Një fund të Qershorit të vitit 2019 ishim në Paris për pak dite. E pritëm me shumë kënaqësi ftesën miqësore për të marrë pjesë në gëzimin e ditëlindjes së bashkëshortes të një miku shqiptar të djalit tonë. Kryesisht për mundësinë për të njohur shqiptarë që jetojnë e punojnë në Paris, por edhe sepse festa ishte organizuar në natyrë në një nga parqet e bukura që rrethojnë metropolin francez, në “Parc de Sceaux”.
Mikpritësi, Edi Prifti, një djalë Korçe rreth të 35-tave, bashkë me dy fëmijët, Fionën dhe Gentin, kishin shtruar gjithë të mirat në një lendinë të bukur nën hijen e pemëve të larta të Parkut të madh për te gëzuar zonjën e shtëpisë dhe miqtë e mbledhur për rastin. Si arritëm, në drejtimin tonë me buzën në gaz, afrohet një grua e re për t’na përshëndetur. “Mirë se ardhët , jam shumë e gëzuar që jeni këtu me familjen dhe miqtë tanë! Shpresoj do të kënaqeni!” Shqipja e saj na u duk si e folura e krahinave të jugut. Nga kureshtja njëri prej nesh e pyeti: “Nga ç’anë e Shqipërisë jeni, moj nuse?” Përgjigja erdhi si një befasi e bukur që na la pa gojë. “Jam nga Plimuthi i Masaçusets (Plymouth of Massachusetts).” Duke keqinterpretuar hutimin tonë.
Zonja e shtëpisë shtoi shpejt e shpejt: “Eshtë një qytet i vogël afër Bostonit, një nga kolonitë e para angleze në Amerikë.” Kështu Kelly Shannon, nusja shqiptare e Korçës, doli të ishte amerikane. Natyrisht, ne nuk u habitëm nga kombësia e saj. Jeta e solli që me dhjetëra e qindra shqiptarë e shqiptare të kenë zgjedhur të lidhen e krijojnë familje me djem e vajza të kombësive të tjera.
Ne u entuziazmuam nga shqipja jonë e dashur, që tingëllonte aq bukur në shqiptimin e pastër të amerikano-shqiptares Kelly Prifti, ashtu si edhe të dy fëmijëve të saj, Fionës (6 vjeçe) dhe Gentit (4 vjeç).
Për përvojën e saj me shqipen Kelly na tregoi: “U njoha me Edin këtu në Paris në 2004-ën. Ai studionte Informatikë, unë Histori në Sorbonë. Në vitin 2010 u martuam, u vesha nuse në Korçë. Por, nga kur u njohëm kemi shkuar shpesh në Shqipëri. Që në fillim ndjeja një boshllëk brenda vetes që nuk mund te flisja shqip me të afërmit e Edit, miqtë dhe shokët e tij, që më falnin aq shumë përkujdesje dhe dashuri kur veja në Shqipëri. Pastaj doja që shqipen e bukur t’a flisnim edhe në familje me fëmijët që do të kishim!”
Më tej Kelly vazhdoi: “Me t’u kthyer në Paris u regjistrova në kurset e gjuhës shqipe me profesor Tomorr Plangarica nga Elbasani, pranë Institutit te Studimeve Orientale. Mora atje dispenca të gramatikës dhe fjalorë të gjuhës shqipe. Po ashtu, një here në javë për një vit (2009/2010) ndoqa rregullisht kurset e gjuhës. Me gjithë vështirësitë që pata gjatë asaj periudhe nuk e ndërpreva asnjëherë atë që kisha nisur. Pastaj më ndihmoi shumë edhe Edi, sidomos bashkëbisedimi i përditshëm me të në shqip …”
Me të drejtë lexuesi i këtyre rradhëve ka kureshtje të dijë më shumë për çiftin shqiptaro-amerikano-francez Kelly dhe Edi Prifti. Kelly ka kryer Master për Manaxhim të Krizave në Vendet në Zhvillim dhe punon në Institutin e famshëm “Paster”. Edi, djali i tretë i mësuesve të nderuar korçarë Mina dhe Valentina Prifti, arriti në Paris për studimet bachelor në vitin 2001.Tani, pas doktorimit në Bioinformatikë, shkencëtari shqiptar udhëheq nje grup studiuesish në Institutin Francez të Kërkimit për Zhvillim “IRD” në Paris.
Në mbyllje të shkrimit, i urojmë çiftit simpatik Prifti çdo të mirë dhe Kelly-t, nuses tonë korçare, “pritje të ëmbël” të bebit që do ta lumturojë për të tretën herë jetën e familjes shqiptaro-amerikane të Parisit.
Irma e Kujtim Kabashi
Paris-Toronto, Dhjetor 2020