Këndi i ekspertit/ Deficitet e vitaminës D dhe të kalciumit dhe osteoperoza

Këndi i ekspertit/ Deficitet e vitaminës D dhe të kalciumit dhe osteoperoza

Mjekja Marina Pajllaku ne Mjeku Im ne Report Tv

Në rubrikën “Mjeku im” të emisionit tashmë të njohur të Report Tv “Këndi i Ekspertit”, i drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, ka qenë i ftuar të premten, Marina Pajllaku, mjeke laborante, pranë spitalit Kontinental.

Në këtë emision doktoresha Pajllaku ka sqaruar qytetarët për deficitet e vitminës D dhe kalciumit, duke folur për vetitë e tyre dhe sëmundjet që shkaktojnë mugesa e tyre. Gjithashtu doktoresha ka folur edhe për sëmundjen e osteoperozës, duke sqaruar se cilat mosha prek. Ekspertja jonë më pas iu është përgjigjur pyetje live të qytetarëve në Report TV.

Do të flasim deficitet e vitaminës D dhe të kalciumit. Gjithashtu do të flasim edhe për sëmundjen e osteoporozës, për të cilën shpeshherë thuhet se është një sëmundje shekullore e zakonshme. Gjithashtu konsiderohet si epidemi. Kjo sëmundje mund të prekë të gjitha moshat, por mosha më e rrezikuar është ajo mbi 50 vjeç.

Osteoporoza është pasojë, është sëmundje e cila vjen si rezultat i deficitit të vitaminës D. Në qoftë se kemi një deficit të vitaminës D, kemi mungesë të përthithjes së kalciumit dhe meqenëse kemi mungesë të përthithjes së kalciumit, atëherë humbet ajo që quhet masa kockore. Ndërtimi i kockës ka të bëjë me formim dhe shkatërrim të kockës. Në qoftë se do të shohim në mikroskop një kockë normale, pamja na paraqitet si hojet e bletës. Ndërsa kur kemi humbje të masës kockore, pamja na paraqitet me pore të mëdha, kocka nuk është kompakte, është më e hollë dhe më e thyeshme, d.m.th. mungon kalciumi, i cili shërben për të formuar ashtu siç duhet kockën. Një nga shenjat klinike që paraqet një person i cili vuan nga osteoporoza, është thyerja spontane e kockave.

Çfarë është mungesa e vitaminës D?

Unë punoj në laborator dhe aty shoh se ka persona që kanë deficite të vitaminës D. Pamjaftueshmëria dhe mungesa e vitaminës D vijnë si rezultat i kequshqyerjes, që ka të bëjë me marrjen nga jashtë të vitaminës D nëpërmjet ushqimeve. Por mund të vijnë edhe si rezultat i mungesës së diellit sepse të gjithë ne e dimë që nëse dalim në diell do të marrim vitaminën D. Një pjesë e vitaminës D vjen si rezultat i marrjes së rrezeve ultravjollcë në lëkurë. Një formë tjetër e marrjes së vitaminës është nëpërmjet ushqimit. Kemi dy tipe viamine D që merren me anën e ushqimit: kalciferrori, i cili merret nga bimët, nga drithërat që ne përdorim në mëngjes; dhe kolkaciferrori, i cili merret nga peshku, nga e verdha e vezës, nga djathi, nga kërpudhat. Ka shumë ushqime të cilat kanë në përmbajtjen e tyre vitaminën D. Përdorimi i këtyre llojeve ushqimesh krijon rezerva të vitaminës D në organizëm. Shpeshherë janë të nevojshme suplementet e vitaminës D, duke e marrë nga jashtë këtë vitaminë, për të plotësuar nevojat e individit.

Për të pasur shëndet të mirë, duhet t’i konsumojmë gjithmonë?

Duhet t’i konsumojmë gjithmonë dhe është shumë e rëndësishme vitamina D në organizmin tonë, në mënyrë që ai të jetë i shëndetshëm.

