Këndi i Ekspertit/ Si bëhen korrigjimet e gabimeve në të dhënat kadastrale

Në emisionin “Këndi i Ekspertit”, në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në Rubrikën “Prona Ime” ka qenë i ftuar eksperti i çështjeve të pronave Gjergji Begaj, drejtues i Studios Ligjore “Bylis”. Eksperti ynë ka folur fillimisht për një çështje të rëndësishme siç është ajo për korrigjimet e gabimeve në të dhënat kadastrale, neni 16. Janë disa gabime që vijnë nga veprimtaria e Drejtorisë Vendore, të cilat korrigjohen. Eksperti Begaj sqaron rastet se kur konstatohen gabime nga titullari i institucionit ose personat e interesuar dhe si duhen korrigjuar dhe kush e ka përgjegjësinë për korrigjimin. Gjithashtu ai sqaron se a tarifohet shërbimi i korrigjimit dhe sa është vlera e faturës. Më pas Gjergji Begaj u është përgjigjur pyetje që kanë mbërritur nga qytetarët live në Report TV.

Sot do të flasim për korrigjimet e gabimeve në të dhënat kadastrale, neni 16. Janë disa gabime që vijnë nga veprimtaria e Drejtorisë Vendore, të cilat korrigjohen, pasi konstatohen, nga Drejtoria Vendore ose nga Drejtori i Përgjithshëm kryesisht. Struktura përgjegjëse për ankimet ose kërkesat e personalizuara të të interesuarit. Kur konstatohen gabime nga titullari i institucionit ose personat e interesuar? Si duhen korrigjuar dhe kush e ka përgjegjësinë për korrigjimin? A tarifohet shërbimi i korrigjimit dhe sa është vlera e faturës? Korrigjimi duhet të bëhet vetëm në hartë apo edhe në kartelë?

I referohemi nenit 16 të ligjit të ri të pronave, i përmirësuar. Janë shkurtuar hallkat. Kemi raste kur gabimet vijnë nga veprimtaria e drejtorive të hipotekave, tashmë të kadastrave, dhe këto konstatohen nga regjistruesi dhe nga njerëzit e interesuar. Atëherë institucionit i lind e drejta që të bëjë korrigjimin e këtyre gabimeve në kartelë dhe në hartë. Në këtë rast qytetari nuk duhet që të tarifohet, pra nuk do të bëjë pagesë për këtë. Pra, gabimi konstatohet nga qytetari i interesuar, vihet në dijeni regjistruesi dhe zyra e regjistrimit, me specialistët e saj, bën korrigjimin. Por mund të lindë nevoja që të shkohet në terren. Ka raste që nuk kapet nga specialistët dhe drejtori i hipotekës apo kryeregjistruesi ngre një grup pune dhe bëhet verifikimi edhe në terren.

Në rastin kur është konstatuar një gabim, sa zgjat procedura e korrigjimit? Si funksionon?

Afati kohor i korrigjimit varet nga problematika që lind. Në qoftë se gabimi bëhet nga specialistët, korrigjimi mund të bëhet edhe brenda 24 orëve. Por mund të zgjasë edhe një javë apo më shumë sepse mund të lindë nevoja edhe për të shkuar në terren për të bërë verifikimet e nevojshme dhe pastaj procesi i punës vazhdon në zyrën hartografike ku do të bëhet korrigjimi në hartë, por njëkohësisht edhe në kartelë. Pra, gjithnjë afati kohor i korrigjimit të gabimit varet nga gabimi që ndodh. Dhe përgjegjësinë në këtë rast e merr vetë institucioni. E rëndësishme është të theksojmë se në këto raste qytetarët e interesuar nuk ngarkohen me penalitete dhe nuk tarifohen për këtë shërbim.

