Të martën, më 23 qershor 2026, në orën 19:00, në Sallën “Tonin Harapi” të Shkollës Artistike “Jordan Misja”, do të prezantohet koncert-performanca “Këngë dhe Rituale” – Suitë Jazz, një projekt artistik që ndërthur muzikën tradicionale shqiptare me gjuhën bashkëkohore të jazz-it.
Me hyrje të lirë për publikun, kjo vepër sjell në skenë tre histori të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare: “Vallja e Osman Takës”, “Fyejt e Gramshit dhe historia e Tanës” dhe “Udha e krushqve”, të përzgjedhura nga projekti “Heritage is Our Brand”.
Përmes një qasjeje krijuese që bashkon traditën me estetikën moderne të jazz-it, publiku do të ftohet në një udhëtim artistik ku kujtesa, rituali dhe identiteti kulturor marrin jetë nëpërmjet tingullit, improvizimit dhe rrëfimit.
Koncepti artistik, përpunimet etno-jazz të materialit folklorik shqiptar dhe kompozimet origjinale mbajnë firmën e pianistit dhe kompozitorit Andi Kongo, i cili sjell një vizion bashkëkohor mbi trashëgiminë muzikore shqiptare.
Performanca do të interpretohet live nga një ansambël muzikantësh: Ermal Rodi në fyell dhe klarinetë, Andi Kongo në piano, Elona Islamaj në violinë dhe vokal, Iris Sula në vokal, Arbin Alimeri në bas dhe Emiljan Dhimo në bateri.
Dimensioni narrativ i koncertit do të realizohet nga Eno Basha dhe Iris Sula, të cilët do ta udhëheqin publikun nëpër histori, rituale dhe emocione që janë pjesë e kujtesës kolektive shqiptare.
“Këngë dhe Rituale” propozon një formë të re dialogu mes trashëgimisë dhe krijimtarisë bashkëkohore, duke dëshmuar se historia dhe kultura tradicionale mund të komunikojnë fuqishëm me publikun e sotëm përmes gjuhës universale të muzikës.
Komente







