TIRANË, 29 Dhjetor/ATSH/- Në tregun e këmbimit valutor vendas, monedha e gjelbër amerikane, ka vijuar të forcojë pozitat në këmbim me lekun, duke arritur nivelin më të lartë në 4 vitet e fundit.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një dollar këmbehet me rreth 115 lekë nga 100 lekë që këmbehej në fillim të këtij viti.
Ekspertët shpjegojnë se rritja e dollarit kundrejt lekut shqiptar reflekton ecurinë e forcimit të kësaj monedhe në tregjet ndërkombëtare, e cila ka nisur pas shenjave se ekonomia e SHBA-ve ka pasur një rimëkëmbje mjaft të ndjeshme gjatë 2014. Ndërkohë edhe monedha europiane euro qëndron në kuota të larta kundrejt lekut, por me tendencë zbritëse ditët e fundit.
Një euro ka rënë brenda disa ditëve nën 140 lekë e ndikuar kjo prej ardhjes së emigrantëve për pushimet e fundvitit. Zhvlerësimi i monedhës vendase ka impakt negativ për ekonominë shqiptare, por edhe për vetë qytetarët të cilët do t'i blejnë produktet më të shtrenjta pasi Shqipëria është kryesisht një vend importues dhe mallrat blihen me euro.
Ndërsa vlerësimi i dollarit pritet të japë impakt negative, sidomos në çmimin e naftës e cila blihet me këtë monedhë . e,xh//m.m/












