Këndi i Ekspertit/ Glaukoma e syrit si parandalohet dhe si trajtohet

Në emisionin e mirënjohur “Këndi i Ekspertit” në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në rubrikën “Mjeku im” këtë të javë ka qenë i ftuar Eugen Dautllari, mjek okulist pranë Spitalit SALUS. Eksperti ynë ka sqaruar qytetarët për sëmundjen e glaukomës së syrit ose siç njihet ndryshe tensioni i syrit. Mjeku ka sqaruar fillimisht se çfarë është kjo sëmundje dhe a mund të parandalohet parandalohet. Më pas ai ka sqaruar se cilat janë ekzaminimet e duhura për diagnostikimin e glaukomës së syrit dhe se si trajtohet ajo, duke shpjeguar edhe faktorët e riskut. Më pas mjeku Eugen Dautllari u është përgjigjur pyetjeve live të qytetarëve.

Do të flasim sot për glaukomën e syrit ose për tensionin e syrit, siç njihet ndryshe. Çfarë është kjo sëmundje? A parandalohet ajo? Cilat janë ekzaminimet e duhura për diagnostikimin e glaukomës së syrit? Si trajtohet ajo? Cilët janë faktorët e riskut? A shërohet kjo sëmundje?

Glaukoma është vjedhësi i heshtur i shikimit. Si fillim, merr shikimin periferik pastaj merr edhe pjesën qendrore dhe kështu çon deri në verbëri. Kjo sëmundje mund të parandalohet. Por glaukoma nuk mund të trajtohet plotësisht sepse atë që ka marrë nuk e kthejmë dot më. Për këtë arsye janë shumë të rëndësishme kontrollet te mjeku specialist për të monitoruar tensionin e syrit.

Tensioni i syrit monitorohet në dy mënyra: ose duke ulur prodhimin e lëngut të syrit, ose duke rritur rrjedhjen e tij nëpërmjet këndit të syrit.

A ekziston mundësia që një pacient të jetojë me sëmundjen e glaukomës dhe të mos verbohet?

Ka mënyra me të cilat mund të jetosh gjatë gjithë jetës me glaukomë dhe të mos arrihet verbimi. Por, kur është arritur momenti final, nuk ekziston më as mundësia më e vogël që pacienti të shërohet.

Në rastin e glaukomës, ndodh kur nervi optik, i cili transmeton imazhet në tru, në momentin kur ushtrohet presion nga tensioni i lartë, ai atrofon ose dëmtohet dhe, si pasojë, nuk transmeton më imazhet në tru. Fillimisht glaukoma fillon nga pjesët periferike të syrit, dhe në fund lë pjesën anësore, dhe zakonisht në këtë fazë pacientët fillojnë ta kuptojnë dëmtimin. Zakonisht, kur vijnë te mjeku okulist për diagnostikimin e parë, njëri nga sytë ka dëmtime të avancuara, ndërsa tjetri është ende në gjendje të mirë.

Sot ka aparate për matjen e tensionit të syrit, por pacienti nuk ka asnjë mundësi që ta bëjë këtë gjë në shtëpi, siç bëhet zakonisht matja e tensionit arterial. Për të matur tensionin e syrit pacienti duhet patjetër që të shkojë te mjeku okulist. Edhe në rastet kur pacienti shkon te mjeku okulist për një vizitë apo kontroll rutinë, bëhet matja e tensionit të syrit. Aty shihet edhe pjesa e pasme e syrit, pra shikohet nervi për të cilin folëm pak më parë. Dhe pas këtij kontrolli, mjeku vendos pastaj për diagnozën. Që mjeku të arrijë në përfundimin se pacienti vuan nga glaukoma e syrit duhet që, të paktën, të konstatojë dy nga faktorët kryesorë: tensionin e lartë në sy dhe dëmtimet në nerv. Këta dy faktorë i analizojmë edhe duke bërë një skaner të syrit, ku analizohet koka e nervit, ssi edhe fusha periferike e cila na krijon atë pamjen e nxirë.

Jam nga Berati. Jam operuar para 6 muajve me perde në sy. Unë nuk e dija që kisha diabet kur u operova, e kam zbuluar më pas. Që nga dita kur jam operuar e deri tani, kam pasur dhembje në të dy sytë. Çfarë duhet të bëj?

