Deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, ka kërkuar nga qeveritë në Tiranë dhe Prishtinë që të vendosin tarifë 100% për produktet serbe, pasi Beogradi kërcënoi me ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër, ç’ka mund të rrezikojë furnizimin me ujë të Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Xhaferri akuzon edhe kryeministrin Edi Rama për çështjen e Ibrit, i cili sipas tij “na e solli në sofër hasmin e vjetër përmes ‘Open Balkan’”.
Deklaratave të kryediplomatit Serb Marko Gjuriç se Shqipëria nuk duhet të ndërhyjë në çështjen e lumit Ibër, Xhaferri u përgjigjet duke thënë se Kushtetuta i jep qeverisë shqiptare përgjegjësi kushtetuese ndaj shqiptarëve jashtë kufijve.
Reagimi i Xhaferrit:
Nëse Beogradi kërcënon me ndryshimin e rrjedhës së Ibrit, Tirana dhe Prishtina të vendosin tarifë 100% për produktet serbe!
Sapo lexova reagimin e Ministrit të Jashtëm të Serbisë, i cili kërkon që të mos flitet për Shqipërinë e Madhe, ndërkohë që nga mëngjesi në darkë propagandojnë dhe punojnë për Serbinë e Madhe.
Marko Gjuriç, që ngazëllehej deri dje për hapjen e konsullatës serbe në Shkodër, kërkon që Shqipëria të mos përfshihet në debatin për çështjen e lumit Ibër.
Së pari, zotit Gjuriç duhet t’i thotë dikush se Kushtetuta i jep qeverisë shqiptare një përgjegjësi kushtetuese ndaj shqiptarëve jashtë kufijve, dhe kjo nuk kufizohet vetëm te shqiptarët që kanë shtetësi shqiptare.
Për çështjen e Ibrit, në fakt, duhet të reagojë ai që na e solli në sofër hasmin e vjetër përmes “Open Balkan”.
Nëse Beogradi vijon të kërcënojë me ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër, Tirana dhe Prishtina duhet të vendosin tarifën 100% për mallrat serbe në kufi, siç bëri qeveria e Kosovës në 2018.
Lajmi kryesor:
Serbia kërcënon me devijim të Ibrit, përplasje e fortë mes Tiranës e Beogradit, Hoxha: Uji s’është mjet presioni politik! Vuçiç: Shqipëria s'ka lidhje, është çështje e brendshme!









