Këndi i Ekspertit/ Ja simptomat e varësisë nga droga e alkooli

Në emisionin e mirënjohur “Këndi i Ekspertit” në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në rubrikën “Mjeku im” këtë të javë ka qenë e ftuar Enkelana Lekli, psikologe klinike pranë

Spitalit SALUS. Mjekja ka folur për një temë mjaft të ndjeshme për varësinë ndaj drogës dhe alkoolit. Ekspertja jonë ka sqaruar se çfarë konsiderohet varësi patologjike dhe se cilat janë simptomat? Ajo ka treguar se cilat janë llojet e varësisë më të përhapura në vendin tonë dhe se cilat janë çrregullimet psikologjike që shkaktohen nga përdorimi i substancave narkotike, Mjekja Enkelana  Lekli ka shpjeguar se pse duhet të kërkojmë ndihmë. Më pas ajo u është përgjigjur pyetjeve live të qytetarëve.

Sot do të flasim për varësinë ndaj drogës dhe alkoolit.

Çfarë konsiderohet varësi patologjike? Cilat janë simptomat?Cilat janë llojet e varësisë më të përhapura në vendin tonë?Cilat janë çrregullimet psikologjike që shkaktohen nga përdorimi i këtyre substancave narkotike? Pse duhet të kërkojmë ndihmë?

Kjo është një temë shumë e ndjeshme për sa u përket të rinjve, sidomos për ata që kanë rënë pre e këtyre veseve.

Si fillim dua të shpjegoj se çfarë është varësia, në tërësi. Çdo qenie njerëzore është e varur, lind e varur, jemi të varur nga prindërit tanë, jemi të varur nga ambienti ku ne jetojmë, jemi të varur nga politika, nga ekonomia dhe nga gjëra më rutinë, nga gjërat më të vogla, të cilat ne i kryejmë në përditshmërinë tonë. Koncepti i varësisë është i lidhur shumë ngushtë me konceptin e kënaqësisë. Përpara se të shpjegoj varësinë patologjike, duhet të shpjegoj se çfarë është kënaqësia. Kënaqësia është një ndjenjë, është një eksperiencë të cilën individi e përjeton në një moment të caktuar të jetës së tij. Kjo kënaqësi sjell aspekte fizike pozitive dhe aspekte psikologjike pozitive, domethënë ndikon pozitivisht. Të njëjtën gjë kur kjo kënaqësi bëhet edhe më e kërkueshme në përditshmërinë e individit, atëherë kjo shndërrohet në varësi patologjike.

Varësia patologjike është një luhatje e sjelljes, pra nga një sjellje normale ditore bëhet një sjellje patologjike. Ky është ndryshimi midis asaj çfarë quhet varësi dhe varësi patologjike.

Si mund ta kuptojmë se cilat janë sjelljet patologjike më të rënda? Si mundet një prind të kuptojë që fëmija e tij ka rënë pre e kësaj patologjie?

Në moshën e adoleshencës janë ato eksperiencat e para, ku edhe adoleshentët përdorin në mënyrë sporadike, sepse nuk mund të themi se një 17-18-vjeçar është i varur patologjikisht nga droga, nga alkooli apo nga lojërat e fatit. Fillon në një mënyrë sporadike sepse ndikohet nga ambienti, nga njerëzit që e rrethojnë, nga shokët. Një nga mënyrat është edhe ajo për t’u bërë pjesë e rrethit shoqëror, prandaj edhe adoleshenti ndjek shembujt që ndjekin edhe shokët e tjerë. Fillimisht, ai bie nga mësimet, d.m.th. ky fëmijë nuk ka më interes për shkollën, nuk ka më interes për librat, dëshiron që të jetë gjithmonë i rrethuar nga njerëzit, të dalë jashtë kontekstit familjar. Ndërsa në familje ndodh komplet e kundërta. Ai dëshiron të rrijë i vetmuar, të mos flasë shumë, sepse ka frikën se mund të dallohet. Një karakteristikë tjetër është edhe nervozizmi, sidomos kur prindërit e pyesin më tepër për shkollën apo për jetën sociale që ai ka jashtë kontekstit familjar. Kërkon të dalë natën nga shtëpia, kërkon të frekuentojë pub-et e natës.

