KENDI I EKSPERTIT/Fadil Kepi: Ja kur mund të përfitohet gjysmë pensioni

KENDI I EKSPERTIT/Fadil Kepi: Ja kur mund të përfitohet gjysmë pensioni

Fadil Kepi në emisionin "Këndi i ekspertit"

Si çdo javë, në Report TV, eksperti për çështjet e pensioneve Fadil Kepi ka sqaruar qytetarët mbi problematikat e pensioneve. Në emisionin “Këndi i Ekspertit” nën drejtimin e gazetares Valbona Mhilli, profesor Kepi u është përgjigjur pyetjeve të ndryshme të qytetarëve. Eksperti ka sqaruar problematikat specifike mbi çështjet se si përfitohet gjysmë pensioni dhe kur të lind e drejta, për disa raste për mësuesit e minatorët etj.

Profesori i nderuar Pëllumb Curri, nga Ndroqi, na shkruan: “Në datën 9 prill të vitit 2018 plotësoj moshën 65 vjeç dhe kam 42 vite punë, të siguruara. Kam punuar 4 vite si kryetar komune dhe 18 vite si drejtor e nëndrejtor shkolle. A mund të vazhdoj punën deri në përfundim të vitit shkollor dhe a përfitoj pension suplementar?”.

Zoti Pëllumb e plotëson moshën e pensionit 65 vjeç, më 9 prill. E drejta për të qëndruar në punë, deri në fund të vitit shkollor, është e Drejtorisë Arsimore të Tiranës. Pension suplementar nuk përfiton, pavarësisht se ka qenë i zgjedhur në funksione, për arsye se pension suplementar përfitojnë kryetarët e bashkive, të minibashkive, prefekti, nënprefekti, kryetari i këshillit të rrethit dhe kryetari i këshillit të qarkut. Por, duke qenë se ai ka kryer funksionin për 4 vite si kryetar i komunës në Ndroq, dhe 18 vite ka qenë drejtor dhe nëndrejtor shkolle, në të tre këto funksione pagën mesatare mujore bruto, mbi të cilën llogaritet pensioni, e ka më të lartë se sa paga e mësuesit të zakonshëm. Ai ka edhe 42 vite punë. Për këtë arsye, ligji thotë: “Sa më shumë vite pune, aq më i lartë del pensioni”. Por pensioni nuk varet vetëm nga vitet e punës, varet edhe nga paga mesatare bruto. Duke pasur 18 vite si drejtor e nëndrejtor shkolle dhe 4 vite si kryetar komune, paga mesatare e 42 viteve del më e lartë se sa po të kishte punuar 42 vite thjesht si mësues. Para se të dalë në pension ai do të dorëzojë të gjithë dokumentacionin që zotëron në shkollë, do të marrë edhe lejen e zakonshme që i takon nëse do ta nxjerrin në pension në datën 9 prill, për periudhën që ka punuar nga 1 janari deri më 9 prill dhe do të përfitojë gjithashtu edhe një pagë mujore shpërblim, pasi të gjithë punonjësit që punojnë në institucionet shtetërore, që nga mësuesi i thjeshtë, edukatoret e kopshteve dhe çdo punonjës tjetër, kur dalin në pension përfitojnë edhe një pagë mujore shpërblim. I uroj shëndet të mirë dhe ta gëzojë sa më gjatë pensionin.

Telefonoj nga Tirana. Kam 18 vjet punë dhe jam 55 vjeçe. Kur e përfitoj unë një gjysmë pensioni?

Në moshën 57 vjeçe, pas 2 vjetësh, pra në vitin 2020, në rast se do të kesh 37 vjet punë. Në qoftë se nuk i ke 37 vjet punë në vitin 2020, do të dalësh në pension të plotë ose të pjesshëm, nëse nuk ke vitet e punës, rreth vitit 2025.

Bashkëshorti im ka 24 vite punë dhe është 61 vjeç. Po ai në çfarë moshe përfiton gjysmë pensioni?

Ai mund të dalë në pension edhe vitin tjetër në moshën 62 vjeç. Me pension të reduktuar, nëse është pa punë, i pa vetëpunësuar, s’ka tokë dhe vitin tjetër, në vitin 2019, ai do të marrë pension të reduktuar nëse do të ketë 36 vite e 8 muaj punë. Në fakt ai ka 24 vite punë, pra duhet të sigurohet edhe 12 vite e 8 muaj punë që të dalë në pension vitin tjetër. Ndryshe, me 24 vite punë, ai do të dalë në pension në moshën 65 vjeç, në vitin 2026. Janë dy kushte për të dalë në pension: mosha dhe vitet e punës. As ti dhe as bashkëshorti nuk i keni vitet e punës për të dalë në pension para kohe. Prandaj, po ta shikoni të mundshme, nga ana financiare padyshim, duhet të shkoni tek Agjencia e Sigurimeve Shoqërore me librezën e punës dhe të kërkoni që njëri nga ju do të dalë në pension të parakohshëm.

Flas nga Tirana. Jam 76 vjeçe dhe kam dalë në pension me 60% të pagës dhe nuk më është shtuar më pensioni. Edhe burrit po ashtu. Marrim nga 150 mijë lekë të vjetra pension. Na thanë që kur të plotësonim moshën do të merrnim përqindjen. Kam vajtur në disa vende për ta kërkuar, por më thanë që nuk më takon.

Mendoj që bashkë me letrën që ke marrë me pensionin herën e fundit, pra në muajin mars, bashkë dhe me librezën e pensionit, të takosh Drejtorin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, i cili pret çdo ditë të mërkurë.

