Këndi i Ekspertit/ Shpërblimi i pensionistëve, ja ç’ndodh me ata që s’e tërheqin në 2018

Këndi i Ekspertit/ Shpërblimi i pensionistëve, ja ç’ndodh me ata që s’e tërheqin në 2018

Fadil Kepi në emisionin Këndi i Ekspertit

Në emisionin “Këndi i Ekspertit” në Report Tv, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, ditën e mërkurë, ka qenë i ftuar eksperti i problematikave të pensioneve, Prof. Dr. Fadil Kepi. Në këtë emision Profesor Kepi ka sqaruar qytetarët fillimisht për mënyrën e shpërndarjes së shpërblimit të festave të fundvitit që ka akorduar qeveria. Eksperti ynë sqaron një nga pyetjet më të shpeshta që kanë bërë ditët e fundit shumë pensionistë se çfarë ndodh me ata që ndodhen jashtë vendit ose nuk kanë mundësi fizike që të tërheqin shpërblimin brenda këtij viti. Më pas profesor Kepi ka sqaruar qytetarët për pyetjet e shumta që kanë mbërritur në redaksi.

Për pensionistët është miratuar një Vendim i Këshillit të Ministrave, në datën 12.12.2018, sipas të cilit të gjithë pensionistët do të përfitojnë një shpërblim prej 5.000 lekësh të rinj, për festat e fundvitit. Gjithashtu është miratuar edhe një tjetër Vendim të Këshillit të Mimistrave, po i datës 12.12.2018, për përcaktimin e masës së ndihmesës së menjëhershme financiare bonus për nënat që do të lindin fëmijët e tyre. Ky vendim do të fillojë zbatimin e tij në muajin janar 2019.

Me Vendimin nr. 732 të datës 12 dhjetor të këtij viti, botuar në Fletoren Zyrtare nr. 176, thuhet kështu: “Të gjithë pensionistët, të cilët kanë dalë në pension deri në datën 12 dhjetor të këtij viti, do të përfitojnë shpërblim nga 5.000 lekë çdo pensionist”. Kur them të gjithë pensionistët, janë rreth 650.000 pensionistë. Por sqaroj, se pjesën më të madhe e përbëjnë pensionet e pleqërisë. Vendin e dytë e zënë pensionet e invaliditetit, vendin e tretë e zënë pensionet familjare, përfshi këtu edhe pensionet sociale. Të gjithë këta do të marrin nga 5.000 lekë shpërblim. Instituti i Sigurimeve Shoqërore, i cili është ngarkuar nga qeveria, ka marrë masat e duhura dhe dhënia e shpërblimit ka filluar që nga dita e hënë. Pensionistët, të cilët e kanë pasur datën e pensionit ditën e hënë, kanë marrë së bashku me pensionin edhe shpërblimin. Kështu do të vazhdojë edhe në ditët në vijim. Janë disa pensionistë, të cilët ndodhen pranë fëmijëve të tyre ose do të shkojnë pranë fëmijëve të tyre jashtë Shqipërisë dhe nuk kanë mundësi ta tërheqin shpërblimin. Nuk duhet të shqetësohen fare. Shpërblimet do të vazhdojnë të ndahen deri në datën 31 dhjetor. Të gjitha pikat e Postës Shqiptare që shpërndajnë pensionet, do të punojnë paradite dhe pasdite.

Po ata që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë, a mund ta marrin shpërblimin vitin që vjen? Po nëse kanë llogari bankare a mund t’u transferohet shpërblimi në këto llogari?
Në vendimin e qeverisë thuhet pikërisht kështu. Pra, ata që nuk kanë mundësi ta tërheqin shpërblimin e tyre për arsyen se nuk ndodhen në Shqipëri, ose edhe për arsye të tjera të ndryshme, mund ta tërheqin në muajt e ardhshëm bashkë me pensionin e tyre mujor. Të tjerët, të cilët kanë llogari bankare, Sigurimet Shoqërore do t’ua depozitojnë shpërblimin prej 5.000 lekësh në këto llogari bankare.