Çfarë shkakton në organizmin tonë mungesa e vitaminës D?

Vitamina D pasi përthithet, kalon në mëlçi nëpërmjet gjakut, pëson disa ndryshime metabolike, pastaj kalon në veshka dhe është ajo forma aktive. Kjo formë aktive e vitaminës D në veshka bën që të veprojë në zorrë, në përthithjen e kalciumit, duke thithur kalciumin dhe duke mineralizuar kockën, por ndikon shumë edhe në sistemin imunitar sepse ndikon në diferencimin qelizor dhe mendohet që ndikon shumë edhe si mbrojtëse në sëmundjet tumorale, si rezultat i stimulimit të diferencimit qelizor që bën vitamina D. Është shumë e rëndësishme. Në qoftë se ne kemi mungesa të vitaminës D, kemi lodhje, këputje, dhembje muskujsh, dhembje kockash. Por ka edhe raste të tjera, të cilat mund të jenë fare pa simptoma dhe të pësosh, si në rastet e osteoporozave, ato thyerjet spontane të kockave.

Zinxhiri i fundit është kalciumi dhe osteoporoza.

Kemi dy rrugë të marrjes së vitaminës D, nëpërmjet ushqimit dhe nëpërmjet lëkurës. E thashë edhe më lart që vitamina D pëson një tip metabolizimi në mëlçi, pastaj metabolizohet në veshka dhe vepron te kockat në intenstinë, duke përthithur absorbimin e kalciumit. I gjithë ky mekanizëm rregullohet nga një hormon i rëndësishëm që është paratormoni, i cili prodhohet nga gjëndrra paratiroide. Deficiti i vitaminës D faktikisht është multisistemike sepse ndikon pothuajse në të gjithë sistemet. Është e lidhur shumë edhe me sëmundje të tjera siç janë sëmundjet autoimune. Është e lidhur shumë me sëmundje të cilat kanë të bëjnë me insuficiencat renale apo me insuficiencat hepatike sepse edhe vetë zinxhiri e tregon që duhet të kalojë në mëlçi dhe pastaj në veshka që të prodhohet ajo forma aktive e vitaminës D. Pra mungesa e vitaminës  është shumë e rëndësishme për të kuptuar për shumë gjëra që mund të ndodhin në organizmin tonë dhe për shumë fenomene që ndodhin në organizmin tonë.

Osteoporoza shfaqet në përgjithësi, pas moshës 50 vjeç dhe një në dy femra, vuan nga osteoporoza. Ndërkohë që një në katër meshkuj vuan nga osteoporoza. Prek më shpesh femrat për shkak të menopauzës dhe të mungesës së estrogjenit. Estrogjeni është një nga ata faktorë, i cili bën të mundur thithjen e vitaminës D. Ai e aktivizon vitaminën D, e bën në formë aktive atë dhe prandaj është shumë e nevojshme që femrat, të cilat janë në menopauzë të kontrollojnë sasinë e vitaminës D në organizmin e tyre sepse ndoshta nuk arrijnë ta kuptojnë se çfarë po u ndodh. Po të shikojmë te moshat e treta kemi humbje të gjatësisë, kemi çrregullime dhe deformime në pjesën e kurrizit ose gjatë ecjeve dhe lëvizjeve kemi fraktura, të cilat pastaj janë shumë të vështira për t’u rekuperuar. Pra, e theksoj që është shumë e rëndësishme që të bëhet një test, një kontroll i depove të vitaminës D.

Në qoftë se ne do ta ndanim si vlera referente vitaminën D, atëherë në qoftë se vlera është më e vogël se 10 quhet deficit i rëndë i vitaminës D, kur vlera është 10-20 quhet mungesë e vitaminës D, 20-30 pamjaftueshmëri dhe pastaj kur vlera është mbi 30 atëherë quhet normale.