Ekzsiton mundësia për të rënë pre në club-et e natës?

Nëse këto dalje bëhen gjithnjë e më të shpeshta, patjetër, sepse siç e thashë më përpara, ky adoleshent ndikohet nga shoqëria.

Cilat janë disa simptoma të tjera, që prindi të kuptojë se diçka nuk shkon me fëmijën e tij?

Agresiviteti, irritimi, debatet dhe përgjigjet jo normale, daljet e vazhdueshme. Në rastin e përdorimit të marijuanës kemi skuqje të syve. Këto janë disa prej simptomave. Janë një sërë faktorësh, të cilët bëjnë që një individ, pra jo vetëm adoleshentët, të bëhet pre e alkoolit, e drogës apo të lojërave të fatit. Mund të jetë edhe si një konsekuencë e një abuzimi fizik, e një abuzimi psikologjik apo e një abuzimi seksual që mund të jetë bërë ndaj këtij individi. Mundet që individi të vijë nga një familje disfunksionale, nga një familje në të cilën ushtrohet dhunë, ku ngrihet zëri, jo vetëm ndaj këtij individi, qëmund të jetë djali apo vajza, por edhe kundrejt nënës. Për fat të keq, në familjet shqiptare ekziston ende ky fenomen i theksuar i maskilizmit, ku ushtrohet ende dhunë. Kjo është një nga arsyet. Një arsye tjetër është kur njëri prej pjesëtarëve të familjes është përdorues i lëndëve narkotike apo i alkoolit. Tendenca që edhe fëmija të ndjekë po të njëjtën rrugë, është akoma dhe më e madhe.

Cilat janë llojet e varësisë, më të përhapura në vendin tonë?

Në vendin tonë varësitë janë të shumta. Kemi varësitë ndaj drogës, të cilat ndahen në disa tipe. Më të përhapurat në Shqipëri janë heroina dhe kokaina. Mund të themi që në vendin tonë, sipas një studimi të huaj që është bërë, janë rreth 70 mijë persona konsumatorë të këtyre dy llojeve droge. Por, më tepër e përdorur është kokaina. Edhe alkooli është shumë i përdorur sidomos nga moshat e dyta dhe nga moshat e treta. Por edhe ludopatia ose, siç e quajmë ndryshe, frekuentimi i lojërave të fatit. Deri para disa kohësh, kur në Shqipëri ishin të lejuara lojërat e fatit apo llotosportet, shumica e njerëzve e kishte maninë për ta provuar një herë fatin. Duhet të themi gjithashtu që jemi edhe një vend i varfër për sa i përket aspektit ekonomik dhe shpresa për të gjetur një mënyrë alternative për të fituar, është shumë e madhe.

Në klinikën tuaj, a vijnë të rinj dhe të reja për të kërkuar ndihmë?

Patjetër që vijnë.

Çfarë mund të themi diçka më tepër? Të rinjtë vijnë vetë apo interesohen prindërit e tyre? Ju përmendët një shifër të madhe përdoruesish, por a trajtohen?

Në Shqipëri format më të përdorura janë alkooli dhe drogat, të cilat ndahen në disa kategori: drogat depresante, si heroina, marijuana; drogat stimulante, si kokaina; droga halucinogjene, si ketamina, LSD-ja etj. Këto janë më të përhapurat.

A është e vështirë të komunikosh dhe t’i ndihmosh këta persona, sepse disa vijnë vetë dhe për disa të tjerë interesohen familjarët. Mund të na jepni pak më shumë informacion, sepse për këtë temë na kanë shkruar shumë njerëz, të cilët ndoshta kanë nevojë për ndihmë, por edhe ngurrojnë.

