Këngëtari me famë botërore Bob Dylan fiton çmimin Nobel në Letërsi
Çmimi Nobel në Letërsi këtë vit i akordohet Bob Dylan. Motivacioni i dhënë nga akademia shkencore suedeze është krijimi i shprehjeve të reja poetike në traditën e muzikës amerikane. VIDEO
Cmimi Nobel në Letërsi i akordohet kantautorit amerikan, legjendës së rokut Bob Dylan. “ Dylan krijoi shprehi të reja poetike në traditën e muzikës amerikane” ishte ky motivacioni që Akademia e Shkencave dha në momentin e publikimit të lajmit i cili u prit me ovacione. Por Bob Dylan ka qenë për më shumë se 5 dekada një influencë e jashtëzakonshme në muzikën dhe në kulturën popullore, jo vetëm me notat muzikore, por edhe me penën e tij.
Sekretarja e akademisë Sara Danils e përshkroi Dylan si një model, një shembull për mënyrën sesi ka kombinuar ritmin me refrenet dhe mënyrën e tij brilante të të menduarit.75 vjeçari e ka nisur karrierën e tij në vitin 1959 në një kafene në Minnesota.
Këngë të tilla si "Blowin in the Wind" dhe "The Times they are a changin" u shndërruan një nga refrenet e lëvizjeve për të drejtat e njeriut dhe refren për paqe. Këngëtari diti të largohet nga tradicionalja dhe të dhurojë një ndërthurje energjike në muzikë. Kantautori amerikan është muzikanti i parë të cilit i akordohet ky cmim ndërsa në vitin 2008 Dylan fitoi Pulitzer për fuqinë poetike të këngëve të tij.
Emri i Bob Dylan-it ishte lakuar prej kohësh si fitues i mundshëm i Nobelit, por të paktë ishin ekspertët që mendonin se akademia suedeze do ta shtrinte gamën e çmimit prestigjioz edhe në zhanre si muzika folk rok.