Analiza është e thhjeshtë. Shkon në laborator, ku të merret pak gjak dhe pastaj specialisti në laborator bën matjen e nivelit të vitaminës D. Rezultati i analizës natyrisht që i referohet mjekut specialist, i cili pastaj përcakton dozën e marrjes së vitaminës D, nëse pacienti del me deficit, mungesë apo pamjaftueshmëri të kësaj vitamine.

Kam burrin me sëmundje kronike dhe shumë herë i dhemb koka dhe këmbët. Çfarë mund të bëj?

Në qoftë se ka dhembje këmbësh, atëherë duhet patjetër që të shkojë te mjeku specialist reumatolog dhe të bëjë një vlerësim të gjendjes së tij të përgjithshme. Dhembja e kokës është një nga simptomat e kësaj që ne sapo thamë, të mungesës së vitaminës D. Gjithsesi, zotëria duhet që të vlerësohet nga mjeku specialist siç është mjeku reumatolog, i cili bën një vlerësim të përgjithshëm të pacientit dhe pastaj të trajtohet.

Ju jeni mjeke laborante. Në cilat raste njerëzit duhet t’i drejtohen laboratorit për të bërë analiza? Në fakt kemi dy lloje pacientësh: ata që drejtohen vetë menjëherë në laborator për të bërë analizat dhe ata që drejtohen fillimisht te mjeku dhe pastaj kryejnë analizat që u rekomandon ai.

Fillimisht çdo njeri duhet të drejtohet te mjeku klinicist. Te mjeku tregohen të gjitha simptomat që ka pacienti. Dhe është mjeku ai që duke kuptuar të gjitha simptomat, e adreson pacientin që të bëjë ato analiza, të cilat janë të nevojshme për t’u bërë, sepse të themi të drejtën, analizat janë edhe kosto efektive dhe janë pa fund, kështu që mirë është që pacienti të bëjë ato analiza, të cilat i shërbejnë për të zgjidhur problemin që ai ka.

Flas nga Elbasani. Më dhemb koka gjatë gjithë ditës, po bëhen 5-6 muaj. Çfarë duhet të bëj?

Fillimisht, zotëria duhet të drejtohet te mjeku i familjes. Ai duke kuptuar llojin e dhembjes së kokës, do të adresojë për të bërë ekzaminimet përkatëse. Pastaj, në varësi të rezultateve të ekzaminimeve, do të merren edhe trajtimet përkatëse. Gjendja e zotërisë nuk është normale, kështu që ai patjetër duhet të shkojë sa më parë te mjeku.

Flas nga Burreli. Mund të di se çfarë problemi krijon funksionimi jo i mirë i mëlçisë?

Mëlçia konsiderohet si laboratori i organizmit. Ajo bën të gjithë procesin metabolik të organizmit, kështu që është shumë e rëndësishme që mëlçia të jetë e shëndetshme.

Kam shumë dhembje gjunjësh, më rrinë shumë të ftohtë dhe mbaj dy palë çorape. Kur më ngrohen, nuk kam dhembje. Çorapet i mbaj si në dimër, ashtu edhe në verë.

Unë ju rekomandoj me patjetër një vizitë te mjeku reumatolog. Ai do të përcaktojë tipin e inflamacionit që keni ju te gjunjët, meqenëse ata ju dhembin kaq shumë. Këto lloje sëmundjesh të cenojnë jetën, d.m.th. nuk të lënë që të bësh jetën aktive që duhet. Kjo gjë ndikon edhe në sistemin nervor.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Meta në 'sulm', Milaim Zeka në 'Frontline': Arrestimet e mëdha bëhen fundjavave! Nuk mund askush të fitojë luftën ndaj Amerikës

Meta në 'sulm', Milaim Zeka në 'Frontline': Arrestimet e mëdha bëhen fundjavave! Nuk mund askush të fitojë luftën ndaj Amerikës