Tani të flasim për vendimin e dytë, i cili mban numrin 740, datë 12.12.2018. Edhe ky vendim është botuar në të njëjtën Fletore Zyrtare nr. 176. Sipas këtij vendimi, duke filluar nga data 1 janar 2019, nënat që do të lindin fëmijët e tyre që në minutën e parë të kësaj date e në vijim, do të përfitojnë këto shpërblime: për lindjen fëmijës së parë shpërblimi është 40.000 lekë (të rinj); për lindjen e fëmijës së dytë shpërblimi është 80.000 lekë (të rinj); për lindjen e fëmijës së tretë shpërblimi është 120.000 lekë (të rinj). Në qoftë se një nënë lind fëmijë binjakë, për çdo fëmijë ajo do të marrë shpërblimin prej 80.000 lekësh (të rinj). Në rast se një nënë lind trenjakë, atëherë për çdo fëmijë ajo do të marrë shpërblimin prej 120.000 lekësh (të rinj). Por, edhe çdo nënë që lind më shumë se tre fëmijë njëherësh, dhe raste të kësaj natyre kemi pasur, do të përfitojë 120.000 lekë (të rinj) për çdo fëmijë. Dhe në rast se një nënë lind pesë fëmijë, përsëri do të marrë nga 120.000 lekë për çdo fëmijë.

Flas nga Vora. Jam invalid i grupit të plotë. Para se të aksidentohesha dhe të dilja invalid, kisha 12 vite punë. Kisha edhe 12 vite e 6 muaj punë gjatë sistemit komunist, por ato nuk më janë quajtur sepse më kishte humbur libreza e punës. Kam bërë pesë herë kërkesë dhe asnjë herë nuk kam marrë përgjigje. Kam shkruar edhe te portali “Shqipëria që duam” dhe përsëri nuk kam marrë përgjigje. Çfarë mund të bëj?
Meqenëse zotëria nuk ka marrë përgjigje për kërkesat e tij, unë e njoftoj që çdi ditë të mërkurë, Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore të Tiranës, z. Leonard Kuçi, pret në zyrën e tij. Invalidët i pret me përparësi. Zyrën e ka përballë Universitetit të Sporteve. Në qoftë se zotëria nuk bindet nga përgjigjja që do t’i japë Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Tiranës, përballë gjimnazit “Qemal Stafa” është godina e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, nga i cili varen të gjitha drejtoritë rajonale të Sigurimeve Shoqërore. Shpresoj që problemi i zotërisë do të zgjidhet.

Flas nga Durrësi. Unë dua edhe një vit që të marr pensionin. Jam invalid sepse një këmbë e kam hequr fare, ndërsa këmbës tjetër ia prerë gishtërinjtë. Nuk marr pension invaliditeti sepse më thonë që nuk më takon. Kam më shumë se 20 vite punë.
Ju do të dilni në pension në moshën 65 vjeç, në vitin 2019. Për pension të plotë ju duhen 36 vite e 8 muaj punë të siguruar në Shqipëri, nga mosha 16 vjeçe, pavarësisht se ku keni punuar në fermë, në ish-kooperativë bujqësore, në sektor shtetëror apo edhe në sektor privat, nëse keni qenë i vetësiguruar në bujqësi apo edhe nëse keni pasur një biznes të vogël. Të gjitha ato vite në të cilat ju keni paguar kontributet e sigurimeve shoqërore ju njihen si vjetërsi pune. Gjithashtu ju njihen si vjetërsi pune edhe periudha kur keni kryer shëbimin ushtarak, si edhe periudha kur mund të keni qenë me asistencë. Juve, në rast se mosha e pensionit ju zë me 20 vite punë të siguruar, do të merrni pension të ulët, rreth 55% të vlerës së pensionit të pleqërisë. Ju nuk keni marrë pension invaliditeti për arsye se, sipas Ligjit të Sigurimeve Shoqërore, për të marrë pension invaliditeti duhet, përveç viteve të punës – 20 vite, edhe një kusht tjetër, që nga dita që jeni shtruar në spital e më përpara duhej të kishit 12 muaj punë të siguruar, në 5 vitet e fundit. 12 muajt e punës nuk është e nevojshme që të jenë pa ndërprerje, por të paktën duhej të kishe sigurime vullnetare ose sigurime si i vetëpunësuar në bujqësi. Ju nuk e plotësoni këtë kusht, prandaj nuk keni përfituar pensionin e invaliditetit. Ndërsa pensioni i pleqërisë në moshën 65 vjeç jepet pavarësisht se nuk ke paguar kontributin e sigurimeve shoqërore gjatë 5 viteve të fundit. Mjafton të keni punuar minimalisht 15 vite punë të siguruar në Shqipëri, që nga mosha 16 vjeç, dhe përfitoni pension pleqërie. Unë ju rekomandoj, gjithnjë sipas mundësive financiare që keni, përpara se të plotësoni moshën për të dalë në pension, pra përpara se të mbushni moshën 65 vjeç, të paguani kontributin vullnetar të sigurimeve shoqërore, sipas mundësive financiare. Për çdo vit që ju do të paguani kontribut vullnetar të sigurimeve shoqërore, pensioni ju shtohet me 2,7%, për 10 vite 27%.

