Ish-kryeministri britanik Keir Starmer ka njoftuar se do të japë dorëheqjen edhe si deputet, vetëm pak javë pasi u largua nga drejtimi i qeverisë.
Vendimi i tij do të çojë në mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme në zonën elektorale Holborn and St Pancras në Londër, të cilën Starmer e përfaqësonte që prej vitit 2015 dhe që konsiderohet një bastion tradicional i Partisë Laburiste.
Në një deklaratë për Camden New Journal, Starmer e cilësoi një "nder dhe privilegj të madh" përfaqësimin e zonës për 11 vite, duke shtuar se ka ardhur koha "t'ia kalojë stafetën një pasardhësi".
Ai tha se pas largimit nga Parlamenti do t'i përkushtohet çështjeve ndërkombëtare, duke përfshirë mbrojtjen, sigurinë, tregtinë dhe teknologjinë, si edhe punës së tij për luftën kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Dorëheqja vjen ndonëse pas largimit nga posti i kryeministrit në korrik, Starmer kishte deklaruar se do të qëndronte deputet deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të planifikuara për vitin 2029.
Vendimi i tij u kritikua nga Partia Konservatore. Kryetari i saj, Kevin Hollinrake, e akuzoi Starmerin për "një tjetër kthesë", duke thënë se zgjedhjet e pjesshme do t'u kushtojnë taksapaguesve britanikë.
Data e zgjedhjeve të pjesshme do të caktohet pasi Starmer të formalizojë dorëheqjen nga mandati i deputetit.









Komente
Komento