i vendeve të punës dhe shkopinj nën rrota ndaj kundërshtarëve, ishin këto disa nga temat e trajtuara nga ai përpara 20 000 mbështetësve.
"Saktësisht katër vjet më parë - tha Trump - kam shpallur fushaten time për Presidencën e SHBA, që nisi thjesht si fushatë, por fal jush u shndërrua në një lëvizje të madhe politike."
Ndërkohë që Demokratët sipas Trump dëshirojnë të "shkatërrojnë vendin", unë e kam ndryshuar dizenjimin e saj, e kam bërë më të fortë, më të madhe, më të mirë dhe me ekonomi më të fortë.
Në fjalën e Trump nuk munguan as momentet e vetëmburrjes teksa tha se: Vetëm George Washington ka patur te amerikanët më shumë konsensus se unë, duke sulmuar gjithashtu sondazhet që sipas tij janë veç Fake News.
Në vitin 2016 Trump fitoi në Florida, por fitorja e tij nuk është më e sigurtë dhe gjasat janë që ai të përballet në një betejë serioze për të fituar sërish. Që kur mori detyrën në fillim të vitit 2017, ekonomia amerikane ka përjetuar një rritje të fortë dhe rënie të ndjeshme të papunësisë. Normalisht kjo do t’i jepte Tramp një garanci për fitoren, por presidenca e polarizuar e tij ofron mundësi që demokratët të mos ia lejojnë mandatin e dytë./Përgatiti Ilir Çuçi