Pra zonja është operuar për të hequr perden e syrit dhe vuan edhe nga diabeti. Kjo është një patologji ndryshe nga glaukoma e syrit. Por, edhe sëmundja e diabetit, duke krijuar enë gjaku të reja në beben e syrit, mund të krijojë një lloj glaukome, e cila quhet glaukomë neovaskulare. Kjo e bën të vështirë balancimin e tensionit të syrit. Dhe kur vjen faza e fundit e glaukomës, nervi nuk rigjenerohet më. Në këtë rast mjeku okulist jep mjekime, por është i pamundur operimi, sepse operacionet në rastet me glaukomë neovaskulare dështojnë shpesh. Vetëm me mjekime, mund të bëhet ulja e tensionit të syrit. Sëmundja e diabetit i dëmton të gjitha strukturat e syrit. Ekzaminimi i duhur është skaneri i syrit. Trajtimet janë të kombinuara me injeksione brenda në sy, të cilat ulin prodhimin e enëve të reja të gjakut që i shkakton sëmunja e diabetit. Gjithashtu kemi edhe trajtimin me lazer, i cili bën djegien e zonave ishemike.

Prej 5 vitesh mjekohem me Timolol për tensionin e syrit. Këtë mjekim ma ka dhënë mjeku okulist. Farmacistja, ku marr mjekimin çdo muaj rregullisht, më thotë që ky mjekim skadon, nëse përdoret më shumë se 30 ditë. A është e vërtetë kjo gjë? Dhe pyetja tjetër: tensionin e syrit duhet ta mas një herë në tri javë? Si duhet të veproj?

Atëherë, për sa i përket mjekimit, për të cilin farmacisja thotë se skadon për 30 ditë, normalisht që skadon sepse ai është në ampulë dhe kur hapet aai duhet ruajtur me kujdes, në vende të errëta dhe të freskëta, dhe pas një muaji duhet hedhur. Nëse nuk hapet jetëgjatësia e tij është aq sa është shënuar në datën e skadencës. Diagnostikimi i glaukomës bëhet duke bërë një vizitë të thjeshtë, bëhet matja e tensionit të syrit, nëse tensioni i syrit është i shoqëruar me dëmtime të nervit, gjë e cila shikohet gjatë vizitës te mjeku okulist. Kemi pastaj edhe skanerin e syrit, i cili analizon dëmtimet e nervit. Kemi edhe një analizë tjetër, e cila quhet fushë vizive, që analizon fushëpamjen. Pacienti ulet para një aparati dhe shtyp një buton. I shfaqen drita përreth dhe kjo krijon një hartë sesi është shikimi periferik i pacientit. Të paktën, pacienti duhet që të ketë një nga këto dëmtime, nëse i është shfaqur sëmundja e glaukomës. D.m.th. tensioni i lartë i syrit jo gjithmonë shkakton dëmtime të fijeve nervore. Megjithatë, në shumicën e rasteve, ulja e tensionit të syrit është e vetmja mënyrë për të mos arritur te dëmtimi i këtyre fijeve nervore. Nëse zotëria ka bërë analizën e fushës vizive, ka bërë skanerin e syrit, ka bërë matjen e trashësisë së kornesë, atëherë bëhet vlerësimi nëse ka glaukomë apo jo.

Si bëhet kontrolli në vazhdimësi i pacientit?

Pacienti duhet të bëjë kontrollin te mjeku okulist, të paktën një herë në vit. Në këto kontrolle shikohet edhe pjesa e prapme e syrit. Theksoj se këto kontrolle duhet t’i bëjnë të gjithë njerëzit mbi moshën 40 vjeç, sepse kjo është një sëmundje që fillon të shfaqet me rritjen e moshës. Zakonisht glaukoma fillon të shfaqet në moshën 60 vjeç e më lart, por ka raste që është shfaqur edhe në moshën 40 vjeç ose edhe më herët. Duke bërë kontrolle të rregullta, bëhet edhe filtrimi. Normalisht duhet bërë matja e tensionit të syrit një herë, të paktën deri në moshën 40 vjeç. Gjithashtu duhet bërë edhe një vizitë e plotë e syrit.