Një qytetare na shkruan: “Në fund të nëntorit të vitit 2017, bashkëshorti im, i cili punonte në një institucion buxhetor që varej nga Ministria e Bujqësisë, ndërroi jetë. Si trajtohet familja nga ana financiare? Po leja që nuk e kishte marrë, a paguhet?”.

Kur një person i siguruar punon në institucione buxhetore, deri në ditën që ai ndërron jetë, qendra e punës i paguan rrogën deri në ditën e fundit që ai ka punuar. Por ai rrogën mund ta ketë marrë dhe mund të ketë qenë i shtruar, ta zëmë, një muaj në spital, por mund të ketë qenë edhe një muaj tjetër jashtë vendit në spital. Raportet mjekësore që ka marrë jashtë vendit dërgohen te qendra shëndetësore ku ka kartelën këtu në Shqipëri, dhe i paguhen edhe raportet mjekësore, deri në ditën e fundit të jetës. Në një vendim të qeverisë, me nr. 493, datë 6 korrik 2011, thuhet: “Kur vdes një punonjës i institucioneve buxhetore, qendra e punës është e detyruar që nga fondi i veçantë i saj, me firmën e titullarit, t’i japë ndihmë financiare familjes një rrogë, por jo më pak se 50 mijë lekë”. Por, në qoftë se bashkëshortja punon në një institucion buxhetor, qendra e punës është e detyruar që t’i japë 30 mijë lekë ndihmë financiare. Në rastin në fjalë, personi nuk ka bërë lejen e zakonshme. Në këtë rast, sipas nenit 37 të Kodit të Punës, kur është dhënë ndihma financiare, duhet t’i kishin dhënë edhe lejen e zakonshme.

Kam punuar në minierën e Bulqizës 15 vjet. Gjithsej kam 25 vjet punë. Jam 56 vjeç. A fitoj pension?

Minatorët e nëntokës përfitojnë pension të plotë kur plotësojnë tre kushte: të jenë 55 vjeç, të kenë gjithsej 30 vjet punë, dhe nga këto 12 vjet e 6 muaj nën tokë. Zotëria megjithëse ka 15 vjet punë nën tokë dhe është 56 vjeç, nuk përfiton pension si minator i nëntokës, sepse nuk ka 30 vjet punë gjithsej. Nëse ke mundësi financiare, vetësigurohu për 5 vjet.

Na shkruan një zotëri nga Amerika: “Jam 101 vjeç, jetoj në Amerikë dhe dua të lidh pension në Shqipëri. Cilat janë procedurat që duhet të kryej?”

Duhet që të ketë nënshtetësinë shqiptare ose dy nënshtetësi. Për në Amerikë do të marrë pension sipas ligjeve amerikane. Për të marrë pension në Shqipëri i duhen 15 vite punë. Dikush nga të afërmit e tij, me kartën e identitetit, me librezën e punës të paraqitet në një nga Agjencitë e Sigurimeve Shoqërore. Po nuk pati 15 vite punë nuk përfiton. As pension social nuk përfiton nëse nuk ka banuar në Shqipëri 5 vitet e fundit.

Telefonoj nga Kukësi. Jam 62 vjeç. Kam 30 vite pune, 13 vite në minierë, nën tokë. Kam dalë në pension të parakohshëm. Nëse punoj në punë private a më takon pensioni?

Kushtet për të dalë në pension të plotë si minator i nëntokës, sipas një ligji të veçantë, nr. 150/2014, janë tre: mosha 55 vjeç, 30 vite pune gjithsej, dhe nga këto 12 vjet e 6 muaj punë nën tokë. Me sa thua, ti i plotëson këto kushte dhe mund të kishe dalë në pension edhe vjet apo parvjet. Ka një ligj, me nr. 72, të vitit 2017, që thotë: “Minatorët e nëntokës, të cilët dalin në pension të plotë sipas këtij ligji, 55 vjeç, 30 vite pune gjithsej dhe 12 vite e 6 muaj punë nën tokë, po të punësohen në punë të tjera, me përjashtim të vetëpunësuarve në bujqësi, u ndërpritet pensioni si minatorë të nëntokës”. Pra, në rast se zotëria punësohet i ndërpritet pensioni. Në rast se zotëria ka tokë, merret me bujqësi, me blegtori, me bletë, me vreshtari etj., nuk i ndërpritet pensioni. Merr edhe pensionin si minator i nëntokës, merr edhe të ardhurat nga aktiviteti në tokën që mund të ketë blerë me dokumente të rregullta ose në tokën që mund të ketë marrë me qira me dokumente të rregullta. Sqarime më të hollësishme mund të merrni ose në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore në Peshkopi, por atje nuk caktohen pensionet por vetëm pranohen dokumentet ose në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Peshkopi. Ky është ligji.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Artur pili: 06/11/2019 18:51

    Jam ni zonj jam ne prag te pensjonit nuk di si te veproj dua te knkakoj me specjalistin kep nr ime eshte 0684409823

    Përgjigju
  • Dhimo Dede: 23/07/2019 20:59

    Quhem Dhimo Dede nga himara jam i datelindjes 1955 kam gjithesejt me gjithe ushtrine 23 vjet pune nga keto 11 vjet i kam te punuara nen toke ne tunelet e palermos ne himareme njifen si vite nentoke

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

‘Giro d’Italia 2025’ nis nga Shqipëria, jehonë në mediat e huaja

‘Giro d’Italia 2025’ nis nga Shqipëria, jehonë në mediat e huaja