Flas nga Berati. Në vitin 1996 kam blerë një pronë në qytetin e Beratit, kundrejt një dokumentacioni të rregullt ligjor të asaj kohe. Pronën e kam blerë vetëm nëpërmjet përcaktimit të kufijve, pa sipërfaqen. Këtë pasuri e kam në përdorim të vazhdueshëm. Kur kam shkuar në hipotekë për t’u pajisur me certifikatën e pronësisë, më thanë që duhet të gjej dokumentacionin deri në origjinën e pronës. Zyra vendore e regjistrimit të pasurisë së paluajtshme të Beratit është djegur në vitin 1997 dhe si rezultat nuk ekziston asnjë lloj dokumentacioni ligjor që të tregojë origjinën e pronës sime që në vitet 1930-1940. Prona ka qenë një shtëpi e vjetër, e ndërtuar përpara vitit 1940. Më kërkojnë që të shkoj në gjykatë. Çfarë do të zgjidh unë me proces gjyqësor, përveç sorollatjeve pa fund, sepse edhe gjykata do të kërkojë dokumentacionin e origjinës së pronës, i cili është djegur. Si duhet të veproj për t’u pajisur me certifikatën e pronësisë?

Në vitin 1997, i cili ishte një vit i mbrapshtë për të gjithë shqiptarët, në disa qytete të Shqipërisë, si pasojë e trazirave të atëhershme, u dogjën edhe arkivat. Në qoftë se prona e zonjës është një ndërtim i bërë para vitit 1990, zonja e ka shumë të lehtë që ta zgjidhë problemin e saj. Duhet që të bëjë një aplikim në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë, ku gjenden të arkivuara të gjitha dokumentet e qyteteve dhe të lagjeve që janë rilevuar deri në vitin 1993. Deri në vitin 1993 ka pasur rilevime dhe azhurnime për të gjitha qytetet. Pastaj duhet që të hapë një proces gjyqësor dhe zgjidhet problemi me një vendim të gjykatës. Besoj se zonja duhet ta ketë ruajtur edhe dokumentin ligjor që ka firmosur te noteri sepse duhet që ta përdorë si provë në gjykatë. Por e rëndësishme është që çështjet e pronave para vitit 1990 i zgjidh ligji i ri i legalizimit, me anën e të cilit kanë filluar regjistrimet që nga muaji shtator 2018. Unë i këshilloj zonjës që të mos vazhdojë më me kalvarin hipotekë-gjykatë, por të shkojë te Kadastra e Madhe dhe të bëjë aplikimin për regjistrimin e pronës së saj, si pronë të vjetër para vitit 1990. Pastaj me processin në vijim do të merren zyrat e legalizimit dhe do të vazhdohet normalisht me regjistrimin. Kjo do të isht zgjidhja më e mirë.

Flas nga Tirana. Kam një problem me apartamentin tim 1 + 1, i cili ndodhet në një pallat të ri. Kam bërë një kontratë shit-blerjeje para 15 vitesh, për 68 m2 banim dhe për 20 m2 verandë. Ndërsa para një viti, kur aplikova në hipotekë, në certifikatën e pronësisë më rezultonte 82 m2 sipërfaqe banimi, vetëm kaq. Pra sipërfaqen që është e hapur sepse është verandë, ma kanë regjistruar si sipërfaqe banimi. Si duhet të veproj?

Është shumë e rëndësishme që të shikohet sesi është bërë kontrata që zotëria ka nënshkruar me ndërtuesin para noterit. D.m.th. në kontratë është shënuar sipërfaqe banimi + verandë dhe regjistrimi në hipotekë. Ose të shihet origjina e pronës sepse normalisht që prona para se të kalonte te zotëria, ka kaluar te ndërtuesi që ka ndërtuar pallatin. Pastaj ndërtuesi ka bërë shpërndarjen e certifikatave. Në qoftë se veranda është futur në certifikatë si sipërfaqe banimi, ajo tani nuk mund të hiqet. Është një gjë e mirë që zotëria e ka marrë me certifikatë, sepse ka shumë persona që nuk e marrin. Bëjnë kontratat e shit-blerjeve, mirëpo verandat dhe shkallët nuk u futen në certifikatë pronësie. U shënohet vetëm sipërfaqja e banimit. Kështu që duhet parë kontrata e origjinës së pronës. Te zyrat e Kadastrës, zotëria duhet që të bëjë njëë kërkesë dhe të marrë kontratën e origjinës dhe praktikën e kolaudimit të firmës ndërtuese, pra sesi e ka kolauduar firma objektin që ka ndërtuar. Pastaj duhet që të këshillohet me një avokat ose me një studio ligjore dhe të ndjekë procedurën standarde pranë zyrës së Kadastrës.

