Këlliçi: Qeveria e Ramës kryen evazion fiskal me të vdekurit, SPAK të hetojë

 

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi i bëri thirrje SPAK që të hetojë për rastin e evazionit fiskal të 5.5 milionë eurove me firmë të falsifikuar të një të moshuare që kishte ndërruar jetë. Sipas tij, përgjegjës për këtë skemë mashtrimi është kryeministri Rama.

"Sipas traditës, shqiptari e ka zakon që, pas vdekjes së të afërmit, i shlyen çdo borxh që mund t’i ketë mbetur të ndjerit Për t’ia lënë pa barrë dhe pa gjynahe kalimin në jetën e pasosur. Qeveria e Edi Ramës, e kthyer në “qeveri të vdekjes”, punon për të kundërtën. Pasi rriti borxhin publik, duke zhytur në kamata të gjallët, nuk lë në paqe as të vdekurit. Kështu, edhe me Gjyste Sermin e ndjerë, të vdekur para dy vitesh, në emrin e së cilës figurojnë disa borxhe dhe padi në gjykatë.

E gjitha kjo si pasojë e makinacioneve të njerëzve të lidhur me aferën e inceneratorëve, në përpjekje për të fshehur dhe pastruar miliona eurot e skandalit të shekullit. Firma e Gjyste Sermit është falsifikuar dhe përdorur në veprime antiligjore, dy herë kur ishte në prag të vdekjes, dhe tri herë pas vdekjes. Në emrin e saj, post mortem, qarkulluan 5.5 milionë euro.

QKB janë bërë disa veprime nën firmën e saj, edhe pse statusi në gjendjen civile e shënonte si ‘e vdekur’. Kjo është një histori makabre keqpërdorimi të emrit, nderit dhe varrit të një shqiptareje. Zhbërja dhe turpërimi i një tradite të lashtë. Partia Demokratike i dënon ashpërsisht përdhosësit, mashtruesit kronikë dhe hajdutët serialë të pasurisë publike.

Ata kanë emra dhe portrete të ndryshëm, por që të gjithë gjallojnë nën hijen e Edi Ramës, ministrave dhe bandës së inceneratorëve. I bëjmë thirrje SPAK të dalë nga letargjia, të ndjekë paranë, dhe gjurma e tyre do ta çojë te porositësit e skemës. Në emër të dinjitetit dhe të ligjit duhen ndalur sa më parë ata, babëzia e të cilëve nuk ndalet para asgjëje. Ka ardhur koha që t’i themi “boll vodhe, IK!” kësaj qeverie të vdekjes", tha Këlliçi. 


Lajmi kryesor:

Evazion fiskal me firmën e të moshuarës së vdekur, Meta: Krimi ka kapërcyer çdo imagjinatë! Manja: Ke hall tjetër, ato denoncime janë bërë prej vitesh


SI.E./r.k./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Puna e SPAK në 2024, Dervishi: Po u zbardh çka ndodhur me Ervis Martinajn bie piramida e krimit! Petraj: Si u privatizua CEZ do hap 'Kutinë e Pandorës'

Puna e SPAK në 2024, Dervishi: Po u zbardh çka ndodhur me Ervis Martinajn bie piramida e krimit! Petraj: Si u privatizua CEZ do hap 'Kutinë e Pandorës'