Flas nga Tirana. Kam punuar shofer. Jam operuar nga glaukoma dhe kam pasur tension të lartë të syrit. Pas operacionit që bëra këtu në Shqipëri, jam vizituar në Xhenova dhe në Athinë. Marr mjekime rregullisht, por tani kam shqetësime në syrin tjetër. Më kruhen shumë sytë dhe kur hedh mjekimin, më skuqen.

Zotëria ka operuar njërin sy për glaukomë. Sigurisht që me kryerjen e operacionit nuk do të thotë që përfundoi gjithçka dhe ai është shëruar. Efekti i operacionit zgjat deri në 3 vite pa terapi. Pastaj rimbyllet sepse krijohet një lloj valvule me indet e syrit, e cila filtron lëngun e syrit për njëfarë periudhe. Por ndodh edhe që të dështojë si ndërhyrje që në tri javët e para. Edhe pas ndërhyrjes kontrolli i syrit duhet të vazhdojë, si edhe matja e tensionit të syrit. Në qoftë se tensioni i syrit rritet sërish, atëherë i këshillohet pacientit që, ose të fillojë terapinë me pika dhe në qoftë se nuk kompensohet me këtë terapi, atëherë duhet të bëjë ndërhyrje tjetër. Zotëria ka probleme kur përdor mjekimin. Ky mjekim ka si efekt kryesor që të ulë tensionin e syrit, por ashtu si çdo mjekim tjetër, ka edhe efektet e tij anësore. Zotëria u ankua për kruarje dhe skuqje, dhe në këtë rast mund të shtohet edhe një mjekim tjetër, i cili i shton artificialisht lotët. Kështu që syri nuk thahet dhe nuk jep atë ndjesinë sikur është mbushur me rërë. Patjetër që zotëria duhet t’i kontrollojë të dy sytë te mjeku okulist. Ka raste që skuqja e sytë nuk mund të evitohet. Të dy ilaçet që merr zotëria i përkasin të njëjtit grup dhe nëse njëri nuk suportohet atëherë i jepet tjetri. Por nuk ka shumë ilaçe të këtij lloji që bëjnë uljen e tensionit të syrit. Në pacientë të ndryshëm japin efekte të ndryshme.

A parandalohet sëmundja e glaukomës?

Glaukoma mund të parandalohet duke ulur tensionin e syrit, por ajo trajtohet për të ruajtur atë që ka mbetur e paprekur prej saj, pasi pjesa e dëmtuar nuk shërohet më.

Cilat janë risqet e tensionit të lartë në sy?

Risqet fillojnë me rritjen e moshës. Mosha e avancuar mund të zhvillojë një tension të lartë syri. Raca afrikane vuan më shumë nga glaukoma. Sëmundje të tjera, si p.sh. diabeti që vështirëson filtrimin e lëngut, ndikojnë në rritjen e tensionit të syrit. Gjithashtu mund të ndikojnë traumat e syrit, të cilat në gjenezë janë ato ku njëra nga strukturat dëmtohet dhe bllokon edhe qarkullimin e lëngut të syrit. Gjithashtu ndikojnë edhe sëmundjet inflamatore. Të gjitha këto shkaktojnë rritje të tensionit të syrit, i cili pastaj mund të arrijë deri në dëmtimin e nervit optik.

Në momentin kur arrihet dëmtimi total, pra atrofia e nervit, nuk ka më shpresa për të rikthyer shikimin. Kështu që nuk duhet të arrijmë deri këtu dhe, për këtë, duhet të normalizojmë tensionin e syrit. Normalizimi i tensionit të syrit bëhet me kolire, me goditje me lazer dhe me ndërhyrjen e cila bën rolin e një valvule me indet e veta të syrit. Sigurisht që nuk zgjat gjatë gjithë kohës. Ka një periudhë kohore nga 3 javë deri në 3 vite që shtyhet, pa terapi dhe pastaj duhet ribërë. Dëmtimet monitorohen me fushë vizive dhe me skaner syri dhe nëse rezulton se dëmtimi ka avancuar edhe gjatë marrjes së terapisë, atëherë duhet bërë ndërhyrja kirurgjikale.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rriten investimet e huaja në vend, rekord në pasuri të patundshme! Kryesojnë Turqia, Italia dhe Holanda

Rriten investimet e huaja në vend, rekord në pasuri të patundshme! Kryesojnë Turqia, Italia dhe Holanda