Flas nga Vlora. Para 30 vitesh kam ndërtuar një shtëpi. E kam ndërtuar me lejen e dhënë nga Komiteti Ekzekutiv i asaj kohe, i qytetit. Nuk e kam bërë regjistrimin e saj sepse kur u ndërrua sistemi politik, ne lëvizëm dhe nuk u morëm më me atë punë. Unë kam 30 vite që banoj në këtë shtëpi, nuk i kam bërë ndryshime, është ashtu siç e kam ndërtuar në atë kohë. Problemi im është bërë tërkuzë. Shkoj tek ALUIZNI dhe më sorollatin. Kam aplikuar te zyrat e legalizimit që në vitin 2005 dhe kam vazhduar me të gjitha etapat me radhë. Në përgjigjen që më ka ardhur nga zyrat e legalizimit shkruhet se toka është me pronar. Shkoj në Hipotekë dhe nuk ma regjistrojnë. Të gjitha dokumentet ligjore i kam të rregullta. Si duhet të veproj për ta regjistruar shtëpinë?

Zotëria me të drejtë ka aplikuar që në fillim, kur ka filluar të zbatohet ligji për legalizimet, në vitin 2006. Në këtë rast ndodhemi para këtij fakti: në nenin 35 “Për Legalizimet”, thuhet shprehimisht: “Kur toka është me pronar dhe kemi ndërtime mbi 6 kate, legalizimi bllokohet ose banesa nuk legalizohet”. Pra, kemi dy elementë: kemi pronar të tokës dhe ndërtime shumëkatëshe. Por, e vetmja zgjidhje që mbetet, është që zotëria duhet të interesohet me pronarin e vjetër dhe në qoftë se ka kontaktuar me një firmë ndërtuese, për të bërë një ndërtim ose pallat shumëkatësh, që të përfitojë të paktën një apartament. Por, gjithmonë me marrëveshje. Toka me pronar dhe ndërtimet shumëkatëshe janë dy elemente që pengojnë legalizimin e banesës së zotërisë.

Flas nga Shkodra. Në vitin 1991 u ndanë pronat. Unë kam dy certifikata pronësie, të vitit 1991 që e kam marrë në vitin 1999. Jam detyruar që të gënjej në Hipotekë sikur gjoja më kishte humbur, për arsyen se Hipoteka kërkon një pronar tjetër, pas asnjë lloj dokumenti, ka një numër kadastral pa asnjë regjistrim, i cili kërkon që të bëjë mbivendosje nga një fshat, ish-kooperativë bujqësore, në një fshat tjetër, ish-ndërmarrje bujqësore. Edhe pse unë kam certifikatat, ai zotëria ka korrigjuar brenda në hipotekë aktin nga 23/5 brenda kuadratit e ka nxjerrë jashtë dhe ka vënë një numër 22, kur komuna mua më njeh që te numri 22 nuk e kam emrin, por e kam te numri 23/5. Edhe procesin gjyqësor në Gjykatën e Shkallës së parë e kam fituar. Tani po më sorollasin nga komuna në hipotekë e te Qarku dhe qnga viti 2004 nuk kam marrë asnjë lloj përgjigjeje. Që prej 2 vitesh dokumentet ndodhen në Gjykatën e Lartë Administrative dhe nuk marr asnjë lloj përgjigjeje, ndërsa pronën e gëzon tjetri.

Dua të kujtoj në këtë rast, edhe njëherë, që ka filluar një reformë e thellë për çështjet e pronësive, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Pavarësisht se zonja ka vazhduar kalvarin e gjyqeve deri në Gjykatën Administrative, unë do t’i them që paralel me këtë, zonja duhet të vazhdojë kontaktet me zyrën e Kadastrës sepse në të gjitha zyrat e saj po fillon verifikimi i pronave. Dhe në qoftë se konstatohen që tapitë janë false ose ka harta të futura me numra të ndryshuar si në rastin e zonjës, do të ketë bllokime dhe vetë institucioni do të bëjë korrigjimet e duhura dhe në shumë raste do të ndërpriten edhe proceset gjyqësore. Pra, të gjitha pronat do të kalojnë në sitë dhe në inventar të hollësishëm, duke i verifikuar të gjitha një e nga një. Me ligjin e ri që është hartuar dhe që ka filluar të zbatohet, do të zgjidhen të gjitha këto probleme. Tashmë është vetëm çështje kohe dhe durimi sepse procesi sapo ka filluar.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare