Ministri i  Drejtësisë Ylli Manjani ka komentuar sot hetimet ndaj Kelmend Balilit, duke theksuar se kushdo që shkel ligjin do të përfundojë pas hekurave. Manjani theksoi se ende nuk ka një akuzë për Balilin, por nga ana tjetër informoi se operacioni policor vijon që nga muaji mars dhe autoritetet shqiptare po vijojnë një hetim të plotë. 

"Operacioni policor nuk është i 48 orëve të fundit, por vijon që nga muaji mars. Ministri i Drejtësisë ka një raport komplementar në raport me organet e shtetit. Kemi përcjellë të gjitha letërporositë e nevojshme. Kam dijeni dhe besoj se e gjitha kjo shkon në mënyrë zyrtare në favor të një hetimi të plotë. Publikimi i këtyre gjërave nuk i ndihmon hetimet, ndaj jemi të rezervuar në informacione", u shpreh Manjani. 

I pyetur për lidhjet e Balilit me LSI, nënkryetari i kësaj force politike, Ylli Manjani deklaroi se mbështet Policinë e Shtetit në punën e saj. Sipas tij, kush ka shkelur ligjin, të shkojë pas hekurave. 

"Cilido person, “i fortë“, Ministër, zyrtar, çfarëdo qoftë, nëse ka shkelur ligjin duhet të jetë prapa hekurave. Askush nuk ka mbrojtje nga politika! Lëvizja Socialiste për Integrim mund t’ju them se është e vetmja parti sot në hapësirën politike, që e ka të normuar me dokumente statutor dhe me vendim mos-mbrotjen politike të askujt, si kryetar, anëtarë, votues, simpatizantë të LSI, sepse ne nuk mendojmë që partitë politike duhet të konkurrojnë me organet e ndjekjes penale, të cilët kanë mbështetjen time maksimale por edhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim, theksoi Manjani.