ITALI- Një kokë dhie e përgjakur me një tel të ngulur në të është gjetur në mesnatën e së enjtes para derës së shtëpisë së gjyqtares Maria Francesca Mariano, gjyqtare e antimafias në Leçe.
“Kështu”, shkruhej në një ‘pusullë’ të vendosur pranë kokës së kafshës, që u gjet të premten në derën e magjistrates. Koka ishte vendosur në krye të shkallëve, para derës.
La Repubblica shkruan se gjyqtarja kërkoi menjëherë ndërhyrjen e agjentëve italianë për të zbardhur ngjarjen. Deri më tani, autoritetet e konsiderojnë këtë si një kërcënim mafioz drejtuar gjyqtares e cila prej disa muajsh është marrë në mbrojtje nga qeveria pasi kishte marrë disa letra kërcënuese.
Hetimet për letrat kërcënuese çuan në arrestimin e 22 personave që konsideroheshin se i përkisnin klanit Lamendola-Cantanna në Brindisi të lidhur me Sacra Corona Unita më 17 korrik.