Në adresën tonë në Facebook ka ardhur një mesazh. Na shkruan zoti Kutrolli: “Jam një pensionist nga fshati Kapshticë, Bilisht. Kam 2 vite që kam dalë në pension. Problemi që kam është se nuk më janë njohur si vjetërsi pune 9 vite që kam punuar në kooperativë. Arsyeja është se në librin në Korçë janë shkruar gabim, ndryshe janë me fjalë dhe ndryshe me shifra. Edhe komisioni në Korçë më dha përgjigje negative. Edhe nga Tirana mora përgjigje negative. Kam 3 vite që e ndjek këtë problem lart e poshtë. Ju lutem më ndihmoni se tani vetëm te juve kam besim”.
Në radhë të parë zotëria duhet të ketë besim te ligji. Për t’ju njohur vitet e punës për pension, që ju keni punuar në kooperativë bujqësore, duhet të keni punuar nga mosha 16 vjeç e lart. Që nuk gjenden dokumentet e ish-kooperativave bujqësore nuk është faji juaj, por nuk është as faji i Sigurimeve Shoqërore. Punonjësit e Sigurimeve Shoqërore i kërkojnë dokumentet dhe kur dokumentet janë gjenden. Por ka raste që nuk gjenden dokumentet sepse mund të jenë djegur ose për arsye të tjera. Në këtë rast mbetet për t’u ndjekur vetëm një rrugë, ajo e procesit gjyqësor. Me dy persona që mund të jenë shokët tuaj apo moshatarët tuaj duhet të paraqitesh në një proces gjyqësor për vërtetim fakti në Gjykatën e Korçës, ku ata si dëshmitarë të vërtetojnë se ku dhe kur keni punuar ato 9 vite. Ky është një proces që zhvillohet dhe mbaron shumë shpejt. Nëse ato 9 vite do t’ju njihen nga gjykata si vite pune, atëherë detyrimisht do t’ju shtohet edhe vlera e pensionit, në masën rreth 25%. Por kjo shtesë do të fillojë nga dita që do të vendosë gjykata.

Na shkruan z. Dritan Isufaj: “Banoj në Itali. Mamaja ime ka paguar 20 vite kontribute të sigurimeve shoqërore. Ka punuar edhe më parë, nga viti 1977 e deri në vitin 1991, por nuk e ka librezën e punës dhe nuk i njihen vitet e punës. Sa mund t’i dalë vlera e pensionit dhe çfarë duhet të bëj për të gjetur vitet e punës?”
Nëna e zotërisë, sivjet deri më 31 dhjetor, do të dalë në pension pleqërie në moshën 60 vjeçe e 8 muaj. Vitin tjetër, më 2019, del në pension në moshën 60 vjeçe e 10 muaj. Për të përfituar pension të plotë, duhen të paktën të ketë 15 vite punë, nga mosha 16 vjeçe e lart. Nëse ka punuar para moshës 16 vjeçe, siç ka plot raste që kanë punuar në kooperativa apo ferma bujqësore, periudha e punës para moshës 16 vjeçe nuk i njihet si vjetërsi pune për efekt pensioni. Për vitet e punës për të cilat nëna e zotërisë nuk e ka librezën e punës, zotëria duhet t’i bëjë një kërkesë me shkrim Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, aty ku banon në Shqipëri, dhe të parashtrojë kërkesën që ka, si edhe të shkruajë qendrën e punës ku ka punuar zonja. Në këtë rast, Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore i bën një kërkesë Arkivit Qendror të Sigurimeve Shoqërore që ndodhet në Lundër të Tiranës. Brenda 25 ditëve duhet të vijë përgjigjja.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Putin dhe ëndrra për Ukrainën si një shtet kukull i Moskës! Plani i tij për të pranuar armëpushimin

Putin dhe ëndrra për Ukrainën si një shtet kukull i Moskës! Plani i tij për të pranuar armëpushimin