Aktualisht në vendin tonë, deri para pak kohësh, i vetmi repart apo i vetmi vend në të cilin trajtoheshin problemet e varësisë nga alkooli dhe nga droga, ishte reparti i toksikologjisë në QSUT. Në të njëjtin repart, për fat të keq, trajtohet edhe një individ, i cili tenton të vetëvritet, duke përdorur helme të ndryshme, apo edhe një individ, i cili shtrohet në këtë repart për arsyen se e ka pickuar një insekt helmues apo një gjarpër. Por, që të flasësh për varësinë, është një botë më vete. Varësia trajtohet në shumë aspekte sepse është një çrregullim i cili prek shumë aspekte. Ajo prek aspektin emocional, aspektin psikologjik, fizik dhe shpirtëror. Prandaj, varësia duhet që të trajtohet nga një ekip terapeutik shumë i gjerë. Ajo nuk mund të trajtohet vetëm nga mjeku apo vetëm nga psikologu.

Ju folët për QSUT-në. A disponojmë ne mundësi për t’i trajtuar ashtu siç duhet të gjithë ata persona që kanë nevojë, sepse me gjithë dëshirën për t’i ndihmuar mundësitë mund të jenë të pakta nga familjarët e tyre. A janë të kushtueshme terapitë për këto raste?

Unë nuk mund të them një çmim fiks. Siç thashë edhe më lart, qenia njerëzore është racionale. Kjo varet edhe nga sasia e lëndës së konsumuar, nga kohëzgjatja e këtij konsumimi. Ne e shikojmë këtë formë patologjie nga shumë këndvështrime, si nga ana fizike ashtu edhe nga ana psikologjike. Fillimisht ka një proces trajtimi. Hapi i parë është konsulta me mjekun specialist toksikolog, i cili këshillon disa analiza për të parë gjendjen fizike dhe organike të pacientit. Pasi merret përgjigjja e këtyre analizave, bëhet konsulta me mjekun internist, i cili bën një vlerësim të pacientit dhe nga ky vlerësim vendoset nëse pacienti duhet të bëjë ekzaminime shtesë, ka nevojë për një shtrim detoksifikimi në kushte spitalore apo ka nevojë thjesht për hyrjen në programin terapeutik. Dhe këtu nuk mund të flas për çmime.

Sa mund të zgjasë një terapi?

Terapia mjekësore e detoksifikimit mund të zgjasë një javë apo 10 ditë, por për këtë vendos mjeku toksikolog dhe mjeku internist, sepse mund të kemi pacientë që vijnë me probleme të ndryshme si cerozë, apo kanë probleme me mushkëritë, me zemrën. Për këtë arsye bëhet edhe një check-up i limituar, për të parë gjendjen fizike të pacientit dhe më pas futjen në një program terapeutik.

Flas nga Vlora. Nipi im ka qenë në emigrim në Zvicër. Nga ana mendore nuk është mirë dhe po dobësohet akoma më shumë. Ndoshta mund të ketë konsumuar ndonjë substancë narkotike në Zvicër. Mendoj kështu sepse ka qenë njeri shumë i rregullt dhe që kur është kthyer nga Zvicra dëshiron të rrijë vetëm, të flejë vetëm në shtëpi, pi vetëm duhan, ushqehet pak. Si mundemi ta ndihmojmë?

Sigurisht që diçka ka ndodhur me këtë të ri, sepse ai shfaq një ndryshim rrënjësor. Kjo mund të ndodhë edhe si pasojë e largimit të tij nga Shqipëria apo e rikthimit të tij në Shqipëri. Mund të jetë si pasojë edhe e konsumimit të ndonjë substance. Nuk mund ta evitoj këtë si mundësi. Por, pa u takuar dhe pa biseduar me vetë personin, nuk mund të arrij në përfundimin nëse është apo jo konsumator i substancave narkotike. Duhet biseduar patjetër nga afër me të, sepse qenia njerëzore është shumë racionale dhe ndoshta as edhe me dy-tre takime nuk arrin ta shfaqë sepse ndoshta edhe vetë ai nuk arrin ta kuptojë problemin e tij. Mua më gjejnë në Spitalin SALUS.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Mozambiku në kaos pas protestave, 33 të vdekur nga revolta në burg dhe mbi 1500 të arratisur

Mozambiku në kaos pas protestave, 33 të vdekur nga revolta në burg dhe mbi 1500 të arratisur