'Këndi i Ekspertit'/ Implantet dentare, kur dhe si kryhen...avantazhet e ndërhyrjes

Në emisionin “Këndi i Ekspertit” në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në rubrikën “Mjeku im” këtë të premte ka qenë e ftuar Marsida Belshaku, mjeke stomatologe pranë Spitalit SALUS. Eksperti jonë ka sqaruar qytetarët për implantet detare, kushtet kur duhet bërë këto ndërhyrje dhe avantazhet. Po kështu doktoresha Marsida Belshaku ka folur edhe për ndërhyrjet në nofull dhe për telat e dhëmbëve. Gjithashtu mjekja u është përgjigjur pyetje live në Report TV të qytetarëve të ndryshëm.

Sot do të flasim për implantet dentare. Çfarë janë implantet dentare?

Kam përshtypjen që të gjithë e dimë se çfarë janë implantet dentare. Kjo është një zgjidhje e kohëve të fundit, optimale terapeutike për rehabilitimin e kafshimit në zonat ku nuk kemi dhëmbë. Sigurisht që zonat duhet të na ofrojnë edhe kushte të kockës sepse edhe kocka duhet të jetë e mjaftueshme, në aspektin vertikal dhe horizontal për ta pranuar implantin dentar. Implanti, e thënë thjesht, është një strukturë prej titaniumi ose titanium puro, d.m.th. ose një aliazh i titaniumit me minerale të tjera, një përqindje shumë e vogël, ofron një stabilitet të lartë dhe një biokompatibilitet me kockën e njeriut, në kuptimin që në momentin që implanti vendoset në kockë, kocka jonë e pranon ose implanti integrohet në kocka, vazhdon që të rritet dhe të shërohet rreth e qark implantit dhe ta shtrëngojë fort në mënyrë që stabiliteti primar që kemi në momentin e vendosjes rritet akoma më shumë.

Cilat janë avantazhet në momentin që ne bëjmë një ndërhyrje dhe kemi një dhëmb me implant. A e mbron një dhëmb implant dhëmbin tonë?

E mbron në kuptimin që ti ke një humbje biologjike më të vogël në momentin që vendos ta rehabilitosh kafshimin duke vendosur një implant, sepse në rast se nuk do të zgjidhje implantin, do të bënim preparimin e dy dhëmbëve të shëndetshëm që të bënim një urë. Kurse në rastin e implantit shfrytëzojmë hapësirën duke mos prekur dhëmbët ngjitur, të cilët mund të jenë të shëndetshëm. Pra, implanti është një vidë prej titaniumi, siç thamë edhe më lart, e cila është e vidhosur fort në kockë dhe zëvendëson rrënjën e një dhëmbi normal. Gjithsesi implanti ka ndryshime nga dhëmbi ynë, sepse nuk ka atë strukturën e legamentit parodontal që ka dhëmbi, sepse dhëmbi normalisht ka një farë lëvizshmërie, kurse në rastin e implantit nuk kemi lëvizshmëri sepse ai është më se i integruar, është në kockë dhe nuk lëviz. Kjo është e rëndësishme sepse në momentin që ne do të vendosim të bëjmë një urë, e cila është e mbështetur mbi implante, nuk mund të përfshijmë në urë një dhëmb natyral, d.m.th. të shfrytëzojmë si këmbë të urës një rrënjë të një dhëmbi natyral, sepse normalisht edhe implanti, edhe dhëmbi, kanë një përgjigje biologjike të ndryshme nga njëri-tjetri dhe nëse ne, implantit i ushtrojmë atë lëvizshmërinë që e zotëron dhëmbi natyral, normalisht që nuk mund të ofrojmë një stabilitet në kohë.

Të flasim pak për nofullën. Ka shumë persona, të cilët kanë probleme me pjesën e nofullës. Si mund të bëjnë ata një ndërhyrje, e cila quhet maxilo-faciale, e cila është një kirurgji orale.

Është më shumë se kirurgji orale, e cila ofrohet në Spitalin SALUS. Është një departament i gjerë, me një ekip prej pesë mjekësh të specializuar në fusha të ndryshme; kemi mjekun ortodontist, me të cilin punojmë shumë ngushtë, kemi kirurgun oral. Kirurgjia ortonjatike bëhet kur kemi disa deformime të gojës në lidhje me raportin e nofullave në hapësirë, të cilat nuk na ofrojnë mundësinë që ne të kompensojmë një kafshim të gabuar me anën e ortodontësisë, sepse kemi të vendosura kockat e nofullës në hapësirë, në raporte jo të mira, d.m.th. që të bëjmë kompensimin thjesht me ortodontësi. Me anë të kirurgjisë maxilo-faciale bëhet prerja e kockave të nofullës së sipërme dhe të poshtme, bëhet ripozicionimi në hapësirë i këtyre kockave në një mënyrë që në një moment të dytë të mund të rregullojmë edhe kafshimin. Kjo është diçka e bukur edhe nga ana estetike. Rezultati estetik shihet që në fillim dhe në fund të fundit, për këtë qëllim bëhet edhe kjo ndërhyrje. Është një kirurgji e rëndësishme.

A ka rrezikshmëri kjo lloj ndërhyrjeje?

Jo, nuk ka fare rrezikshmëri. Ne këtë ja shpjegojmë në përditshmërinë e punës sonë të gjithë pacientëve. Nuk duhet të trembemi nga kjo lloj kirurgjie. Gjithçka, çdo veprim bëhet nga brenda gojës. Nuk kemi asnjë lloj inçizioni në fytyrë. Vetëm se pas ndërhyrjes kirurgjikale, normalisht që mund të kemi edema, të cilat janë të kontrolluara dhe edema normalisht, në momentin që kemi një prerje kocke është pjesë e shërimit. Në vendet ku është prerë nofulla e sipërme dhe e poshtme, edhe dhimbja është e menaxhueshme, thjesht me qetësues si paracetamoli dhe sigurisht, gjithnjë nën kujdesin e mjekut.

Në rastet kur vendosim tela në dhëmbë, sa kohë duhet që t’i mbajmë ato?

Kjo varet nga situata. Bëhet një plan trajtimi në bazë të rastit konkret. Mund të vendosen tela në fillim të trajtimit, të organizohet kafshimi në një mënyrë të tillë, që në momentin e prerjes së nofullave gjatë ndërhyrjes, ta kemi më të mundur lëvizjen në hapësirë, spostimin e kockave. Bëhet edhe një seancë e dytë ortodontike, post-kirurgjikale. Kështu që kohëzgjatja e mbajtjes së telave varet nga rasti, mund të shkojë një vit apo dy vite. Nuk mund ta them ekzaktësisht sepse kjo zgjat në varësi të rastit që kemi.

A duhet që pacienti të këshillohet fillimisht me mjekun stomatolog, përpara se të kryejnë një implant dhëmbi? Të gjithë pacientët mund ta vendosin implantin?

Sigurisht që konsultimi me mjekun specialist është hapi i parë. Normalisht jo të gjithë pacientët mund ta vendosin implantin. Ka raste kur pacienti trajtohet me radioterapi, për shkak të një problem onkologjik që mund të ketë. Po flasim pë radioterapi të kockës dhe të qafës, e cila zakonisht shoqërohet edhe një fibrozë të kapilarëve të gjakut dhe në rast se ne vendosim implantin, normalisht që do të shoqërohet me nekrozë post-implantare. Ky është një rast kur implanti nuk mund të vendoset. Gjithashtu te pacientët që vuajnë nga osteoporoza, nuk mund të vendosin implant. Te pacientët që vuajnë nga diabeti impanti vendoset në ato raste kur diabeti është i kontrolluar. Te personat që janë konsumues të duhanit, vendosja e implantit paraqet vështirësi në aspektin e shërimit të plagëve. Te personat që konsumojnë alkool kocka nuk ofron një stabilitet ashtu siç duhet, kështu që edhe në këto raste vendosja e implantit është me dyshime.

Flas nga Fushë-Kruja. Dua të di nëse implanti mund të bëhet te personat që vuajnë nga diabeti.

Në rast se kemi një pacient me një diabet të kontrolluar, patjetër që mund të vendoset implanti. Në rast se kemi diabet të pakontrolluar, duhet të presim patjetër që kushtet të plotësohen, d.m.th. që diabeti të jetë i kontrolluar, për faktin se shërimi i plagëve te pacientët që vuajnë nga diabeti, është më i vështirë. Kjo është arsyeja e vetme. Në të tilla raste ne komunikojmë dhe bashkëpunojmë edhe me mjekun specialist që trajton sëmundjen e diabetit te pacienti i interesuar për implant dhëmbi. Në këtë mënyrë ne informohemi për gjendjen shëndetësore të pacientit dhe pastaj të vendosim me procedurat tona.

Flas nga Fieri. Një person më ka goditur me grusht dhe fillimisht m’u mpinë dhëmbët përpara. Nuk bëra asnjë gjë sepse kisha shumë frikë. Pastaj dy dhëmbët e parë m’u thyen. Tjetrin e kam gjysmë të thyer. M’u enjt ana e majtë dhe përdora antibiotikë. M’u ul e enjtura, por nga mishrat e dhëmbëve më del gjak. Një dentist më ka thënë që të mos e laj gojën me furçë, por ta fërkoj me gisht.

Ky është një rast rutinë, d.m.th. pjesa e gjakosur e mishrave të dhëmbëve. Pothuajse pjesa më e madhe e pacientëve ankohet për këtë gjë sepse edhe higjiena e përditshme e gojës nuk është e duhura, megjithëse ne japim udhëzimet e duhura që duhet të jetë strikte d.m.th. në mëngjes dhe në darkë duhet patjetër që të pastrohen dhëmbët dhe të masazhohet edhe pjesa e mishrave me një furçë të butë dhe kjo do të ndihmonte shumë.

Unë nuk e di arsyen përse stomatologu e ka udhëzuar zonjën që të mos përdorë furçë. Absolutisht që dhëmbët nuk mund të lahen dhe nuk duhet të lahen me gisht. Kemi disa lloje furçash, të cilat mund t’i përdorim sipas nevojave që kemi. I rëndësishëm është veprimi mekanik i furçës në larjen e dhëmbëve. D.m.th. goja mund të lahet edhe fare pa pastë dhëmbësh, por veprimi mekanik i pastrimit që ushtrojnë fijet e furçës te mishi i dhëmbëve dhe te dhëmbët është mjaft i rëndësishëm. Ka furça post-kirurgjikale, pra janë disa furça me fije shumë të buta, që rekomandohen të përdoren pas ndërhyrjeve kirurgjikale. Gjithsesi furça duhet përdorur patjetër. Edhe një shpëlarës i mirë i gojës është mjaft i rëndësishëm që të përdoret në mëngjes dhe në darkë.

G.M./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

'Ata ishin 2 autorë!' Policia do të rimarrë në pyetje babain e shokut të Martinit: I dyti ka pasur thikë më të vogël

'Ata ishin 2 autorë!' Policia do të rimarrë në pyetje babain e shokut të Martinit: I dyti ka pasur thikë më të vogël